Nga Enton Palushi
Një gazetare e huaj, që qëndroi për disa javë në Shqipëri, më tha se kishte konstatuar se Shqipëria është në momentin e asaj që njihet si ‘tippingpoint’, duke iu referuar një libri të autorit të njohur MalcolmGladwell. Për ta shpjeguar: ky është momenti kur shoqëria shkon në një pikë kritike, në pikën e vlimit. Më pas shanset janë që sjellja e saj të ndryshojë në mënyrë dramatike.
Kjo temë mund të debatohet, por vështirë të mos e pranosh se Shqipëria ka shkuar në pikën e vlimit. Kurrë më parë vendi nuk ka parë një numër kaq të lartë qytetarësh (sidomos të rinj) që duan të braktisin Shqipërinë ose që e kanë braktisur tashmë. Kurrë më parë nuk janë parë të tilla protesta masive spontane si, fjala bie ajo që u organizua kundër armëve kimike apo protesta e studentëve. Kurrë më parë nuk kemi parë protesta të mëdha të organizuara si ajo e opozitës shqiptare apo e biznesit të vogël. Kurrë më parë nuk janë parë protesta të vogla dhe mjaft agresive dhe rezistente si ajo e banorëve të Kukësit, ajo e banorëve të Astirit apo protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Kurrë më parë nuk ka qenë kaq e lartë neveria dhe urrejtja për politikën, elitat, establishmentin dhe kjo mund të shihet tek braktisja masive e kutive të votimit më 30 qershor, madje mund të lexohet edhe tek revolta e atyre që prishën fletët e votimit pasi dolën të detyruar te qendrat elektorale.
Pas gjithë kësaj kohe që vendi po zien, mund të nxirren tre përfundime të qarta.
E para, sado që të urresh politikën, duhet kuptuar se vetëm përmes politikës mund të vijë ndryshimi. Sado ta kesh inat sistemin, duhet kuptuar se kjo është zgjedhja më e mirë e mundshme që ka njohur bota e zhvilluar sepse ofron garë nëse mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
E dyta, të gjitha këto lëvizje tregojnë qartë se Edi Rama është e shkuara e politikës shqiptare. Kjo, jo vetëm sepse nuk mund të pretendosh të ndryshojë diçka kur nuk e bëri për shtatë vite si kryeministër e për më tepër në më shumë se dy dekada me poste të larta shtetërore. Por mbi të gjitha sepse shihet se as Perëndimi nuk e sheh si partner të besueshëm duke i vënë kushte për integrimin. Edi Rama nuk ishte zgjidhja, por vetë e keqja.
E treta, pavarësisht të gjithave, Shqipëria nuk ia doli të prodhojë gjatë kësaj kohe asnjë rrymë, asnjë parti politike, asnjë ndjeshmëri tjetër që mund të bëhet konkurruese. Për këtë nuk duhet fajësuar sistemi zgjedhor dhe as media, që ia hap dyert lehtësisht çdo personazhi apo fryme të re që shfaqet diku. Edhe opozita e re, të cilës iu ‘hap papritur qielli’ duke e katapultuar në tribunën më të rëndësishme në vend, u tregua jo vetëm qesharake, por mbi të gjitha një vegël e qeverisë. Shkurt muhabeti: këto ishin resurset, mos prisni që papritur të shfaqet ndonjë parti që do bëjë namin. Madje nëse i beson studiuesve të njohur të politikës, më mirë që nuk ka dalë ndonjë lëvizje e re sepse në kohën e emocioneve të larta, shtohet rreziku i prodhimit të kokave të nxehta në politikë. Kështu, nëse mund të ketë ndonjë forcë që ka mundësi të vjelë vota tek ‘thesi’ i madh i të pavendosurve, ajo mbetet opozita shqiptare.
Thënë të gjitha këto, si përfundim mund të nënvizohet se Shqipëria po shkon sërish drejt një rotacioni tipik: largohet Edi Rama dhe vjen Lulzim Basha.
Por, siç thotë studiuesi i njohur James C. Scott, edhe sikur të kenë ndodhur lëvizje më të mëdha në vend, sërish historia do i thjeshtojë dhe do flitet vetëm për largimin e Ramës dhe ardhjen e Bashës.
Shqetësimi i Scott- që duhet të jetë shqetësimi i të gjithëve- nuk është centralizimi i mënyrës se si do lexohet historia, por centralizimi i lëvizjeve politike. Me fjalë të thjeshta: nëse lëvizja e Bashës është e centralizuar, edhe qeverisja e tij do jetë e centralizuar. Për këtë qëllim, do ishte mirë që lëvizja të jetë sa me e decentralizuar në mënyrë që edhe qeverisja e ardhshme të jetë e decentralizuar.
Pas çdo lëvizje ka aktorë dhe faktorë me interesa nga më të ndryshmet, thotë Scott. Ato nuk bashkohen me lehtësi, por kur ndodh bashkimi, edhe ndryshimi është më i fortë. Shembulli më i mirë i kësaj ishte marrëveshja që nënshkroi kreu i PD, Lulzim Basha me protestuesit në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, duke marrë zotime që shkojnë përtej historisë së ruajtjes së godinës.
Këtë mënyrë duhet të zgjedhin edhe të tjerë faktorë apo aktorë.
Vetëm falë politikës mund të sjellin ndryshimin dhe mund të decentralizojnë qeverisjen duke e vënë përpara përgjegjësive.
E di që ka shumë njerëz që kanë dyshimet e tyre nëse këto marrëveshje funksionojnë. Por politikanët prej fjalës vijnë, nga fjala mbahen dhe prej fjalës ikin. Pastaj nëse keni shumë dyshime në këtë drejtim, shihni rastin e Edi Ramës me ‘grupet e interesit’. Prej krimit erdhi në pushtet dhe atij po i qëndron besnik deri në pikën e fundit.
/GAZETA MAPO