Gjigandi gjerman i prodhimit të automobilave, BMW, ka prezantuar makinën e saj më të sigurt të momentit.
Nëse kërkoni një automjet luksoz dhe me siguri maksimale, madje për të kaluar edhe në terrene të rrezikshme, BMW propozon modelin më të ri X5 Protection VR6.
Me të gjitha ndërhyrjet e duhura në sistemin e sigurisë, kjo fuoristradë i reziston edhe plumbave të kallashnikovit AK-47. Jo vetëm kaq, por pjesa e sipërme është rezistente edhe ndaj sulmeve që mund të kryhen me dron.
Përveç armëve të zjarrit, BMW X5 Protection VR6 mund të përballojë edhe shpërthimin e 15 kg tritol në një distancë prej 4 metrash.
Në sediljet e pasme ku bëhet lidhja me bagazhin, është krijuar një ndarje dhe është vendosur një xham antiplumb.
Dritaret anësore janë 3 centimetra të trasha, kurse në dyer janë vendosur panele mbrojtëse që nuk lejojnë depërtimin e plumbave dhe përballojnë forcën e shpërthimit të tritolit.
Sa i përket fuqisë motorike, ky automjet është 4400 kubikë me motor V8 twin-turbo që gjeneron 523 kuaj fuqi.
Nga 0-100 kilometra arrihet për 5.9 sekonda për shkak të peshës së rëndë, kurse shpejtësia maksimale është 210 km/h.
Në panelin e kontrollit ka një sërë opsionesh që lidhen me elementët e sigurisë, kurse në pjesën e jashtme janë instaluar edhe artopalantë që lejon personat brenda mjetit të flasin me ata jashtë.
Nuk ka ende detaje për çmimin e kësaj super-makine, por me siguri që do të jetë 6-shifror.