TARGA 11 11

Analizë Opinion

Nga Frrok Çupi

Makina u ndez sapo ranë dy pika shi. Deri atë sekondë, nga dyert e hapura po dilte një muzikë e tmerrshme dasmash, në kupë të qiellit. Dikush iu kërkoi me përulje ‘a mund ta ulni pak, o vëllezër’ dhe ata u treguan ‘të mirë’. Më dëgjuan mua që ulërita me zë të ulët ‘o zot, se na çmenden’ dhe ata u ngrefën prapë: ‘… Ngrijë muzikën, ngrijë!’- urdhëroi njëri. Mund të shkonte edhe më keq, por mes tyre u ndodh një grua e shëndetshme dhe e veshur në shkëlqim, e cila ua ktheu dorën…

Makina Mercedes- Benz, luksoze, e madhe  dhe e viteve të fundit, me targa AB 11 11 AA, mori rrugën teposhtë Dajtit, nëpër atë pak shi. Megjithëse targa 11 11 më jep përjetësisht ndjenjën e neverisë dhe të pamëshirës, prapë mu bë sikur mjeti i fuqishëm, ardhur nga Gjermania, kushedi sa ka hungëritur për t’u ngjitur deri në malin e  Dajtit. Ishte kjo e diela e kaluar; disa grupe familjarësh me fëmijët kishin gjetur nga një copë lëndinëz për t’i shpëtuar makthit të izolimit në Tiranë. Muzika e dasmës që bubullonte nga dyert e makinës na bëri të urrejmë edhe malin, edhe vetë Zotin që ndoshta ndodhet mbi mal. Thanë pastaj se ishte makinë e Prokurorisë së Përgjithshme, por këtë as e mohoj as e pohoj dot, mund të jetë pasaktësia e rrallë apo e vetme e shënimeve të mija publike.

Targa ‘11 11’ iu përket gjithmonë njerëzve të dhunës, shtetit vulgar, vetë djallit: O të fortëve në shtet, o të fortëve në mafie, o të fortëve në idiotësi. Nëse do të kujdeseni për jetën, largohuni nga makinat me targë ‘11 11’. Ky vend ku jetojmë nuk ka hapësira të lejuara e as të ndaluara. Edhe të fortët, edhe kriminelët, edhe idiotët, kanë të drejtën e tyre. Por kur secilit i lejohet të hyjë në fushën e secilit, atëherë pse të themi se ‘jemi njerëz’, aq më pak njerëz të lirë…

Kam një jetë që nuk pajtohem me ‘njeriun Numër’, sidomos kur ky është ‘Njëshi’. Diktatura komuniste e kishte kthyer njeriun në numër, por së prapthi; që nga i burgosuri politik deri te anëtari i Byrosë- secili ishte thjesht numër. Demokracia nuk bëri asgjë, veçse bëri të njëjtën gjë dhe e pajisi ‘Njëshin’ me armë të forta… Kjo kohë fundore izolimi prej ‘murtajës’, kjo kohë më bën të mendohem ‘nga çfarë izolohemi?’. Luajmë teatrin absurd; izolohemi nga ‘i padukshmi’, ndërsa lirinë na e merr ai i identifikuari,  ‘njeriu numër’ që vdes të tregohet se është ‘Njëshi’. Në vend që Njëshi të jetë numri më i vogël e më i pa vlerë. ‘Njëshi zero e fyell/ Njëshi send i kotë’, shkruante Majakovski.

Kam një jetë që protestoj, me vete dhe në publik, kundër ‘Numrit të dhunshëm’. Shteti ‘demokratik’ i ka pajisur qindra njerëz me numra ‘njëshi’; dhe kjo duket se ose u bën lëshime të fortëve, ose i lëshon të fortët në shesh e në park si shëmbëlltyrë të shtetit. Shteti i shet shtrenjtë targat e dhunës: 11 11, 66 66, 99, 99, etj… Në kampet naziste ku digjeshin njerëz, secili kishte një numër, por pa ndonjë rëndësi- njësoj si në komunizëm.

Kjo ka ndodhur.

Ka qenë viti 1996; edhe atëherë- me numrin ‘1’. Makina e madhe Mercedes- Benz, makina më luksoze e Shqipërisë- në radhë pas makinës së Enver Hoxhës- na kaloi te këmbët në krye të ‘Rrugës së Dibrës’ dhe gati na hodhi përtej. Ç’të bënim? Pashë vetëm targën, u nisa për në redaksinë e gazetës dhe shkrova shkrimin ‘Gangsteri 001’. Shkrimi u duk sikur shembi ‘Demokracinë’. Presidenti i Republikës që ishte bërë gati të binte, e kishte mbledhur tërë forcën te numri ‘001’. Shteti ra, por megjithatë asgjë nuk ndryshoi; pas një viti shteti dogji gazetën  ‘KJ’ ku u botua shkrimi, dhe asgjë tjetër.

Numri ‘fatal’ e ka ndjekur shtetin demokratik. Edhe kur nuk është, numri shpiket si aksesor dhune. Ka dy muaj që politika, mes dy krahëve grindet mbi numrin e të vdekurve nga virusi; njëri numër është i dukshëm, numri më i madh është i dëshiruar. Numërimi i vdekjes bëhet për të dominuar të gjallët për t’u marrë pushtet. Prapë njeriu- numër edhe në hijen e vdekjes. Vetë kryetari i PD, opozitë, grah makinën Mercedes- Benz me targë AA 11 11 EN. Kushedi pse i duhet, për t’u fshehur apo për t’u dalluar?!

Nganjëherë këta adhurues të ‘numrit të frikshëm’ më duken si rrospia që zbresin në qytet dhe nuk kanë çfarë ‘shesin’ tjetër veç numrit. Nganjëherë më duket e frikshme, si në kartelet e drogës në Meksikë e Kolumbi: Bossi vjen e viziton parcelat e prodhimit të ‘mallit’, por nuk mund ta njohin të gjithë skllevërit. Atëherë nxjerr armën dhe vret katër a pesë; të tjerët e mbajnë mend për herën tjetër. Nuk ka shumë ndryshim nga numri. Targa ‘11 11’ e politikanit vjen te njerëz që tremben prej targës, por nuk njohin njeriun që do t’u bëhet “bossi’.

Por jam çuditur, pse ndodh këtu te ne?! Ne jemi një komb evropian dhe në kufi të Evropës politike. Atje (dmth., shumë afër nesh)  është turp të mbash ‘targa’ speciale, të të shkëlqejë kostumi, të ulërish mes fëmijëve e familjarëve, të ndotësh në mal, të rrosh në vila me paratë e popullit, të gjuash me armë mes karteleve të krimit…

Ku po shkojmë me këta ‘numra’? Duket sikur kushedi çfarë,  por po shkojmë në dështim.

veritas.com.al

Share: