Edhe popullin nën hetim parlamentar!

Analizë Opinion

NGA ARTAN FUGA

Edhe popullin nën hetim parlamentar!
—————–

Unë dua të sillem si qytetar me ndërgjegje të lartë politike.

Se më dhemb vendi im.

Nuk më turpëron fare ngatërrimi i hymnit tim me atë të Andorës apo Armenisë. Mjafton mos bëhet qëllimshëm, që sigurisht nuk është bërë, pastaj të tjerat janë budallalliqe : jo ndërrova diskun jo nuk e pashë!

Pa pikë vlere! Gjëra që rregullohen. Nuk na është kërkuar kaq shumë herë falje për një gabim njerëzor. Indianët e hodhën gabim anijen kozmike dhe kryeministri i tyre atje i pranishëm në sallën e komandimit u tha : Mos u mërzisni, herën tjetër!

Por kur shoh Presidentin e vendit tim që paraqitet për hetim te një komision Kuvendi, që të hetohet, ky është turp! Kjo është damlla.

Luani jo hymnin, bjeri sazeve o Usta!
Bjeri daulles edhe ti o Cirak!
Luani këngë ciganësh!

Cfarë turpi!

Unë mund të mos jem në shumë gjëra dakord me Presidentin, Kryeministrin, a me këdo tjetër në opozitë! Por, nuk kam asnjë dëshirë t’i përdhos se përdhosem vetë!

Në ka bërë gjëra ta hetojë institucioni që heton, një më një, si çdo qytetar. Por ta hetosh sepse anulloi farsën e 30 qershorit është një turp i madh!

Cfarë të hetosh! Aty cdo gjë është e qartë!

Partitë ta gjejnë me njera tjetrën!

Ne qytetarët, socialistë a demokratë a pa parti si puna ime, që votoj herë këtej e herë andej si më duket më mirë, a nuk votoj fare, nuk duam farsa me një parti, me një kandidat!

Ato nuk ishin votime!
Mirë bëri që i anulloi!

Në mos komisioni hetimor të marri në pyetje edhe 90 përqind të shqiptarëve që me mosvajtje ruajtën dinjitetin e tyre!

Dhe nuk vajtën jo sepse ishin me partinë demokratike sikurse gabon ndokush, as sepse donin t’i bënin qejfin opozitës, apo se nuk kuptonin demokracitë perëndimore që janë shpëtim për Shqipërinë dhe sigurinë e saj, apo të përkëdhelnin teke presidenciale.

Nuk vajtën sepse njësoj si Presidenti mendonin, mendojnë, së paku unë mendoj që ata mendojnë që 30 qershori ishte një plagë e rëndë që mori shteti shqiptar dhe demokracia shqiptare që duhet riparuar sa më shpejt!

Do hetojnë deputetët militantë atë që ka dënuar partia e tyre! Pse hetim objektiv, i pavarur, i drejtë është ky?

Kur do të vijë drejtësia e vërtetë në këtë vend!

Mezi po pres SPAK-un në është siç më premtojnë se do të jetë që të ndahet shapi nga sheqeri.

Përndryshe o shqiptarë mirëpafshim në shekullin e 22 – të!

Share: