Tepër dashamirës tregohet Kadareja ndaj kolegut të tij austriak. Fjalia e tij më e ashpër për të është: “Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar”.
(Ose: Peter Handke, përse jeni me vrasësit?!)
Të gjitha gazetat dhe portalet shqiptare botuan këto ditë një tekst me titull “Çfarë ka shkruar Kadare për Peter Handken njëzet vjet më parë në ditarin e tij për Kosovën Ra ky mort e u pamë”. Fillimisht, teksti në fjalë doli në gazetën letrare “ExLibris” të botuesit të Kadaresë dhe pastaj e publikuan pothuajse të gjitha mediat në Tiranë, në Prishtinë e gjetkë.
Në këtë tekst, të cilin po e citojmë të plotë, thuhet:
“Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister.
Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake Residennz Verlag, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim.
E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadorja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme.
Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë.
Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet.
Ndërkaq, nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”.
A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo”. (Shënimi mban datën: 20 prill 1999).
Puna e parë që bëra pas leximit të këtij teksti qe shfletimi i librit Ra ky mort e u pamë. E kam lexuar këtë libër qysh në kohën kur doli nga shtypi, në vjeshtë të vitit 1999 dhe i jam kthyer disa herë të tjera më vonë, por ja që ky tekst nuk më kujtohej. Dhe s’kishte si të më kujtohej, sepse ai mungon në botimin e parë. Aty ka një shënim të datës 17 prill dhe një tjetër të datës 21 prill, por 20 prilli është bosh. Nuk ka asnjë shkronjë, madje as ndonjë shenjë tjetër, fjala vjen, pikat e heshtjes (…) .
Pak është të thuash se u befasova, sepse botuesi nuk e shoqëron tekstin me kurrfarë shpjegimi, pra nuk thuhet se nga cili botim është marrë shkrimi, ndërkohë që lexuesit i referohen rëndom botimit të parë, që është edhe më i rëndësishmi. Si shpjegohet fakti që në botimin frëngjisht, botuar po atë vit (1999), ky tekst figuron, kurse në botimin shqip mungon? Gabim teknik apo shmangie e qëllimshme? Për të mos i irrituar lexuesit shqiptarë, veçanërisht ata kosovarë, në njërën anë, por edhe për të mos u hatëruar me Handken, “këshilltarin e shtëpisë botuese austriake Residennz Verlag”, në anën tjetër, ky tekst është hequr në botimin shqip, por nuk është prekur në botimin frëngjisht. Sepse, “Handke është frankofon”; gruaja e tij është franceze; jetojnë në Francë… Do të doja ta kem gabim, por kësaj i vjen, me keqardhje po e them, era kalkulim!
Përse botuesi shqiptar bën gabime teknike, kurse ai francez jo?
Është pritur gjatë këtyre ditëve nga shkrimtari ynë, kandidat shumëvjeçar për Çmimin Nobel, një reagim lidhur me vendimin e Akademisë Suedeze për t’i dhënë Handkes Nobelin për Letërsi, por ai mungoi. Kadareja u mjaftua me atë që kishte shkruar njëzet vjet më parë për takimin me këtë shkrimtar.
Takimi, në të vërtetë darka e Kadaresë me Handken, ndodh në një kohë të papërshtatshme: më 20 prill 1999, në kulmin e terrorit serb në Kosovë. Vetë Kadareja shkruan: “në mes të prillit 1999 u krye një nga krimet më të tmerrshme që ka njohur historia e Ballkanit: zhbërja e Muçollëve. 53 vetë të masakruar, pastaj të djegur me karburant. 24 fëmijë nën moshën 14 vjeçare. 10 vajza mbi këtë moshë, 12 gra, 2 pleq, 3 burra dhe dy bujtës të panjohur (…). Ajo që mbeti nga familja e katër vëllezërve Muçolli ishin dy enë të mëdha: njëra me mbeturina eshtrash të karbonizuara, tjetra me stolitë e grave e lodrat e fëmijëve, të ngjitura njëra me tjetrën nga zjarri”.
Në qoftë se kjo masakër, “një nga krimet më të tmerrshme që ka njohur historia e Ballkanit”, paskësh ndodhur “në mes të prillit”, siç thotë vetë Kadareja, atëherë përse pranon të darkojë me njeriun i cili jo vetëm që s’i ka gjykuar këto krime me asnjë fjalë, por ka bërë krejt të kundërtën: e ka mbështetur pa rezervë agresorin?
Handke shkruan me simpati për fshatarët serbë, që punojnë tokën e pinë raki, por nuk ndien kurrfarë dhimbjeje për fshatarët shqiptarë, që grihen nga “idhulli” i tij, Sllobodan Millosheviq.
Si mund të hahet darkë me një njeri, qoftë ky edhe shkrimtar gjenial, që ka gjithë atë zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë dhe në Kosovë?
“Shkrimtari më i njohur shqiptar” Ismail Kadare pranon të hajë darkë me “shkrimtarin më të njohur austriak” Peter Handke në ambasadën e Austrisë në Paris si të mos kishte ndodhur asgjë, ndërkohë që në Kosovë, pikërisht në kohën kur darkëtarët (fjalë e krijuar nga Kadareja) shijojnë pijet dhe ushqimin e shijshëm, është në vlugun e tij krimi gjakatar për spastrimin e territorit të “krahinës jugore serbe” nga shqiptarët.
Shumë pikëpyetje e dilema nxjerr në pah teksti i shkurtër i Kadaresë! Të fillojmë nga fjalia e parë: “Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes”. Nuk kuptohet a i është përgjigjur kësaj kërkese apo jo shkrimtari ynë. Si duket jo. Ka dashur ta kursejë apo nuk ka dashur të bëhet pjesë e “fushatës”, që zhvillohej ndaj tij në Austri dhe në Gjermani.
Nëse rreth tryezës, në prani të gruas dhe ambasadores, për hir të mirësjelljes, nuk mund t’ia thotë troç mendimin, përse nuk e bën këtë në ditar?
Tepër dashamirës tregohet Kadareja ndaj Handkes! Përse? Ngaqë e paska rekomanduar për botim te botuesi austriak? Ngaqë sjellja e tij ndryn në vete një “mister”? Ç’mister, vallë? Në qoftë se është fjala për kompleksin edipian (babai i Handkes, një ushtar nazist gjerman, pasi e lë nënën e tij shtatzënë, vazhdon marshin luftarak), atëherë ka të drejtë shkrimtari kroat që ka dashur ta shpjegojë sjelljen e Handkes me zanafillë frojdiste.
Kjo është arsyeja që ky tekst mungon në botimin e parë të librit Ra ky mort e u pamë, që doli në kohën kur drama e Kosovës ishte ende e freskët. Gabimi teknik është një justifikim. Në nëntor të ’99-s Kadareja erdhi në Prishtinë për të marrë pjesë në Panairin e Librit: të parin panair libri në Kosovën e lirë! Në mjediset e panairit, para një publiku të gjerë, u përurua edhe libri i tij, ditari për Kosovën, ndërsa ndër njerëzit që folën me atë rast isha edhe unë.
Kadareja ka bërë shumë për Kosovën, jo vetëm në kulmin e krizës së saj, në vitin 1999, por edhe më parë e më vonë dhe këtë nuk mund ta mohojë askush (unë jo se jo), por takimi i tij me Peter Handken në kulmin e terrorit serb në Kosovë, është një veprim jo i duhur ose, po të shprehemi me fjalët e tij, “një darkë e gabuar”.
Ftesën e ambasadores austriake shkrimtari ynë është dashur ta refuzonte, për të mbajtur qëndrim ndaj njeriut që mbështeste gjenocidin serb. “Do të ma zënë për të madhe bashkatdhetarët e mi”.
Por nëse nuk e ka bërë këtë, për aksh arsye, nuk e kuptoj përse përpiqet ta arsyetojë Handken dhe sjelljen e tij. “…nga darka në ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi: “nuk jam më i njohur si më parë”. A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo”.
Të qenët “më pak i njohur se më parë” (do të duhej: “më pak i vlerësuar” se i njohur mund të bëhesh edhe për keq!) nuk mund ta arsyetojë sjelljen e tij skandaloze. Pastaj, të qenët “më pak i njohur”, në të vërtetë “më pak i vlerësuar”, në rastin e Handkes është pasojë e jo shkak.
Përse gjithë kjo keqardhje për Handken, gjithë ky mirëkuptim, kur ai e ka zgjedhur vetë, pa asnjë imponim, rrugën që ka zgjedhur?! Askush nuk e ka detyruar. Nuk është në natyrën e Kadaresë të jetë kaq i butë e i kujdesshëm. Në kohën kur Kadareja takohet me Handken, qoftë edhe me ndërmjetësimin e ambasadës së Austrisë në Paris, ai kishte botuar librin Udhëtim dimëror në lumenjtë Danub, Savë dhe Drinë: Drejtësi për Serbinë, në të cilin, siç e thotë vetë titulli, kërkon “drejtësi për Serbinë”. Verbëria tij etike është, siç u shpreh këto ditë një kritik nga Londra, “tronditëse”. Lemeritëse është, ndërkaq, po aq sa edhe qesharake, ideja e tij se do të donte të ishte “murg serb” “për të luftuar për Kosovën”, duke shpallur vend pelegrinazhi personal fshatin serb Hoçë e Madhe të Rahovecit, të rrethuar nga “ekstremistët shqiptarë”.
Ne nuk dimë ç’ka thënë Kadareja në darkën me Handken. Nuk kemi si ta dimë. Ne lexojmë atë që ka shkruar për këtë darkë në ditarin e tij. Dhe ajo që ka shkruar është shumë pak, në kuptimin: lë shumë për të dëshiruar.
Tepër dashamirës tregohet Kadareja ndaj kolegut të tij austriak. Fjalia e tij më e ashpër për të është: “Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar”.
Te ditari i tij për Kosovën, Kadareja tregohet shumë i rreptë me shkrimtarin hungarez Gjergj Konrad, të cilin e kritikon me të drejtë për një paraqitje proserbe në një forum ndërkombëtar. Akoma më i rreptë tregohet ndaj akademikut francez Marc Fumaroli për shkak të një artikulli të botuar në shtypin frëng: “Marc Fumaroli, akademik i Francës, përse jeni me vrasësit?”. Kurse për Handken mjaftohet vetëm me një fjali, që shpreh habi e keqardhje: “Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar”. Në vend se të kërkonte mizën që e paskësh pickuar kolegun e tij austriak, Kadareja do të duhej t’i drejtohej atij me fjalët: “Zoti Handke, përse jeni me vrasësit?!”.
Autori i romanit Darka e gabuar shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, është bërë edhe vetë, me a pa dashje, pjesë e një “darke të gabuar” njëzet vjet më parë: darkës me shkrimtarin austriak apologjet të Millosheviçit, Peter Handke, të cilën tani, njëzet vjet pas, naivët tanë përpiqen ta paraqesin si një veprim largpamës!