Mjerimi i ligjërimit publik në Shqipëri

Analizë Opinion

Nga Urim Tusku 

Në diskutimet publike, ku spikat ai parlamentar, vihet re një mjerim diskursi, deri në mërzi. Ligjërimi publik nuk mjaftohet vetëm në parlament, atë e ndeshim edhe në studio televizive, ku më shumë merren me sulme personale, duke prekur pak ose aspak temën për të cilën diskutohet. Çdokush, si shikues (i kualifikuar) do të ndihej i fyer me atë që sheh në televizor.

Zakonisht, nëpër këto studio qarkullojnë të njëjtët njerëz, idetë e tyre janë thënë e stërthënë, por pavarësisht kësaj, ata sërish dalin në ekrane për të rithënë me fjalë të tjera, atë çka kanë kumtuar një natë më parë. Profesionistët e fushës, që mund të kenë një gjykim më të mirë analitik për çështje të caktuara, nuk thirren, sepse iu mungojnë elementët e spektaklit. Kjo bën që tema, e cila rëndom është e aktualitet, të ezaurohet në trajtim, por të mos marrë asnjëherë një argument të qartë shterues. “Trupa shëtitëse”, që rezulton shpesh me njohuri minimale, rend lart e poshtë pa thënë asnjë mendim të pjekur, apo fjalë që të mbahen mend. Krejt ndryshe ndodh në vendet perëndimore, që nga një ligjërim i tillë, në parlament apo kudo gjetkë, të ndërmerren nisma shumë të rëndësishme për shoqërinë.

Po ashtu, edhe në tempullin e demokracisë, në parlament, shumica e fjalimeve, janë tërësisht diletante, për nga përmbajtja apo mendimi. Ky është një rreth vicioz, që nxjerr në pah vetëm injorancën e të zgjedhurve, që shpeshherë rezulton të jetë nën nivelin mesatar të popullsisë për nga formimi. Faktorët kryesorë që e prodhojnë një realitet të tillë, kanë të bëjnë me faktin e mungesës së konkurrueshmërisë. Edhe pse Shqipëria ka ecur shumë në aspektin e integrimit me elementet materiale, nëse i referohemi këtu mjediseve të argëtimit, kafeneve apo restoranteve, por edhe veshjeve që janë të një standardi perëndimor, ligjërimi publik lë shumë për të dëshiruar! Mbizotërues këtu, në këtë vend të vogël, është sulmi personal dhe aspak argumentet mbi një temë të caktuar.

Në parlament kjo nxitet edhe nga prania e kamerave, sepse protagonistët mendojnë, se kështu bien në sy tek publiku që i ndjek. Përfaqësuesit e mazhorancës trumbetojnë me të madhe arritjet, kurse pjesëtarët e opozitës nxjerrin në pah dështimet, madje duke e ngritur zërin, si për t’i dhënë më shumë forcë argumentit të tyre. Politika është ajo që merr pjesën më të madhe të diskursit publik (hapësirën më të madhe mediatike), dhe energjitë më të mëdha përqendrohen në një kotësi deklaratash, që më shumë kanë synim të baltosin kundërshtarin, sesa të ofrojnë një alternativë se si mund të ketë përmirësime në sektorë të ndryshëm. Në çdo diskutim që bëhet në parlament, nuk të mbetet asgjë në mendje, përveç sharjeve dhe ofendimeve, si mejhane të dehurish.

Nuk pretendohet të jetë një ligjërim si ai i viteve ‘20-‘30, ku korifenjtë e mendimit dhe fjalës së shkruar dhe të folur, si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Ali Këlcyra etj., jehojnë edhe sot me fjalimet e tyre, plot elokuencë, vizion, e mençuri. Të paktën, ky i sotmi, të jetë në lartësinë mesatare të popullsisë.

Në parlament përzgjedhja e kandidatëve për të qenë deputetë, nuk bëhet mbi bazën e aftësisë që shpërfaq dikush, dhe, më pas ky të shërbejë si vlerë për partinë e të sjellë më shumë vota. Jo, këtu përzgjedhja bëhet mbi baza besnikërie (ndaj kryetarit), mungesë të spikatur personaliteti, që kryetarët të krijojnë ushtrinë e njerëzve që nuk mendojnë, por vetëm veprojnë me urdhër. Ky është një model, i cili po zë gjithnjë e më shumë vend edhe në rrjetet sociale. Janë këto të fundit që bëjnë shpërndarjen për sharjen më pikante gjatë një diskutimi në parlament apo debati në studio televizive. Më pas vazhdohet ne shumëfishimin e tyre, për të shkuar edhe më tej, tek komentet që i bën gjithkush, sipas bindjes që ka për njërin apo tjetrin personazh të debatit.

Opinioni publik në vend, nëse ekziston, çoroditet me të tilla pamje, që nuk kanë aspak të bëjnë me komunikimin, por baltosje të kundërshtarit. Ai e sodit këtë “spektakël”, që i uzurpon hapësirën për një diskutim, i cili mund t’i japë zgjidhje problemit, duke e lënë atë aty përherë në vazhdimësi, me diskutime shterpë pa zgjidhje. Kjo është një panoramë mbytëse, asfiksuese, për nga natyra e pengimit të ideve, që të përçohen ashtu siç duhet tek opinioni publik. Një situatë e tillë, i hap rrugë manipulimit, sepse në një realitet si ky në Shqipëri, nuk edukon qytetarë që të kenë një qasje kritike ndaj një problematike të caktuar, por përkundrazi, krijon kakofoni keqkuptimesh që ngelen gjithmonë të pasqaruara. Prandaj sot mund të thuhet, se në Shqipëri, ligjërimi publik është i mjerë.

Share: