Intervista e Haradinajt për median gjermane: “Kurrë nuk kam kërcënuar dëshmitarë”

Aktualitet Politikë

Intervistë e kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).

FAZ: Zoti kryeministër, në korrik kur u ftuat si i dyshuar nga Dhomat e Posaçme për Krime të Luftës në Kosovë, ju refuzuat të jepni deklaratë. Për këtë shkak as këtu me gjasë s’do të tregoni se çfarë akuzash u janë bërë atje?

Haradinaj: Hetuesit më thanë se duan të mësonin nga unë më shumë mbi themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rolin tim aty. Me akuza specifike nuk jam konfrontuar. Avokati im i cili ishte i pranishëm me mua, më dha këshillën që as unë të mos përgjigjem në mënyrë specifike.

 

 

 

 

FAZ: Sa ka zgjatur marrja në pyetje?

Haradinaj: Rreth një orë.

FAZ: A prisni aktakuzë?

Haradinaj: Për këtë nuk jam informuar. Jam ftuar dhe kam kryer detyrën time që të shfaqem aty. Çdo gjë tjetër i mbetet vlerësimit të Gjykatës.

FAZ: Në bazë të pyetjeve me të cilat ju kanë konfrontuar, a mund të nxirrni një konkluzë nëse fjala është për të njëjtat akuza që u janë bërë dy herë nga Gjyqi i OKB-së për krime të luftës për ish-Jugosllavinë dhe ku ju si i akuzuar jeni mbrojtur?

Haradinaj: Ajo që mund të them është: Themelimi i UÇK-së dhe roli im në të, në dy proceset e zhvilluara të cilat kanë zgjatur tetë vite dhe lirimi im në të dy këto procese, janë fare mirë të dokumentuara.

FAZ: Ekziston një qëndrim që Gjykata Speciale është një instrument me të cilën provohet që politikanët e Kosovës të disiplinohen kur nuk dëgjojnë direktivat e qendrave perëndimore. A e thoni edhe ju këtë?

Haradinaj: Meqë vet kam qenë dy herë i akuzuar para Tribunalit për Krime të Luftës dhe dy herët jam liruar, për mua ishte një befasi e madhe që jam ftuar sërish. Nuk është kurrfarë fshehtësie që ndryshimin e kufijve në rajonin tonë, projekt ky i cili nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare është përkrahur, e kam refuzuar si tepër të rrezikshëm. Për këtë shkak edhe them që tarifa prej 100 për qind për mallrat e Serbisë, e vendosur nga qeveria që kam udhëhequr, do të qëndrojë derisa Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës. Duke pasur parasysh këto rrethana, natyrisht që ekzistojnë shumë teori dhe spekulime për atë sesi erdhi deri tek kjo ftesë për mua.

FAZ: Vendosja e tarifës duket që ju ka kushtuar me përkrahjen e Washingtonit pasi që presidenti Trump e përkrah shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës.

Haradinaj: Për konsekuencat e mundshme kam qenë i vetëdijshëm, por kam qenë edhe i sinqertë me partnerët tanë në Washington dhe në Europë, në atë që u kam thënë: ndërrimi i kufijve kërcënon stabilitetin këtu në Kosovë dhe në krejt rajonin. Po kështu është e vështirë që ta hapim tregun për një shtet fqinj, i cili e vë në pikëpyetje ekzistencën tonë dhe na kërcënon. Për këtë shkak në Kosovë ekziston edhe uniteti që tarifa do të mbetet derisa të vije tek njohja.

FAZ: Në Kosovë flitet që edhe presidenti kosovar Hashim Thaçi është ftuar në Hagë, mirëpo ky për dallim nga ju këtë s’e ka bërë publike.

Haradinaj: Kam dëgjuar edhe unë këso spekulimesh gjithandej, mirëpo për këtë nuk mund të them asgjë. Për mua ka qenë e qartë menjëherë që vendin dhe qytetarët duhet t’i informoj dhe duhet të jap dorëheqje. Në fshehtësi apo me marrëveshje të shfaqem para hetuesve për mua ka qenë e papranueshme. Për këtë shkak edhe dhashë dorëheqjen për herë të dytë në jetën time ndërlidhur me akuza të padëshmuara si shef i qeverisë.

FAZ: Me dallimin që në dorëheqjen e vitit 2005 keni pasur aktakuzë, kurse kësaj radhe jeni ftuar vetëm për marrje në pyetje.

Haradinaj: Mirëpo edhe si i dyshuar pa aktakuzë nuk dua të shkojë në Hagë si kryeministër. Këtë nuk kam dashur t’ia ngarkojë shtetit dhe popullit tim.

FAZ: Domethënë dorëheqja juaj nuk ka të bëjë me faktin se koalicioni edhe ashtu rrezikonte të prishej?

Haradinaj: Koalicioni gjendej para shumë sfidave, por ato s’do të kishin çuar në dorëheqjen time. Një ftesë për t’u paraqitur para gjykatës ka një cilësi krejt tjetër.

FAZ: Si problem i proceseve të mëhershme kundër jush konsiderohet fakti se dëshmitarët e aktakuzës kanë humbur jetën në aksidente apo janë vrarë apo kanë tërhequr dëshmitë.

Haradinaj: Më duhet t’ju korrigjoj. Serge Brammertz, kryeprokuror i Tribunalit të Hagës, është përballur me pyetjen e njëjtë gjatë një konference për media në Beograd në vitin 2011, dhe ai është përgjigjur se në rastin tim nuk është vrarë asnjë dëshmitar i vetëm në listën e aktakuzës apo në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Në procesin e dytë në Hagë kundër meje gjykatësit madje konfirmuan se unë kam dhënë urdhër të dëshmitarët të mos kërcënohen. Natyrisht që mbrojtja e dëshmitarëve është përherë temë e rëndësishme në Kosovë – por është qartë e rrejshme që kjo të ndërlidhet me rastin tim. Të gjithë ata që është dashur të dëshmojnë në procese kundër meje, kanë mundur ta bëjnë këtë.

FAZ: Pra, ju nuk do të thoshit se kosovarët që kanë dashur të dëshmojnë kundër ish-komandantëve të UÇK-së, janë kërcënuar në vendlindjen e tyre dhe janë ekskomunikuar si tradhtarë?

Haradinaj: Disa ndoshta janë ekskomunikuar, ndërsa të tjerët krenohen me guximin e tyre. Ka pasur edhe raste kur disa njerëz janë përpjekur të futen në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve në mënyrë që të kenë një jetë më të mirë në vende të tjera. Ata i kanë ofruar bashkëpunim organit të aktakuzës me kushtin që të pranohen me identitet të ri në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Ata kanë shkuar aq larg, saqë kanë dhënë edhe betimin për këtë, por këtë lojë e kanë parë gjykatësit me përvojë. Kjo ka ndodhur shpesh në të kaluarën.

FAZ: Domethënë dëshmitarët potencialë kurrë nuk janë kërcënuar as nga ju, as me urdhër tuajin?

Haradinaj: Nga unë jo dhe nga të tjerët së paku jo me dijen time. Ka pasur një dëshmitar kundër meje, i cili ka vdekur në Mal të Zi në një aksident trafiku me një serb të dehur. Por tek pas vdekjes së tij u bë e ditur se emri i tij gjendej në listën e dëshmitarëve të aktakuzës kundër meje. Unë e kam shprehur respektin për gjykatat përherë duke dhënë dorëheqje si kryeministër kur janë bërë publike akuza kundër meje.

 

Share: