Kjo nafta jonë e abuzuar përbindshëm!

Analizë Opinion

Nga Fatos Çoçoli 

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi ndërmarrjen shtetërore të naftës sonë, AlbPetrol, mëton se nga testimi i puseve te një kontraktor privat (kompani që ka marrë leje nga shteti ynë për të shfrytëzuar vendburimet tona të naftës nëpërmjet një marrëveshjeje-tip që quhet marrëveshja hidrokarbure), testim i zhvilluar në periudhën qershor-korrik 2018, janë konstatuar probleme. Audituesit e KLSH kanë gjetur se për atë periudhë dymujore, prodhimi i naftës ka qenë në sasinë 30 mijë e 226 tonë, ndërsa raportimi për muajt qershor-korrik 2018 vetëm 25 mijë e 267 tonë, me diferencë 4 mijë e 959 tonë ose rreth 20 për qind.

 

Pra, një e pesta e naftës e padeklaruar, në shkelje flagrante të marrëveshjes hidrokarbure. Sipas KLSH, kompania jonë shtetërore AlbPetrol është mjaftuar vetëm me konstatimin e ngjarjes. Si qytetarë, ende nuk dimë ç’u bë me gjobën 120 milionë euro të vendosur në qershor 2019 ndaj kompanisë kryesore private që shfrytëzon naftën tonë. Në bazë të hetimit të ndërmarrë nga strukturat tona doganore për veprimtarinë e saj gjatë viteve 2014-2018. Në këtë periudhe, kjo kompani ka shmangur të paktën 30 milionë euro detyrime te akcizës për lëndën e parë, që përdoret në prodhimin e naftës bruto.

Bëhet fjalë për akcizën e një karburanti gjysmë të gatshëm, i njohur me emrin solar, i cili përdoret për të holluar naftën bruto. Kompania private i ka shmangur 30 milionë eurot akcizë përmes solarit të prodhuar nga Armo në rafinerinë e Ballshit. Mbi këtë detyrim të paarkëtuar është zbatuar edhe gjoba trefish prej 90 milionë euro, siç parashikon ligji i procedurave tatimore. Duke e çuar shumën totale që duhet të paguajë kompania në 120 milionë euro.

Ende nuk dimë çfarë ka bërë kompania private. Ka paguar gjë? Asnjë nga qeveria nuk është në gjendje ta thotë. Sikur bëhet fjalë për 120 euro! Dimë se pesë vite më parë ish-kompania kanadeze që shfrytëzonte naftën tonë, e regjistruar në ishujt parajsa fiskale, detyroi qeverinë tonë t’i kthente të 56 milionë eurot e ngrira prej saj nga gjetjet e strukturave tona tatimore për fshehje detyrimesh tatimore nga kompania. Pas një marrëveshje ende jo mirë të sqaruar për qytetarët. Një gjetje tjetër e Kontrollit të Lartë të Shtetit në auditimin e mësipërm tek AlbPetrol është se nga nënshkrimi i gabuar i një marrëveshje hidrokarbure në vitin 2004 me një kompani të huaj të regjistruar në parajsën fiskale Ishujt Kajman (regjistruar vetëm dy muaj përpara nënshkrimit, duke mos plotësuar fare kushtet teknike, financiare, njerëzore dhe organizative si kontraktor), pjesa e prodhimit që i takonte AlbPetrol sha(pra Shtetit shqiptar) ishte 15 herë më e vogël, në krahasim me një marrëveshje të ngjashme lidhur në vitin 1994.

Si rezultat, nga përllogaritjet e grupit të auditimit të KLSH, shteti ynë ka humbur në të ardhura të munguara afro 440 milionë dollarë!(Vendimi i Kryetarit te Kontrollit te Larte te Shtetit për auditimin në AlbPetrol, pika B.3 “Të ardhura të munguara ne Buxhetin e Shtetit, si rrjedhojë e një vendimi të padrejtë në vitin 2004, të cilat duhet të analizohen”, fq. 40, paragrafi i fundit, http://www.klsh.org.al/web/vendim_albpetrol_2018_web_2_4775.pdf). Në tërësi, auditi i lartë publik thekson se nga kontrolli i realizimit të marrëveshjeve hidrokarbure janë gjetur mospërputhje të theksuara në treguesit ekonomiko-financiarë, krahasuar me ata të parashikuar dhe të miratuar në Planin e Zhvillimit të koncesionit në naftën shqiptare, sipas marrëveshjes. Sistematikisht, kompanitë që kanë shfrytëzuar naftën tonë, në treguesit e tyre ekonomikë, kanë raportuar shpenzime të kryera me tejkalim. Nisur nga këto mospërputhje dhe shpërpjesëtime të vërtetuara gjatë zbatimit të Planit të Zhvillimit, të miratuar qe në vitin 2004 apo 2006, koncesionarët kanë kërkuar në vijimësi rishikimin e programit financiar.

Këto rishikime, të miratuara me papërgjegjësi të plotë(për të mos dhënë gjykime të tjera) nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe ministria e Energjetikës, u kanë mundësuar kompanive kontraktore të paraqesin plane të reja të zhvillimit afatgjatë. Krejtësisht në kundërshtim me pikën 3/a.1 të nenit 5 të Ligjit nr. 7746, datë 28.7.1993 “Për Hidrokarburet” (kërkim dhe prodhim) dhe interesat e shtetit shqiptar në marrëveshjet hidrokarbure. Për një rast flagrant shkelejeje të gjetur, KLSH shprehet se “Pas mbarimit të periudhës së vlerësimit në fund të vitit 2005, kompania kontraktore, paraqiti Planin e Zhvillimit Afatgjatë 25-vjeçar, sipas të cilit faktori R do të ishte më i madh se 1 në fund të vitit 2011. Pra, gjatë vitit 2012 dhe në vazhdim do të merrte nga aktiviteti i saj 50 % fitim edhe Shteti Shqiptar”.

Në të vërtetë, abuzimet e përbindshme në naftën tonë nuk e kanë sjellë asnjëherë koefiçientin (faktorin) “R”(raportin mes të ardhurave dhe shpenzimeve prodhuese të naftës) më të madh se 1! Ndryshimet e qëllimshme të Planeve të Zhvillimit të marreveshjeve hidrokarbure në naftën shqiptare, në funksion të ndikimit në Faktorin “R” ulërasin për një dështim spektakolar në mbikëqyrjen shtetërore të këtyre marrëveshjeve. Për parregullsi në shpënzime duke përfshirë sponsorizime të pamiratuara në koston e rikuperueshme të veprimeve hidrokarbure. Për mungesë verifikimi të kontratave, për miratim të planeve të zhvillimit pa i analizuar dhe shqyrtuar si duhet. Për përjashtime nga TVSH të shpenzimeve në aktivitete që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt në veprimet hidrokarbure për nxjerrjen e naftës. Për parregullsi në përdorimin e holluesit në procesin teknologjik të nxjerrjes së naftës dhe për përjashtimet e Akcizës dhe TVSH-së për këtë qëllim. Për fiktivitet të proceseve të monitorimit të operacioneve hidrokarbure. Shkurt për pasurinë tonë më të madhe kombëtare, arin e zi, lejuar të shfrytëzohet duke u abuzuar përbindshëm dhe duke humbur qindra milionë euro dhe dollarë të larguara padrejtësisht nga arka e shtetit. Do të dalë dikush përgjegjës një ditë për këtë masakër me margaritarin e zi të ekonomisë sonë?

Share: