Turizmo Katalizmo

Analizë Opinion

Nga Rezart Prifti

U mbyll dhe ky sezon veror si çdo vit me brekë nëpër këmbë. Në kërkim të shëllimit në brigjet tona nuk gjen dot njeri që ta bëj rehat këtë punë. Janë po të njëjtat probleme si përherë: mungesë kushtesh të tipit nuk ka nevojë për kondicioner se natën bëhet ftohtë, kafshëri në shërbim e tipit prit dy orë të vijë dreka e mos bëj zë, çmime të pajustifikuara nga ndonjë logjikë tregtare të tipit 4 euro një briosh, matrapazë që uzurpojnë bregdetin dhe muzikë tallava gjithë ditën, pisllëk dynjaja e tipit ha e hidh aty, motorra uji me kalamaj të neveritshëm sipër, mungesë rendi, etc.

Po kjo pune si çdo punë tjetër qelbet nga koka. Mendësia e kalbur e qeverive tona në menaxhimin strategjik të turizmit është reflektuar prej dekadash. Kjo është një punë ku makutëria e shtetarëve, miopia e politikëbërësve dhe injoranca e përgjithshme kulturore ka prodhuar këtë gjendje që nga politikë-bërja tek promovimi i turizmit.  Që te reklama ndërkombëtare që ka qenë përherë një cfamë e frikshme që nuk ka kompani marketingu në rang botëror ta mendojë. Ata, qoftëlargët që ishin para këtyre e nisën me budallallikun “vizitoni vendin e fundit të virgjër të Evropës“, me pak fjalë çvirgjërojeni se kjo është veçantia. Këta qoftëlargët e sotëm pasi provuan banalitete ku tregonin male, se a thua vetëm ne kemi male, lumenj se a thua vetëm ne kemi lumenj dhe detin se a thua vetëm ne kemi det, ja plasën me reklamën famëkeqe të stereotipit shqiptar të hajdutit, horrit, e mafjozit. Përpos faktit që këtu na e ka fajin përherë bota dhe ne jemi të kulluar, imagjino një reklamë me debila që i tregon botës që ne nuk kemi vetëm Marko nga Tropoja por ne të marrim peng për mirë… Liam do ketë ndjerë aq turp sa ne…! Imagjino një turist që ka për të marrë vendim se ku do iki me pushime dhe ka përpara tre alternativa: një reklamë me dy goca me bikini në Brazil, një reklamë me kulturë, histori dhe nje brunette fine në Itali si dhe 4 fytyra të vrara burrash zamani në Shqipëri që përpiqen ti tregojnë që ne nuk jemi horra. Pra edhe në reklamë turizmi ne prap do merremi me të keqijat dhe komplekset tona. Unë personalisht do zgjidhja Brazilin… Budallalliku me butaforinë e përparimit vazhdon me historinë e turpshme të njëqind milionë turistave që hyjnë në Shqipëri. E nisën ata qoftëlargët e parë dhe e vazhdojnë këta derdimenët e sotëm. Kur qeveria që një muaj më parë deklaronte se kishin hyrë mbi një milionë turistë dhe papritur ju tek naltmadhnisë për të prodhuar lajm, kapën gocën e huaj, e cila ishte shumë e vogël për atë punë dhe e bën pishtar si turisten e një miliontë në Shqipërinë e Markove nga Tropoja. Përpos budallallikut banal me turizmin, kjo qeveri e ka një fetish me fëmijët.

Megjithatë, kënga në modë e kësaj vere ishte kënga e Mihalit. Edhe si përherë u desh të ishte një i huaj që dhunohej, ose të na e thoshte një i huaj, ose të na këndojë një i huaj, ose të na molloisi një i huaj që të verë vesh dynjaja. Se po të jetë për ne këtu, ore të vdesim në maj të skelave e nuk pyet njeri. Ju turrën Mihalit të dalldisurit si miza kalit. Se po të kishte Mihali i shkretë atë vendin në Dhërmi ku kokaina del me okë, armët janë bërë si në Wild West dhe ndërtimi nuk ka leje fare e jo më në proces legalizimi i kishin ardhë anash, e për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër.

Ky vend është plot me Mihal dhe konsumatori shqiptar është i pambrojtur në të gjitha format nga këta derdimenë, sepse për konsumatorin shqiptar që punon gjithë vitin në vendin e çudirave nuk pyet njeri, nuk do t’ja dijë njeri, e u bë kohë që nuk ja ndjen njeriu. Po çfarë bëri shteti në rastin e Mihalit? Vajti i rrafshojë pasurinë! Heu bre, po pse kështu u zgjidhka kjo punë?! Është individi, pastaj biznesi, e në fund shtetiNë zulullandin tonë shteti është i pari se jemi mësuar që përpos të gjithave çdo gjë t’ja kërkojmë atij, por llogari asnjëherë atij. Ndaj dhe ky shtet nga dhunues historik që ka qenë, ka kaluar ne stadin e përdhunuesit periodik.

Mihali ishte barbar, mirëpo duhet ndarë Mihal barbari nga biznesi si parim. Në dekadën e fundit zotëria kishte ngritur një biznes me sipërfaqe 2000 dhe në të kishte shumë të punësuar në restorant, bar, hoteleri, peshkarexhë, etj. Zotëria kishte operuar në paligjshmëri si në kohën e këtyre tani dhe në kohën e banditëve atëherë. Si nuk pyeti njeri si ndodhi kjo punë kështu? A pyeti shteti para se ti vinte rruspën, ore ky zotëria i ka korruptuar të gjitha palët, si atëherë si tani? Ore pyeti ky shtet para se ti vinte rruspën, si bëhet kjo punë kur është në proces legalizimi kjo ndërtesë? Ore pyeti ky shtet, çfarë impakti ekonomik do ketë rrafshimi i kësaj gjëje para se ta rrafshoj? Ore a pyeti ky shtet se pse nuk lëshon njeri kupon tatimor në menyre ekstreme pas skemës së famshme te TVSH së reduktuar për turizmin? Jo, dhe jo, dhe jo! Shteti ynë nuk pyet!

Shteti ynë nuk pyet dhe nuk i kërkon llogari vetes para se të rrafshojë TY! Nuk mori mundimin të thoshte kush është përgjegjës për paligjshmërinë e këtij zotrisë?! Të shkarkohet dhe të ndiqet penalisht gjithe zinxhiri vendimmarrës dhe kontrollues shtetëror që e ka lënë këtë në paligjshmëri, qoftë kjo: bashki, agjenci bregdeti, angjenci bregleshi, IKMT, polici, e mavri.

Nuk mori mundimin një specialist shteti të thoshte prit ore se është i nevojshëm një vendim gjykate se është në proces legalizimi. Jo, as nuk tha e as nuk pyeti njeri! Po si nuk bëri njeri një analizë impakti ekonomik të prishjes së subjektit dhe vlerësim rrethanor si e bën bota? Jo as këtë nuk e mori njeri mundimin ta bënte. Po një analizë se pse pas çdo skeme që merr ky shtet më keq bëhet? Si ka mundësi që pas TVSH së së reduktuar të turizmit efekti ishte komplet i kundërt, i ktheu operatorët e bregdetit 20 vjetë mbrapa deri në pikën që jo vetëm kuponi nuk njihet por dhe çmimet janë pa justifikim sa frëngu pulën?

Shtetit tonë nuk ja ndjen për njerëzit, nuk ja ndjen për bizneset, nuk ja ndjen për turizmin. Shteti ynë nuk pyet por të rrafshon, shteti ynë nuk njeh gjykatë por të fshin, shteti ynë nuk njeh ekspertizë se është injorant.

…Po shtetin kush e rrafshon

Share: