Shkrimtari, krimet dhe mirënjohja

Analizë Opinion

Si të dehur nga shlivovica: mbi vendimin e jurisë së Stockholmit që Peter Handke të nderohet me Çmimin “Nobel” për letërsi.

Erdhi dita e errët, kur një shkrimtar tejet i kontestuar për shkak të qëndrimeve të tij politike të marrë “Nobelin” e letërsisë. Kur juria e Stockholmit i telefonoi Peter Handkes për t’ia kumtuar lajmin e gëzueshëm, shkrimtari, i cili banon në periferi të Parisit, mbeti i habitur dhe pyeti, në gjermanisht, “Ist das wahr?” (“A është e vërtetë?”)

Me gjasë as vetë autori nuk besonte se do të merrte mirënjohjen më të lartë globale të letërsisë. Në tri dekadat e fundit Handke ka polarizuar si asnjë shkrimtar tjetër. Njëra ndër veprat e tij të hershme letrare mban titullin “Fyerja e publikut” – pikërisht këtë e ka bërë Handke duke u përpjekur t’i prezantojë botës një kundër-rrëfim mbi luftërat në Ballkan.

Ky kundër-rrëfim përmban mesazhin: të gjithë janë fajtorë për tmerret e Ballkanit, vetëm serbët jo. Ata përshkruhen si popull që është penguar në qetësinë e vet – ndërsa bijtë e tij më të mirë s’po bënin gjë tjetër veçse po piqnin raki ftoi. Arkani dhe kriminelët e tij? Ratko Mlladiqi me ushtarët e tij? Radovan Karaxhiqi dhe zjarrvënësit e tij? Biljana Pllavshiqi dhe teoritë e saj mbi boshnjakët si material i degjeneruar biologjik? Të gjithë këta kriminelë, shumica të dënuar nga Tribunali i Hagës, nuk luajnë rol në shkrimet e Handkes për luftërat në Ballkan.

Ndoshta sjellja e Handkes mund të shpjegohet me këtë definicion: kur e ke babën nazist, ke probleme. Për t’u distancuar nga baba – e gjen një babë tjetër: Slobodan Milosheviqin! Sepse mendon se Sloba është shoku Josip Broz Tito që ka luftuar kundër nazistëve, domethënë kundër babës tënd. Por Sloba nuk është shoku Tito. Peter Handke në verbërinë e tij nuk e ka kuptuar këtë kurrë. Ai Serbinë e ka parë si Jugosllavinë e tij personale. Si përfaqësues i majtistëve antiamerikanë të salloneve të 1968-s, ai mendonte se Serbia është njëfarë kundër-rrëfimi: krejt bota pi të shëmtuarën Coca Cola, ndërsa serbët shlivovicë, krejt bota vozit Mercedes, BMW, Toyota, ndërsa serbët Zastavë, krejt bota ha hamburger, ndërsa serbët qebapë. E vërteta morbide për Peter Handken është se edhe kriminalët më të mëdhenj të luftës në Serbi krimet i kanë kryer me armë globale. Dhe në vendin e krimit kanë shkuar me automjete globale.

Në ditë të errëta si e enjtja e kaluar, kur Handke u stolis me “Nobelin” e letërsisë, në Twitter shkëlqyen reagimet e shkrimtarëve Sasha Stanishiq (i lindur në Vishegrad të Bosnjës, jeton në Gjermani, shkruan gjermanisht) dhe Aleksander Hemon (i lindur në Sarajevë, jeton në SHBA, shkruan anglisht). Stanishiq shkruan se “për mua personalisht teksti që më dhemb më së shumti është ‘Suplementi veror i një udhëtimi dimëror’, sepse aty ai (Handke) e tematizon masakrën ndaj boshnjakëve në qytetin tim të lindjes, në Vishegrad. Po ju kursej nga llomotitja e tij. Në vend të kësaj qe analiza…”. Stanishiq sjell linkun e një shkrimi mendjemprehtë të “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ku demontohet poshtërsia e Handkes.

Aleksander Hemoni i ra shkurt muhabetit, shkroi se Peter Handke është Bob Dylani i mohuesve të gjenocidit.

Sa i përket verbërisë, përgjigjen e ka dhënë vetë Handke me një poezi (në gegnisht, sepse tingëllon më mirë): “Sa zor asht me pa. Dhe s’ka shkollë që të mëson me pa; secili sall vetë mundet me mësu me pa, çdo ditë. Por pastaj tue këqyr edhe e zeza e gjetheve të vdekuna ka një shkëlqim”.

Pas kumtit të hidhur nga Stockholmi në botën tonë të vogël u zemëruan jo pak njerëz. Për jo pak prej të zemëruarve vlen pyetja: e ku keni qenë në maj 2008? Atëherë kur në Kosovë erdhi Peter Handke dhe qëndroi me ditë të tëra në Hoçë të Rahovecit, në “Kosovën serbe”, siç shkruan(te). Shqiptarët, viktimat e shkaktuara nga regjimi serb – nuk ekzistojnë në veprën e Peter Handkes. Askush nuk bëri zë atëherë. Kishte mundësi: t’i ndalohej hyrja në Kosovë, t’i bëhej një ofertë për dialog edhe me shqiptarë apo të kishte protesta qoftë edhe simbolike kundër udhëtimit të tij propagandistik. Ndoshta shumëkush tek tani e kupton që më 2008 Kosovën e paskësh “nderuar” me një vizitë argati i Slobodan Milosheviqit. Për fat të keq, si shoqëri nuk kemi kujtesë të zhvilluar, as sens për reagim në çastet e duhura. Nuk kemi as institucione shtetërore, e as opinion të gjerë kritik e të vëmendshëm publik për të reaguar kur ndodh diçka. Andaj, zemërimi i ditëve të fundit është pak i vonshëm.

Por ka mundur të ndodhë edhe më keq. Publicisti i njohur austriak, Paul Lendvai, shkroi se Handke ka mundur ta marrë edhe “Nobelin” për Paqe. Për kontribut të jashtëzakonshëm në nxitjen e urrejtjes dhe përbuzjes së viktimave./koha.net

Share: