Negociatat/ Donald Tusk, mesazh shqiptarëve dhe maqedonasve: Mos u dorëzoni, një ditë do të bëheni pjesë e BE. Juncker: Gabim historik

Aktualitet Kryesore Politikë

Kreu i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka deklaruar në një konferencë për shtyp pas diskutimeve maratonë dy ditore në Bruksel se nuk është arritur unanimiteti për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE.

Ashtu si Kancelarja Angela Merkel, edhe Donald Tusk është shprehur se BE do t’i kthehet kësaj çështjeje në maj, kur pritet të mbahet Samiti i Zagrebit. Më tej, ai ka deklaruar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë asnjë faj, pasi kanë bërë gjithçka që iu ishte kërkuar.

“Do t’i rikthehemi kësaj çështje në maj. Nuk e kanë fajin Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut lidhur me këtë, të dyja kanë bërë gjithçka i ishte kërkuar të bëjnë. Mbrëmë liderët diskutuan zgjerimit. Shumica dërrmuese donte që të hapeshin bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë., Por nuk pati unanimitet. Prandaj unioni do t’i rikthehet çështjes. Të dy vendet bënë atë që iu kërkua të bënin. Të dy shtetet kishin të drejtën të nisnin bisedimet. Ata ishin gati, por fatkeqësisht disa shtete brena unionit nuk ishin gati. Për mendimin tim ishte gabim. Mesazhi im për shqiptarët dhe maqedonasit është: Ju lutem mos u dorëzoni. Nuk kam asnjë dyshim që një ditë do të bëheni pjesëtarë të BE”. tha Tusk.

Ndërkohë presidenti në largim i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, tha se vendimi negativ për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veirut dhe Shqipërinë ishte një gabim historik.
“Pata thënë në fillim të mandatit tim se nuk do të kishte zgjerim gjatë këtij mandati. Por çështja këtë herë nuk ishte kjo, çështja ishte nëse ato ishin apo jo kandidatë në nivelin e duhur për të na lejuar që nisnin bisedimet. Unë mendoj që ishte një gabim historik”, u shpreh Juncker në atë që ishte edhe fjalimi i fundit për të në këtë pozicion.

Share: