Nga Ben Andoni
Për të gjithë ata që e dëshiruan dhe e respektuan kauzën e tyre në Prishtinë dhe në Tiranë një gjë do mbetet e dhimbshme: Nuk mundën ta shikonin vizionin real të Vetëvendosjes në drejtimin e Kosovës dhe mënyrën e tyre të drejtimit, të shpallur me aq pathos. Është e vërtetë se ata u penguan, madje qysh në atë periudhë të gjatë negocimi me LDK, ku për programin çuditërisht u morën vesh për pak kohë dhe për emrat në plot tre muaj. Është e vërtetë se përballë kishin ngrehinën e një shteti, ku tarafi është kthyer në simbol dhe ku rehatohen vetëm të afërmit dhe kushërinjtë e politikanëve të fortë. Porse pikërisht në këtë matricë duhej të ecte kjo forcë dhe t’i jepte mundësi Kosovës, që ta shikonin drejtimin e tyre. Bash për këtë edhe u votuan. Në vend të kësaj, kryeministri Kurti qesëndisi Shqipërinë, ia dha dërrmën Ministrit të vet të Berndshëm, që e paralajmëroi për Covid-19 dhe u përplas me institucionet e vendit të tij.
E vetmja gjë “pozitive” e inkurajuar edhe nga pandemia ishte se Shqipëria u harrua në Kosovë dhe anasjelltas. Për Kosovën flitet gjithnjë e më pak në Tiranë, paçka organizimit të Vetëvendosjes në Tiranë, ndërsa qeveria Rama pothuaj nuk e begenisi ekzekutivin e Kurtit, sikur ai të mos ekzistonte fare. Në një prononcim të kohëve të fundit, kryeministri kosovar do e shprehte me shumë trishtim se ndërsa komunikonte mirë me të gjithë rajonin, vështirësinë e vetme kishte Tiranën e Ramës.
Shqipëria humbi jo pak me Kurtin, të paktën përkohësisht, sepse me moshën dhe fuqinë e tij, ai do të tentohet sërish në pushtet, pasi nuk mundi që sëbashku, të maturonin forcat për një marrëdhënie ndryshe, që kryeministri kosovar kërkoi ta ndryshonte me rezultatet dhe jo me takimet e shtrëngimit të duarve, aq të zakonshme gjatë drejtimit të Ramës.
Nga ana tjetër, Kurti me qesëndinë ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, paçka justifikimeve që sot bëjnë me afatet kohore tregoi defektin më të madh të liderit shqiptar, mosrespektimit e moralit në politikë, që kur humbet votëbesimin duhet të largohesh, paçka se kolegu i tij në Tiranë nuk dëgjon nga ky vesh dhe se numrat në parlament as nuk e gudulisin.
Mbi të gjitha, zhgënjimi për të ishte se risia e një gjëje ndryshe humbi shpejt dhe ai u kthye në monotoni në Kosovë, ashtu si bënë dhe paraardhësit e tij. Mbase e vetmja kënaqësi do jetë në Tiranë, që tashmë nuk do kenë një lider kosovar që t’ua përplasë të vërtetën e realiteteve në sy, siç e bënte Albini, që tashmë duhet të mendojë realisht për kthimin e tij. Nëse do jetë kaq i pritshëm dhe të shpresojmë jo hakmarrës. (Javanews)