Nga Andi Bushati
Edi Rama mblodhi në pallatin mbretëror “aristokracinë” e biznesit shqiptar në një përpjekje të dëshpëruar për të retushuar imazhin e tyre në publik. Kryeministri pranoi se ata 200 burra dhe gra që i kishin ardhur në sallë, ishin viktima të “frymës agresive kundër gogolit të oligarkut”, të një preceptimi të keq popullor, që kulmon deri në thirrjet për djegjen e bizneseve dhe shkatërrimin e shtëpive të tyre. Dhe për këtë i ftoi ata që të dhuronin nga paratë e tyre përmes një fondi, që do të rriste solidaritetin me më të varfërit, duke e shndërruar ajkën e kapitalizmit shqiptar në një “lokomotivë morale për shoqërinë”.
Masa që propozoi shefi i qeverisë, në atë monolog ku njerëzit më të pasur të vendit bënin rolin e spektatorit avdall, dhe ai vetë të star-it që vjen me vonesë për të performuar para turmës, ishte që biznesmenët e mëdhenj të dorëzonin 2% të dividentit personal (jo të fitimit të kompanisë) në këtë fond solidariteti që do i vishte fytyrave të tyre një maskë njerëzore.
Duhet thënë që në fillim se ajo nismë dhe ai format ishin krejt të pakuptimta. Dhe kjo për disa arsye…
Së pari se perceptimi armiqësor ndaj “figurës së urryer të oligarkut”, nuk ka prekur të gjithë biznesmenët e mëdhenj shqiptarë. Eshtë e vërtetë se në imagjinatën popullore, mund të ngatërrohet i njomi me të thatin, është e vërtetë se nën sundimin arbitrar të rilindjes po thellohet një kontradiktë që buron prej pabarazisë së skajshme, ajo mes të pasurve dhe të varfërve, por duhet thënë gjithashtu, se pjesa më e madhe e publikut e di se cilët janë mëkatarët e vërtetë: se cilët marrin koncesione dhe PPP multimilionshe, se cilët fitojnë tendera pa garë dhe “gara” ka konkurent, se cilët lobojnë për ndryshimin e ligjeve në favor të tyre, se cilët janë kilentët e përhershëm të cilët majmen vazhdueshëm nga paratë publike.
Në atë sallë kishte edhe plot biznesmenë të ndershëm, që fitojnë me punën dhe djersën e tyre, pa ndihmën e fondeve publike dhe lobimit për lehtësira fiskale. Dhe natyrisht ata nuk mund të detyrohen për të shplarë imazhin e oligarkëve të Ramës, disa prej të cilëve, si për ironi të fatit, as nuk gjendeshin në atë sallë, të organizuar për të bërë makiazhin e tyre.
Së dyti, ti kërkosh bosave të biznesit shqiptar të derdhin në një fond solidariteti të drejtuar dhe kontrolluar prej tyre 2% të dividentit, është një masë qesharake. Edhe sikur të funksionojë, ajo shumë, nuk është asgjë më tepër sesa një piku uji në oqean, për të korrigjuar hendekun mes atyre që kanë dhe atyre që s’kanë. Atë e bën edhe me groteske fakti se nuk ka kaluar as një vit, kur me një ligj antikushtetues të kthyer pas edhe nga presidenti, Rama i fali, po, po, i fali më të pasurve të vendit, 7% të dividentit, jo vetëm për një vit, por edhe me efekt prapaveprues për vitet që patën kaluar.
Së treti, një qeveri e majtë, e cila shqetësohet realisht për thellimin e pabarazive, për thyrejen sociale që rrjedh prej tyre, për kalcifikimin e një sistemi ku të pasurit pasurohen gjithnjë e më shumë dhe pjesa tjetër varfërohet gjithnjë e më tepër, nuk e zgjidh këtë me anë të lëmoshës, as me fondet për rindërtimin e një shtëpie, apo kurimin e një fëmije të sëmurë. Ajo e zgjidh me anë të taksimit.
Tashmë në mbarë botën po pranohet njëzëri se Amerika e pas krizës dramatike të 1929, kur Ruzvelti vendosi të aplikojë deri në 80 % taksim për pasuritë më të mëdha, përjetoi bumin e vet të lavdishëm ekonomik. Po ashtu edhe Europa e pas luftës së dytë botërore, që vendosi të ndërmarrë, politika fiskale të bazuara tek solidariteti, kujton ditët e saj më të arta.
Vetëm këto janë masa që mund të rikthejnë kohezionin social të shkatërruar dhe të ringjallin ekonominë e kapur për fyti nga 10 -15 vetë.
Natyrisht, Edi Rama i di këto. Që kur erdhi në pushtet në 2013, ai e bëri një nga refrenet e fushtës së tij, zbutjen e pabarazive, në një vend ku siç i pëlqente të thoshte atëherë, vetëm 5% e shoqërisë kanë sa 95% tjetër. Pikërisht për këtë ai nisi betejën për taksimin progresiv ku ata që fitojnë më shumë, paguajnë më shumë.
Por, me ta ardhur në pushtet ai lundroi në drejtim të kundërt. Ai jo vetëm e thelloi hendekun mes të pasurve dhe të varfërve, por krijoi një diferencë edhe midis vetë biznemenëve duke veçuar prej tyre një grusht oligarkën që bashkëqëverisin me të. Ai jo vetm që nuk bëri gjë për më të paprivilegjuarit, por do të mbahet mend për thirrjen drejtuar sipërmarësve italianë që të vijnë në Shqipëri se këtu fuqinë puntore mund ta shfrytëzojnë si mish për top, pasi nuk ka as sindikata.
Të gjitha këto politika të denja për një ekstremist ultraliberal i kanë dhënë frytet e tyre. Ato kanë konverguar në atë që Rama e quajti së fundi përpara 200 ‘aristokratëve” të biznesit, si frymën agresive të shoqërisë kundër gogolit të oligarkut.
Dhe këtu ai ka meritën e pamohueshme se di ta masë pulsin e shoqërisë. Ai tregoi se e ka kuptuar se virusi i kësaj fryme po përhapet me shpejtësi. Prandaj zhvilloi dhe tubimin farsë në pallatin mbretëror.
Por, ashtu si shpesh herë, problemi i tij nuk është se s’di të kapë problemet e duhuara, ai është se jep përgjigjet e gabuara. Kështu bëri edhe këtë herë kur veshi përparsen e krirurgut estetik të oligarkëve: në vend që të marrë masa për të zbutur kontradiktën në thellim mes të pasurve dhe të varfërve, ai mbajti një fjalim para biznesit të madh me shpresën për ti transformuar ata nga “djaj”, në lokomotiva morale të shoqërisë./lapsi.al