Tabaku fakton përkeqësimin e ekonomisë: PPP-të e rëndojnë shumë ekonominë, kanë rritur borxhin publik me 83%

Aktualitet Ekonomi Kryesore

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka trajtuar sërish çështjen e PPP-ve, ndërsa shtron pyetjen se nëse ato janë apo jo një borxh, i cili do të rendojë në fund mbi kurrizin e qytetarëve.

Ajo thotë se kontratat e nënshkruara janë me kosto të fryra dhe përzgjedhja e fituesve është bërë në shkelje të procedurave ligjore duke iu dhënë benefite firmave, që janë të lidhura dhe mbështesin qeverinë Rama.

Postimi i Tabakut:

A janë PPP-të borxh? Përballë fakteve kushdo duhet të dorëzohet pasi ato janë kokëforte. Aq më tepër kur flasin për financat publike dhe tregojnë se si borxhi I lartë prej 83% të PBB-së sjell rritjen e taksave për bizneset dhe qytetarët.

Gjatë këtyre 6 viteve Partia Demokratike ka folur për shumë afera korruptive dhe ka bërë shumë denoncime për ekonominë. Në kuadrin e tyre vjedhja me PPP mund të konsiderohet si skema më korruptive, keqbërëse dhe me ndikim më afatgjatë më ekonominë e një vendi që mund të ketë ndodhur ndonjëherë!

Jo vetëm pse kontratat janë me kosto të fryra, janë dhënë kompanive të lidhura me qeverinë, janë dhënë në shkelje të plotë të çdo procedure ligjore por këto kontrata janë duke e futur vendin më një rrezik fiskal dhe financat publike në një rrezik të paprecedentë për borxhin që po kontraktohet! Sot këto kontrata arrijmë vlerën e 2,2 mld euro!

Dy vjet më parë Partia Demokratike prezantoi më kuvend amendamente për buxhetin ku kërkohej që kontratat e PPP të llogariteshin në borxhin publik!

Si atëherë edhe tani Ministria e Ekonomisë dhe Financave gënjen publikisht në lidhje me Borxhin Publik dhe koncesionet. Në bazë të standarteve të Kontabilitetit ESA 2010 buxheti duhet të shoqërohet me një Footnote për detyrimet që do të ketë qeveria ndaj koncesionarit. Në standardin e IPSAS 32, koncesionet duhet të njihen si borxh në momentin që lidhet kontrata koncesionare, duke reflektuar kështu detyrimin e qeverisë,këto dy kritere dhe standarte të kontabilitetit duhet të detyrojnë Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave që të përllogarisë PPP-të si Borxh Publik. Kjo do të sillte kapërcimin e borxhit publik në 83% të PBB-së.

Mirëpo qeveria e interesuar që të mbulojë diellin e borxhit me shoshë ka vendosur që të paraqesë alibi në kurriz të së vërtetës. Mjafton të kujtojmë që kur opozita fliste për rritjen e borxhit publik, qeveria fshihej pas emrit të FMN-së për të deklaruar se ajo nuk po kritikonte PPP-të. Por kur FMN deklaroi se PPP-të përbëjnë rrezik për buxhetin e shtetit dhe “Gjithashtu risqet fiskale janë rritur edhe nga rritja e detyrimeve të kushtëzuara, siç janë ata që lidhen me PPP.” Qeveria nisi të kryente disa “ndryshime” që më shumë qenë makiazh.

Raportet e shumta ndërkombëtare nga ato më të specializuara si FMN apo të BB-së e deri tek raportet e Komisionit Europian dhe DASH faktojnë rrezikun real që PPP ka për buxhetin. Të gjitha këto raporte nxjerrin zbuluar ministrinë që në fillim arsyetoi se nuk janë shqiptarët që paguajnë PPP-të por buxheti i shtetit, pastaj u justifikua se nuk mund të ishin borxh publik kontratat me miliarda lekë që shpërndahen në xhepat e oligarkëve.

Mjafton të shohim disa nga kontratat e PPP për të kuptuar kushtet e pafavorshme që ka buxheti i shtetit. Sipas një studimi të Intelligence Unit simotër e revistës The Economist, Shqipëria është ndër vendet e fundit në rajon në lidhje me maturimin e kontratave koncesionare, të cilat janë të pastudiuara dhe të pamatura dhe të gjitha me oferta të pakërkuara. Është turp që në Shqipërimë e 2019 të mos ketë shteti një studim të vetëm por të bazohet në projektet që sjell privati! Vetëm kaq do të mjaftonte për të kuptuar gënjeshtrën e madhe që po ushqen qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

Shembullin më të mirë se pse këto kontrata janë borxh janë vetë dokumentet e paraqitura në këto kontrata. Le të shohim dy raste që janë diskutuar gjatë: kontrata e rrugës Milot-Balldren dhe ajo e shkollave në Tiranë. Në të dyja kontratat vetë qeveria shprehimisht thotë se biznesi konsiderohet që po i jep borxh shtetit dhe për këte risk do të angazhohet qeveria që t’u ofrojë mbulimin e riskut. Në rastin e shkollave me PPP që ndërtohen në Tiranë kosto e tyre është 54 mln euro por qeveria paguan 70 mln euro pasi I mbulon riskun e dështimit biznesit. E njëjta logjikë zbatohet edhe në kontratën e rrugës Milot-Balldren , ku jashtë çdo arsye ekonomike shteti I del garant riskut të biznesit duke I paguar 296 mln euro për një projekt me kosto 100 mln euro!

Një skemë e ngjashme ndodh edhe në PPP e inceneratorëve ku qeveria megjithëse do t’I paguajë 178 mln euro kompanisë kontratat e saj me Bashkinë e Tiranës dhe cdo institucion publik e detyrojnë të paguajnë kompanisë e Klodian Zotos dhe miqve të tij 29 euro/ton nga buxheti i qytetarëve të Tiranës. Pra miliona euro shtesë mbi kontratën multimilionëshe që nuk janë vetëm se taksat e qytetarëve që shkojnë në xhepin e oligarkëve.

Ajo çfarë Ministria e Ekonomisë dhe Financave përpiqet të fshehë është pikërisht ky skandal. Si ministri paraardhës dhe ministrja aktuale e kanë të qartë që nëse PPP do të kategorizoheshin si Borxh Publik, sikundër e kërkojnë dhe standartet kontabël, fabula e PPP-ve që nuk paguhen nga taksat e shqiptarëve do të bie një herë e mirë. Mirëpo ajo çfarë nuk shmangin dot qeveritarët është rritja e vazhdueshme e taksave si dhe shpikjet e tarifave për të mbajtur në këmbë një shtet të shkërrmoqur nga vjedhjet me PPP.

Skema me 2,2 mld borxh që është një buxhet jashtë buxhetit, së bashku me skemën e korporatës të investimeve janë dy vjedhjet më të mëdha dhe dy skemat më tinëzare që ka inxhinieruar kjo qeveri dhe kryearkitekti djallëzor i saj, Rama!

Share: