Apoteoza Ekonomike e Virusit

Analizë Opinion

Nga REZART PRIFTI

Në momentet që shkruhen këto rreshta janë 460,304 të infektuar me COVID-19, përveç Kinës, të infektuarit janë në 155 vende të ndryshme të botës. Qeveritë e gjithë botës po kryejnë aksione të pa precedentë dhe duke qenë se për raste të tilla nuk ka protokoll institucione tradicionalisht ortodokse si janë bankat qendrore kanë dalë nga pozicionet e tyre dhe janë bërë pjesë aktive e luftes me “luftën” e padukshme.

Në botë luhatjet ekonomike, bursat, dhe ndërprerja e ekonomisë reale në prodhim ka qenë e madhe. Parashikimi për prodhimin industrial Kinez për periudhën Janar-Shkurt 2020 ishte për një rënie prej 3% krahasuar me një vit më parë, por realisht rënia arriti përtej parashikimit në 13.5%. Shitjet me pakicë ishin parashikuar të binin me 4%, por ranë me 20.5%, investimet mbi asetet fikse, të cilat përbëjnë shpenzime mbi makineritë dhe infrastrukturën, ranë me 24%. Këto të dhëna tregojnë se sa është impakti real në ekonomitë më të zhvilluara në botë.

Të qenit ekonomi e zhvilluar në këto raste ka dhe dizavantazhe. Dizavantazhi është se të tilla ekonomi me mekanizma shumë të sofistikuar tregu, financiar, monetar dhe institucional i japin shpejtë reagimet e çfarë do lloji. Për tu kuptuar më thjeshtë janë si një përcjellës perfekt rryme. Dizavantazhi i dytë është se ekonomitë e përparuara janë të ngarkuara me shumë “emocion”. Kjo do të thotë se reagojnë shpejt ndaj çdo lloje gjesti emotiv, qoftë ky dhe një budallallik në Twiter i dikujt. Pra, po të bashkosh ngarkesën emocionale dhe përcjellshmërine e madhe mund të lexojme qartë karakteristikat e ekonomive moderne që shkarkojnë 25% të bursës brenda një dite nga paniku.

Nga krahu tjetër kemi dhe ekonominë tonë, që vetëm e zhvilluar nuk është, dhe mekanizmat që përmenda më lartë thuajse janë inegzistent. Pra nuk është përcjellëse e mirë e emotivitetit, që do të thotë është fije leshi që nuk përcjell rrymë, dhe nuk ka mekanizma të sofistikuar tregu, financiar, monetar dhe institucional.

Thënë këtë po marr dy ilustrime nga ana teknike. E para, nëse sot në botë fuçia e naftës po tregtohet me $24, një çmim i paparë prej dekadash, dhe në Amerikë po shitet $1 për gallon (3.78541 liter), ndërsa ndikimi në Shqipëri është thuajse i papërfillshëm. Kjo tregon që tregu nuk funksionon, si dhe shteti…

E dyta, në përpjekje për protagonizëm dhe për të ndjekur shembullin e bankave qendrore prestigjoze, Banka Qëndrore e Shqipërisë vendosi të ul normën bazë të interesit medemek për të ndihmuar me likuiditet sistemin.  E para, sistemi jonë nuk i përgjigjet lëvizjes së normës së interesit bazë nga BQ dhe rrjedhimitsh nuk ndikon në politikën e brendshme tonën monetare dhe mbi te gjitha me likuiditetin në treg. E dyta, sipas raporteve sistemi ynë bankar është më primitivi në rajon.

E theksoj, në rajon jo në botë! Që do të thotë se mekanizmat e transfuzionit të likuiditetit në vendin tonë nuk funksionojnë sepse nuk ka treg fleksibel bankar, nuk ka treg financiar, ka ekonomi të konsiderueshme në të zezë, dhe mbi të gjitha ka likuiditet të paprecedentë por që nuk është në sistem. Si përfundim ulja e përqindjes nuk shkon as te konsumatori e as te biznesi.

Megjithatë, të kthehemi dhe një herë te bota e zhvilluar që punon me numra. Kërkuesit në bazë të modeleve ekonometrike argumentojnë se nëse virusi do lejohesh të shpërndahesh atëherë do të shkaktonte 2.2 mln vdekje   vetëm në USA. Sipas projeksioneve, nëse një karantine dy javore dhe tre muaj rrëgjim distancimi  social do të aplikohesh do të parandalonte vetëm gjysmën e numrit të parashikuar për tu infektuar. Për të mos shtuar këtu rritjen e fluksit të njerëzve në institucionet e shëndetësisë, që është dhe problemi më i madh!

Parashikimet tregojnë se me kaq shpërndarje sa ka pësuar virusi edhe nëse do të ndaloheshin masat e marra pas distancimit social ai do të rikthehesh. Ndërsa në Shqipëri ne jemi më të sigurt se nuk kemi numra. E di që duket paradoksale, por holle holle kur bota e zhvilluar kuantifikon riskun e di logjikisht dhe se sa duhet të trembesh. Në rastin tonë nuk kemi kuantifikim risku, ndaj dhe të mos e vrasim mendjen fare se çfarë ka për të ndodhur do ndodhë…

Unë do të rikthehem prap te ekonomia dhe te konteksti boteror sepse ai është meraku më i madh që kam. Avantazhi që kemi me këtë lojë virusi është se për ta luftuar janë gjëra të kuptueshme për tu bërë: laj duart, rri large, mos dil. Nëse nuk  bën dot këto atëhere problemi është yti! Por unë problemin e kam me ekonominë, ose si i thonë amerikanët: “This damn economy is the problem!”

Qeveria Gjermane miratoje një paketë prej $750 miliardë për mitigimin e efektit të kësaj krize, ku $600 miliardë prej tyre do të vendosen në një fond me qëllim mbështetjen e bizneseve ne vështirësi. $50 miliardë do të vendosen për bizneset e vogla dhe të vetë punësuarit duke i kompensuar me pagesa të drejtëpërdrejta deri në 15,000 euro. E pa dëgjuar kjo për Gjermaninë saqë edhe limitin fiskal të defiçitit dhe të borxhit e ngriti për rastin e emergjencës.

Në amerikë nga ana tjetër kemi po marrjen e masave drastike. Pagesa të drejtë përdrejta nga $1200 personi, $367 miliardë program për bizneset e vogla të cilat do të marrin kredi emergjence me kushtin që të mbajnë punonjësit e tyre në punë, dhe $500 miliardë për industritë, qytetet dhe shtetet për projekte infrastrukturore.

Duke marrë parasysh masat e mara nga vendet që i marrim shembull arrijmë të nxjerrim disa pika që edhe për ekonominë shqiptare janë të aplikueshme.  Së pari, shteti duhet të shërbejë si urë likuiditeti ose si burim i momentit të fundit. Si princip në shqipëri është një perceptim gabim që e dallon nga ata që na qeverisin, si dhe ata që i votojnë ata. Këta të parët, shprehen se nuk u be deti kos, ose shteti humbi këtë muaj 75 mln euro. Jo zotëri! Njerëzit dhe biznesi humbën 75 mln euro, shteti nuk ka punuar një ditë për ato! Kjo vjen si rezultat i aksiomës së vjetër punisto-moniste që në jemi në shërbim të shtetit dhe jo shteti në shërbimin tonë. Mos e merr kaq të thjeshtë këtë sepse është mendësi, dhe mendësia është shumë problem!

Së dyti, masat e marra kanë të bëjnë me sigurimin e parasë direkte në duart e njerëzve. Filloi në Gjermani si strategji, më pas në UK, dhe më pas në USA, ku qeveritë paguajnë deri në 80% të rrogës së punonjësve.  Së treti, mënyra më e mirë për të mbajtur sistemin ekonomik është që paratë e dhëna nga qeveritë të mos jepen cash në dorë, por të kalohen nga sistemi i rrogave, pra nga punëdhënësit e tyre.  Së katërti, kriza ka shumë të bëjë dhe varion nga lloji i biznesit. Shitja me shumicë e pakicë, argëtimi, turizmi, dhe transporti janë industri të prekura shumë rëndë ndaj dhe duhen prioritizuar.

Së pesti, ndërkobëtarisht bien dakort të gjithë ekspertët që biznesi i vogël është më vulnerabël dhe në fazë ekstreme dëshpërimi. Së fundi, biznesi i madh ka nevojë për likuiditet dhe jo për garanci fondi pagash minimale.

Këto gjashtë pika më sipër i përmenda për të treguar që kur vijmë të analiza e paketës Rama I, Rama II apo çfarë do llojë emri ka paketa këto gjëra nuk janë marrë parasysh. Nuk merren parasysh në Zululand të tilla sepse ne jemi kontekst tjetër. Ne kemi një qeveri që thotë populli është në shërbimin tim, biznesi gjithashtu, dhe ç’me duhet mua se ç’bej unë!

Këtë thirrje e bëra që në tragjedinë e parë që i ra këtij vendi që nuk e kuptoj kush e mallkon. Në rastin e tërmetit mund të kuptosh që korrupsioni dhe mania e pashpjegueshme për të vjedhur këtu ka arritur nivele sureale të pa shpjegueshme.

Jemi në fund të Marsit dhe nga tragjedia kush u mbulua me dhe u harrua, kujt ju vu një çadër si feste u miklua. Nga fondet e rialokuara të buxhetit për tragjedinë e tërmetit, gjithmonë në letër, në muajt Janar, Shkurt, dhe Mars, asnjë koqe leku nuk e ka parë dritën e diellit. Asnjë projekt nuk u realizua! Pasi u bënë gati të gjitha instrumentet e kontrollit dhe bëhen gati në mënyrë të rrufeshme 77 896 204  mln euro prokurime me emrin “Projektet e Rindertimit”.

Këto janë vetëm për ndërtim shkollash në disa zona si dhe mbikqyrjen e këtyre projekteve dhe dorezimin siç i quajnë këta peshkatarët: “me çelësa në dorë”. Çudia më e madhe që ka habitur me të vogël e me të madh është se këto janë projekte që do bëhen me tendera ndërkombëtar dhe për shuma të tilla të ndara në 7 Lote janë lënë vetem 10 ditë periudhë aplikimi, dorëzim dokumentacioni, dhe dorezim projektesh.

Data e Njoftimit të Tenderit – 17-03-2020, Data e Fillimit të Afatit për Dorëzim Oferte – 27-03-2020. Edhe për të bërë kartën e identitetit të duhet një javë të vish vërdallë për të aplikuar, jo më për të marrë një projekt që mesatarisht i bie 7 deri në 10 mln euro. Të gjitha parimet e transparencës, meritokracisë, konkurencës së ndershme, të hedhura në atë vendin ku nuk thuhet.

Mirë po vijmë te masat e katastrofës tjetër, që si e para nuk ka si të jetë ndryshe sepse mendësia është problem shumë i madh. Kësaj here ministri i thotë se biznesi i madh duhet të përshtatet për kohë lufte! Ndërsa baret dhe restorantet të shesin nga interneti.  Ky është problemi se këta njerëz e shikojnë Shqipërinë nga blloku! Nga blloku e shikonin në atë kohën e qoftëlargut dhe nga blloku e shikojnë dhe tani! Në kohën e bonancës së parasë që ka ekonomia jonë, sistemi jonë bankar, si dhe nga faljet miliona euro nga donatorët dhe EU ne kemi një shtet që është në kulmin e papërgjegjshmërisë.

Përveç faktit se asnjë nga gjashtë pikat teknike të përmendura më sipër nuk është marrë parasysh sepse kur nuk ke mekanizëm të përpunimit logjik nuk ke si e kupton një proces dhe identifikimit e problemit do ta bësh gabim. Në thuajse 300 mln euro paketë stimuli për ekonominë e këtij vendi të vdekur tashmë në komatozë, gjysma e kesaj shume vete për pastrim bilanci të OSHE. Kompanisë më abuzuese dhe më borxhlije në sistemin tatimor të këtij shteti. Gjysma tjetër, ashtu si me tërmetin, nuk egziston në praktikë!

Përpos mendësisë së kalbur, mos kuptimit të realitetit, dhe korrupsionit hashiqar, përpara se ky vend të vejë në pikën ku njerëzit do marrin hanxhare që kanë në shtëpi dhe ndonjë kazmë e të hapin depo dhe magazina duhet që këtë kaq pak ekonomi sa është krijuar nga njerëzit punëtorë ta ruajmë dhe të shikojmë përpara me vizion.

Para se të sygjeroj disa masa duhen patur parasysh dy gjëra të thjeshta. Së pari, një valë falimentimesh ka për të vënë në vështirësi shumë zinxhirin ekonomik por mbi të gjitha njerëzit që do dalin nga tregu i punës. Kjo është e rëndë dyfish, e para sepse zhbën njësi biznesi egzistuese, dhe e dyta sepse koha e rekuperimit të tyre është shumë e gjatë duke marrë parasysh stresin dhe vështirësinë e mobilitetit social. Së dyti, duhet ndërhyrje emergjente në familjet që do kalojnë në mjerim të skajshëm sepse kjo është fasha më e prekur e njerëzve.

Duke patur parasysh çka më sipër një shtet i përgjegjshëm do kish bërë një ndarje në dy grupe interesi. Së pari njerëzit në nevojë të cilëve për minimumi tre muaj duhet tu garantohet minimumi jetik për të shmangur depresionin, ose fatalitetin, ekonomiko social. Tre muaj sepse është minimumi që mund të zgjasi kjo pandemi dhe njerëzve duhet tu thuhet e verteta.

E dyta, është biznesi. Biznesi ka vetëm një hall: LIKUIDITETIN. Ky likuiditet duhet të garantohet nga qeveria dhe jo me skemën alogjike që është propozuar. Sipas ministrit, biznesi aplikon për kredi në masën e rrogave bruto dhe shteti i del garant. Biznesi nuk ka nevojë për këtë llojë mbështetje, sepse nëse nis në atë formë është i falimentuar që në javën e parë.

Por ka nevojë për linjë kredie që mbeshtet të pakten nevojat për cash, përfshirë furnizime, qera, etj., për të paktën një muaj. Pra në rastin më normal kredia duhet llogaritur sa 1/12 e vlerës së xhiros vjetore në mënyrë që të jetë në treg. Ky princip vlen për çdo llojë biznesi: të madh apo të vogël. Pjesa tjetër janë sygjerime teknike: si riskedulimi i pagesës së taksave lokale, riskedulimi i pagesës së energjisë (jo falja), shtyrja e deklarimit të tatim fitimit dhe heqja e parapagimit të tij, etj. Por kur në jetën tënde nuk ke ngritur ndonjëherë qepen, dhe nuk e di çfarë është të paguash rroga dhe të shtosh vlerë në treg, sygjerimet do vijnë si për herë, për Hënën.

Share: