Partia Socialiste tërhiqet nga ideja fillestare për të emëruar një n/kryetar bashkie në Shkodër. Prefekti ka thirrur nesër mbledhjen për konstituimin e Këshillit Bashkiak dhe zgjedhjen e organeve drejtuese; zgjedhjen e përfaqësuesve të Këshillit të Bashkisë në Këshillin e Qarkut Shkodër dhe shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë Shkodër.
Burime të sigurta pranë Partisë Socialiste, konfirmojnë për ABC News se këshilli i ri, do të vendosë për dy nga tre pikat e rendit të ditës, por nuk do të zgjedhin një zëvendësues për Voltana Ademin.
Të njëjtat burime, konfirmojnë se Këshilli Bashkiak nuk mund të zgjedhë një kryetar të ri, pasi nuk ka fuqi ligjore as të konstatojë përfundimin e mandatit të Ademit e as vakancën për kreun e ri të institucionit. Këtë situatë juridike, ligji nuk e ka parashikuar, e për pasojë, Voltana Ademi do mbetet në detyrë.
Kujtojmë se vetëm një ditë më parë, mediat kryesore në vend raportuan se PS-ja ka në plan në caktojë një n/kryetar në Shkodër. Sakaq demokratët paralajmërojnë protesta.