I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla komentoi edhe gjestin e nënkryetarit të Kuvendit, Edi Paloka, i cili një ditë më parë hodhi bojë me shiringë në drejtim të kryeministrit Rama.
Sipas tij, përmes hedhjes së bojës demokratët kanë lëshuar edhe një mesazh të koduar, që ashtu siç u qëllua kryeministri, të goditet kryeministria nesër.
“Po shkoj tek akti i djeshëm i turpshëm i Edi Palokës…i cili nuk meriton më të jetë nënkryetari i Kuvendit. Kryeministri ka reaguar në mënyrën më minimale të mundshme, pasi ka qenë i provokuar maksimalisht. Banalitetin e tij ai njeri e shfaq në çdo seancë. Shqiptarët e kanë kuptuar se ishte mesazh i koduar për të goditur kryeministrinë nesër. Si mund të ishte reagim spontan kur shkon me shiringë në xhep? Edhe disa të tjerë kishin shiringa. Deputetet kishin vezë, kishin flakadanë nëpër çanta”,- tha Balla ndër të tjera.