Nga Bardhyl Demiraj
Albanologjia në Gjermani tronditet rishtas këtë vit me një ngjarje të hidhur. Largohet papritur prej nesh Wilfried Fiedler, i mirënjohur në diskursin kulturor intelektual shqiptar dhe ballkanik si njohësi më i thelluar dhe më produktiv në studimet gjuhësore albanologjike dhe ato ballkanike bashkëkohore në hapësirën gjermanishtfolëse, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Wilfried Fiedler lindi në vitin 1933 në Oberfrohna (Saksoni/RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Berlin, ku studioi në Universitetin Humboldt në fushat e sllavistikës e të filologjive të tjera të Europës Juglindore dhe Lindore. Prej vitit 1955 filloi karrierën e tij shkencore si punonjës shkencor në institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Gjermane (në Berlinin lindor) dhe katër vite më vonë, pas njohjes së thelluar të shqipes edhe si docent i saj në Universitetin Humboldt. Ky angazhim e shoqëroi 30 vjet me radhë aktivitetin e tij shkencor-universitar dhe intelektual (1957-1989). Bashkimi i Gjermanisë e solli Fiedler-in në Perëndim, në Universitetin elitar Ludwig-Maximilian të Mynihut, si pasardhës i profesurës për albanologji që kishte themeluar profesor Martin Camaj, një pozicion ky që e shoqëroi deri në daljen e tij në pension (1991-1998). Angazhimi universitar, krahas atij shkencor, mbeti gjithsesi deri në fund pjesë e jetës së tij aktive si specialisti i shumëkërkuar i shqipes në universitetet e Jenës dhe të Mynihut.
Kontakti i parë i Wilfried Fiedlerit me gjuhën shqipe u përftua qysh në vitin 1957 gjatë një ekspedite etnografike disamujore në terren, ndërsa për bashkëjetesën e tij për më shumë se gjashtë dhjetëvjeçarë me shkencat albanologjike ndikoi sidomos njohja me eruditin shqiptar Eqrem Çabej, me të cilin pati korrespondencë intensive deri sa ai u nda nga jeta (1980).
Aktiviteti shkencor i Wilfried Fiedler-it dallohet për paletën e gjerë të botimeve shkencore si autor e bashkëautor në shumë lëmenj të filologjive ballkanike e lindore. Vepra e tij e fundit “Gramatikë e krahasuar e gjuhëve ballkanike” (ASHAK 2018, 830 f.) shënon një pikë kulmore në traditën e studimeve thujse dyshekullore në balkanologji. Ndërkohë që është vështirë të kërkosh e të gjesh një fushë studimi në gjuhësinë shqipe, ku ky kolos erudit të mos ketë lënë gjurmët e veta të pashlyeshme, siç janë fjalorët dygjuhësh shqip-gjermanisht e gjermanisht shqip (1977-), “Gramatika e gjuhës shqipe” (1987), “Sistemi foljor i “Mesharit” të Gjon Buzukut” (ASHAK 2004), “Ndërtimi i shumësit në Shqipe” (ASHAK 2007), ndërsa punimet e veçanta arrijnë shifrën marramendëse prej 180 titujsh.
Përpos aktivitetit shkencor Wielfried Fiedler ishte i njohur në rrethin e tij shoqëror si mik i muzikës, organizator dhe anëtar i Orkestrës Akademike të Universitetit Humboldt (1966), zotërues virtuoz i oboes dhe i një sërë instrumentesh të rralla muzikore.
Largimi i tij është një humbje e madhe për të gjithë miqtë, kolegët e për të gjithë botën shkencore albanologjike, e cila e kujton me respekt dhe stimë të veçantë në këto momente zije dhe ngushëllimi të kulturës shqiptare.