Krimet e Rënda dhe Shërbimi Informativ Shtetëror bëhen pjesë e hetimeve për zhdukjen misterioze të biznesmenit turk, Sevgin Yavuz në ujërat territoriale shqiptare.
Dy ditë më parë një peshkarexhë, e cila kthehej në portin e Shëngjinit njoftoi se afro 11 milje nga Rodoni kishte pikasur një jaht, por pa persona në bord.
Për herë të fundit, kjo anije është regjistruar në portin e Tivarit në Malin e Zi, aty ku Yavuz ka qëndruar për disa ditë dhe në datën 2 shtator është larguar prej aty.
Sinjali i fundit është regjistruar 17.42 minuta në afërsi të Budvas, ku dhe më pas komunikimi i tij me radar është fikur. Ai nuk ka pasur në itinerar Shqipërinë por jahti i mbetur i fikur dhe pa drejtues është zhvendosur nga erërat drejt vendit tonë.
Dyshimet e para të hetuesve lidhen me një ngjarje aksidentale por itinerari i përshkruar nga biznesmeni ka shtuar edhe pistën e një eleminimi nga grupe kriminale të përfshira në një trafik droge.
Disa gjurmë të gjetura në brendësi të jaht-it si dhe disa dokumente, mes tyre pasaporta e shtetasit turk do të analizohen për të kuptuar në qoftë se ai ka qenë i vetëm apo jo.
Një tjetër detaj që ka bindur hetuesit për thellimin e këtij hetimi është fakti se anija s’ka asnjë defekt teknik dhe po ashtu ishte e mbushur me karburant për një udhëtim më të gjatë se Shqipëria.
Ndërsa ndër udhëtimet e fundit të këtij jahti rezulton se janë disa porte italiane dhe porti Tivar në Mal të Zi.