Një përplasje e fortë në Kuvend këto ditë ka qenë ajo brenda grupimit demokrat të kryesuar nga Rudina Hajdari. Deputetët e këtij grupimi i kërkuan Hajdarit dorëheqjen dhe madje votuan deputetin Korba Lita si kreun e ri.
Por Hajdari me sa duket do të vazhdojë të jetë kryetare e Grupit parlamentar të demokratëve pas disa lëvizjeve që bëri brenda disa ditësh. Dy deputetë që fillimisht kishin hedhur firmën duke pranuar si kreun e ri Korab Litën, Halit Valteri dhe Fatjona Dhimitri kanë hedhur poshtë pretendimin se Rudina Hajdari është shkarkuar.
Po sot në seancën parlamentare, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se këtë gjë e ka konfirmuar edhe nënkryetari i Parlamentit, Myslim Murrizi. Ndërkohë deputetja Hajdari ka siguruar edhe 5 deputetë të pavarur që duan të bëhen pjesë e grupit parlamentar demokrat, duke mbajtur kështu sërish shumicën.
Kryeparlamentari Ruçi tha sot se 5 deputetë të pavarur kanë bërë kërkesë që të bashkohen në grupin demokrat të kryesuar nga Rudina Hajdari.
“Nga grupi parlamentar demokrat më kanë ardhur disa njoftime. Më ka ardhur një kërkesë ose njoftim për ndryshime në drejtimin e grupit parlamentar Demokrat që deklarojnë si kryetar grupi Korab Litën. Deputetët Halit Valteri dhe Fatjona Dhimitri më kanë sjellë një shkresë për të më vënë në dijeni se ky vendim nuk është marrë dhe deputeti Murrizi dhe Hajdari konfirmojnë të njëjtën gjë. Ndërkohë që kam 5 kërkesa, nga Majlinda Halili, Krenar Rryçi, Vasil Steriovski, Elda Hoti, që deklarojnë pjesëmarrjen e tyre në grupin parlamentar demokrat”, tha Ruçi.
Ai i bëri apel tre grupeve parlamentare të rregullojnë rregulloren e tyre dhe ta vënë në dispozicion të Kuvendit.