“Komunikata 59” dhe qorrsokaku i Kosovës

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli

E kuptoni tash përse Kosova është në qorrsokak? Në vitin 2019, kur vendet e rajonit marrin qindra miliona euro nga fondet e BE-së për të modernizuar infrastrukturën, kur negociojnë për anëtarësim në BE, kur përmirësojnë standardin jetësor të qytetarëve të tyre, në Kosovë po zhvillohet një polemikë mbi «Komunikatën 59» të UÇK-së të shkruar para 20 vitesh!

Shumica e të involvuarve në polemikë mbi atë se a u shkrua kjo Komunikatë në Kosovë, në Tiranë apo në Zürich diku afër «Hauptbahnhofit» (stacionit kryesor të trenit) kanë halle, shqetësime e gajle regresive. Dhe kështu do të vazhdojë gjendja në Kosovë për aq kohë sa qytetaret dhe qytetarët nuk zgjedhin politikanë që kanë përpara vetëm të ardhmen dhe e kaluara e tyre është themel për t’i shërbyer Kosovës.

Duke e pritur ditën kur Kosova do të ketë politikanë që i kanë parasysh interesat e vendit, ne shohim në media elektronike – dhe prej nesh kërkohet edhe të argëtohemi e të entuziazmohemi – kur bajraktarët tanë marrin malet për të rrëfyer për heroizmat e tyre të luftës. Kur bajraktari tjetër thotë se «s’më frikëson asgjë përveç injeksioneve», kur retorika populliste vjen vetëm si jehonë e një zhurme shurdhuese – pa aftësi elementare për të kuptuar sa ka ndryshuar politika botërore.

Kemi një president që kur nuk flet për «korrigjimin» e kufijve, kërkon falje për komunikata të shkruara para dy dekadave dhe menjëherë demantohet nga dëshmitarët e kohës. Ndërkohë kush ka pak para shkon e shërohet në spitalet e Shkupit apo Beogradit, sepse besimi në sistemin shëndetësor të Kosovës ka rënë te pika zero. Ndërkohë edhe familje të shtresës së mesme, ato që janë shtylla e shoqërisë, mendojnë të emigrojnë – «për shkak të së ardhmes së fëmijëve». Sepse ka ardhur ai momenti kur njerëzit neveriten nga komunikatat tuaja dhe nga heroizmat tuaj për t’ia futur njëri-tjetrit edhe gjatë luftës, por sidomos pas luftës.

Sepse njerëzit neveriten nga arroganca e bajraktarëve primitivë që prioritet të parë dhe të vetëm e kanë ruajtjen e pushtetit, sepse pushteti është garancë për ruajtjen e pasurisë së krijuar përmes rrugëve të dyshimta, sepse me pushtet mbahet rrjeti nepotist, me pushtet ndahen resurset e vendit. «Komunikata 59» është kodi që na e shpjegon jo vetëm hatanë postçlirimare të shoqërisë kosovare.

Share: