Më 18 tetor Presidenti i Republikës Ilir Meta ka premtuar dekoratë për kryeministrin Edi Rama nëse ai merr datën për çeljen e negociatave. Në konferencën e sotme me gazetarët, Meta u pyet nëse është xheloz disi për kreun e qeverisë dhe madje edhe kreun e PD-së por ja si u përgjigj ai.
“Së pari, që unë të bëhem xheloz për Edi Ramën, këtë se pranon as vetë Edi Rama. Ju i dini kontributet e mia për Edin. Edhe për situatën aktuale unë i kam thënë ore më dëgjo mua se kur më ke dëgjuar mua të ka dalë mirë kjo gjë. Madje dhe disa diplomatëve iu kam thënë ‘ore mos ma merrni më qafë Edin. Se i krijoni idenë që e ka mirë Edi dhe pastaj Edi gabon dhe pastaj e pëson dhe Shqipëria jo vetëm Edi’. Se ne kemi hallin edhe të Edit jo vetëm të vendit që kuptohet që është parësor për mua. Unë të jem xheloz?! Unë i jap dekoratë Edit më datë 18 tetor vetëm ai të marrë datën e çeljes së negociatave të Shqipërisë. Siç iu dha ai dekorata ambasadorëve që çelën negociatat vjet e parvjet, unë do t’ia jap dekoratën, ai le të mos e pranojë. Bile do t’i jap urdhrin e Skënderbeut. Absolutisht. Ku ka gjë më të rëndësishme dhe unë të jem xheloz pse do të çelen negociatat apo do të anëtarësohet Shqipëria në BE”, tha Meta.
“Unë kam ikur nga kryeministër vetëm për të mos penguar marrëdhëniet e BE-së me Shqipërinë. Sepse kryetari i partisë kur unë isha kryeministër donte të bëhej Presidenti, por ato votat i kishim çik me probleme ne për President për punën e Dushkut, por unë i thashë bëhu kryeministër se s’të lë Europa dhe Shqipëria të ecë përpara. Ku ta dija unë që atëherë ishim para Serbisë e Malit të Zi me këto punët e integrimit europian dhe ishim rrotë më rrotë me Kroacinë, sot jemi këtu ku jemi. Ku është Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe ne tani diskutojmë çështje që për Shqipërinë nuk duhet të ishin kurrsesi në axhendë as të brendshme as ndërkombëtare.
Kështu që dekoratën më 18 tetor bëhuni gati, madje i takojnë dy si kryeministër dhe ministër i Jashtëm”, theksoi Presidenti.
Por sa i përket kryedemokratit Basha dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi që është edhe bashkëshortja e tij, Kreu i Shtetit u tregua koprrac.
“Zotit Basha nuk i jap dekoratë se ai ka braktisur institucionet. As Monikës se i ka dhënë besën Lulit kështu që jemi në rregull”, tha Meta.