“Në më pak se 3 vjet si President, Xhon Kenedi i dha botës portretin e një Amerike të re, të një kombi me një vizion të gjerë, të gatshëm për të ndihmuar për zgjidhjen e problemeve dhe ruajtjen e paqes kudo.” Lindon Xhonson, gusht 1964
Xhon F. Kenedi (John F. Kennedy) lindi në një familje që do të dominonte shekullin XX në jetën e Amerikës. Ai ishte i biri i Xhozef Kenedit, një nga 16 njerëzit më të pasur të Amerikës të asaj kohe, përkrahës i fuqishëm i Presidentit Frenklin Ruzvelt gjatë programit ekonomik të viteve ‘30. Xhon F. Kenedi lindi në një familje strikte, ku prej secilit pritej të ishte i suksesshëm. Në fëmijëri mësoi të mos tërhiqej para vështirësive, ku të humburit që nuk kishin bërë maksimumin për të fituar nuk gëzonin simpati. Familja Kenedi kishte nëntë fëmijë. Më i madhi i fëmijëve ishte Xho Kenedi, tek i cili i ati mbështeti shpresat fillimisht. Xhozef Kenedi nxiste garën midis fëmijëve dhe Xho ishte fitimtari. Të gjithë fëmijët e shikonin Xho si një lider. Xhon Kenedi ishte fëmija i dytë dhe u rrit duke adhuruar vëllain e tij më të madh. Ai përpiqej ta imitonte atë, të ecte në gjurmët e tij. Kudo ku shkonte Xho, aty ishte edhe Xhoni. Atij i pëlqente të vraponte, të notonte, të luante bejsboll, futboll, të voziste e çdo gjë tjetër që bënte i vëllai i tij më i madh. Herë pas here prindërit inkurajonin diskutime për ngjarjet e kohës. Fëmijët e familjes Kenedi u rritën me pasionin për sportin dhe politikën. Më 1937, Presidenti Ruzvelt e emëroi Xhozef Kenedin ambasador të Shteteve të Bashkuara në Londër. Xhozef Kenedi ishte mik me Kryeministrin anglez Çemberlein dhe me shumë të tjerë në kabinetin anglez. Ai u hapi djemve të tij derën e karrierës politike. Dy më të mëdhenjtë Xho dhe Xhonin i dërgoi nëpër Europë për t’u njohur e për t’i raportuar atij në lidhje me situatën në prag të luftës. Xhon Kenedi shkoi me shërbim në Francë, Rusi, Gjermani, shtetet e Ballkanit, Palestinë dhe Itali. Ai pati rast të shihte nga afër artin e qeverisjes. Mësoi shumë nga ato që pa e që më pas influencuan në formimin e tij të ardhshëm. Xhon Kenedi i ri iu dha përfundimisht politikës.
Lufta e Dytë Botërore plasi më 1 shtator 1939. Një ditë më pas ambasadori Kenedi dërgoi djalin e tij 22-vjeçar në Glasgou, Skotland, të interesohej për amerikanët që kishin shpëtuar nga mbytja e anijes “Athenia”. Gjermanët kishin torpiduar pa asnjë lajmërim anijen angleze, në të cilën ndodheshin mbi 1400 pasagjerë. Kur Xhon Kenedi u kthye në Harvard shokët e tij studentë e shihnin me admirim. Ai kishte marrë pjesë në prologun e luftës botërore dhe qe ndodhur në qendrën e eksplozionit botëror. Fokusi i Xhon Kenedit tani ishin shkencat politike. Ai vendosi të mbronte temën e disertacionit me fokus mbi gabimet në politikën e jashtme të Anglisë dhe të Shteteve të Europës në prag të luftës botërore. Tema u konsiderua nga më të mirat e dorëzuara në Universitetin e Harvardit. I ati, krenar për punën e të birit, gjatë kësaj kohe mbante kontakte të vazhdueshme me të. Ai i dha atij idenë që ta botonte disertacionin në formën e një libri. Xhoni, pas një pune kërkimore shkencore doli me një botim në “New York Times”: “Pse fjeti Anglia?” Xhon Kenedi në studimin e tij shtronte pyetjen nëse do të ishte e mundur për demokracitë të fitonin luftën pa u shndërruar në shtete totalitare. Libri i tij i vogël u bë shumë shpejt libri më i shitur në shkallë kombëtare. Lufta në Europë vazhdonte. Ushtria gjermane po përparonte në mënyrë të pandalshme. Franca ra. Anglia mezi mundi të shpëtojë mbeturinat e ushtrisë së saj në Dunkirk dhe ndodhej nën bombardimin ajror gjerman. Lufta në Europë vazhdonte e hidhur dhe dukej se Amerika do të tërhiqej në konflikt nga momenti në moment. Ndërkohë, i vëllai, Xho Kenedi, la Universitetin e Harvardit dhe u regjistrua në aviacionin naval. Xhon Kenedi që kishte qenë shëndetlig gjithë kohën, nuk mundi ta kalonte dot ekzaminimin fizik dhe nuk u pranua në ushtri. Ai nuk u tërhoq, por provoi përsëri duke shpresuar ta merrnin në marinën detare. Përsëri u refuzua për shkaqe shëndetësore. Refuzimi i dytë e bëri Xhon Kenedin edhe më të vendosur. Ai filloi ushtrimet fizike për t’u fuqizuar dhe kjo e ndihmoi të fitonte. Xhon Kenedi kërkoi menjëherë t’i jepej detyrë luftarake. Në fillim të vitit 1943 ai u dërgua në ishujt Solomon në Paqësorin e Jugut në komandën e PT 109. PT 109 ndërmori me sukses rreth 30 sulme kundër anijeve japoneze deri në mëngjesin e 2 gushtit të vitit 1943, kur gjatë patrullimit u godit nga një destrojer japonez dhe shpërtheu në flakë. Dy vetë nga personeli i anijes u zhdukën pa lënë gjurmë, të tjerë u plagosën e po luftonin për jetën. PT 109 e shkatërruar u mbyt. Xhon Kenedi mundi t’i shpëtojë shokët duke i nxjerrë në një ishull të braktisur, duke notuar në një largësi prej tre milje e gjysmë. Për heroizmin e tij Xhon Kenedi u nderua me medalje. Dikush e pyeti se si u bë hero. Ai u përgjigj: “Shumë thjesht, anija jonë u godit nga japonezët.” Heroizmi i tij për shpëtimin e shokëve të tij të luftës u bë frymëzim për filmin artistik me titull “PT 109″. Për cilindo detyrimi ushtarak mbyllej aty, por me Xhon Kenedin ndodhi e kundërta. Lufta nuk kishte mbaruar dhe ai kërkoi të kthehej sërish në detyrën luftarake, edhe pse në kushte shëndetësore të pafavorshme. U kthye përsëri në detyrë në Paqësor. Në pranverën e vitit 1944 u detyrua t’i nënshtrohej një operacioni në shtyllën kurrizore. Atë fundjavë që po linte spitalin, në gusht ‘44, i erdhi lajmi që vëllai i tij i madh, Xho, ishte vrarë duke fluturuar mbi Belgjikë në një mision luftarak. Avioni i ngarkuar me eksplozion kishte shpërthyer para se të arrinte objektivin dhe trupi i Xho Kenedit dhe ndihmësit të tij nuk u gjetën kurrë. Xhon Kenedi u mpi. Xho kishte luftuar e fituar betejë pas beteje. Xho ishte ideali i tij. Ishte ai në gjurmët e të cilit Xhon Kenedi kishte ecur që në fëmijëri. Xho ishte lider, ishte ai tek i cili familja kishte mbështetur shumë shpresa. Pas vdekjes se Xhosë ai vend u hap për Xhon Kenedin.
Xhon Kenedi ishte vetëm 29 vjeç kur zuri vendin e tij në Kongresin amerikan. Ende me portretin e studentit të Harvardit, Xhon Kenedi ishte tashmë veteran i Luftës së Dytë Botërore, i nderuar për heroizëm. Si gjithë përfaqësuesit më të rinj në qeverinë amerikane, ai provoi anën emocionuese të detyrës së tij dhe, nga ana tjetër, edhe përgjegjësinë e madhe të votës. Xhon Kenedi ruajti mendimin e tij të pavarur edhe atëherë kur ai binte ndesh me atë të përfaqësuesve më të vjetër. Në një fjalim të tij ai do të shprehej që “Kushtetuta na ka bërë partnerë për progresin e jo rivalë për pushtet.” Xhon Kenedi besonte thellësisht në rëndësinë e aktivizimit në jetën politike dhe i pëlqente shumë edhe thënia e Edmund Burkes: “E vetmja gjë që i hap udhë triumfit të së keqes është pasiviteti i njerëzve të mirë”. Vetëbesimi se ai mund të bënte më shumë, se mund të merrte përgjegjësi edhe më të mëdha, ishte rritur. Ai kishte përvojën, gjallërinë, vendosmërinë dhe një shpirt të ri. Më 1952 Xhon Kenedi vuri kandidaturën për senator. Si senator ai u bë një nga figurat më të spikatura të Partisë Demokratike. I pjekur si politikan, Kenedi ishte gati për testime të reja më të vështira dhe ai moment erdhi. Më 20 janar 1961 në një ditë të ftohtë me një erë të akullt, veshur vetëm me kostum, Xhon Kenedi, Presidenti më i ri në historinë e SHBA, mbante fjalën e inaugurimit. Ishte një fjalim i bukur, elokuent, por mbi të gjitha ishte një fjalim që mbeti i paharruar për vizionin e ri që shpaloste. Ishte një betim për paqen në botë dhe premtim pasionant për progresin amerikan. Ai shpalli përpara Amerikës dhe të gjithë botës se tashmë pishtari kishte kaluar në duart e një gjenerate të re, lindur në këtë shekull, të kalitur në luftë, krenare për trashëgiminë e hershme dhe e vendosur për të mbrojtur të drejtat njerëzore në vend dhe kudo në botë. Duke u fokusuar në marrëdhëniet ndërkombëtare ai i bëri thirrje popullit amerikan për të mbajtur barrën e luftës kundër armiqve të përbashkët të njerëzimit: tiranisë, varfërisë, sëmundjeve dhe vetë luftës”.
Në fjalimin e tij të inaugurimit ai hodhi këshillën e tij historike: ”Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet ç’mund të bësh ti për vendin tënd”, duke frymëzuar veçanërisht brezin e ri amerikan. Presidenti më i ri në moshë i zgjedhur deri atëherë, Xhon Kenedi, i solli Amerikës idealizmin dhe eksitimin. Ai thoshte se gjithnjë e kishte frymëzuar shembulli i Xhon Uinthrop, themeluesit të Masaçusets, që kërkonte të ngrinte “qytetin mbi kodër”, ku sytë e të gjithëve do të ishin drejtuar tek ai, me një formë qeverisje të re që do të sillte “kohën e artë” dhe do të ishte model për të gjithë të tjerët. E shoqja, Zhaklinë Kenedi, gjithashtu e re, e bukur, inteligjente, folëse e disa gjuhëve të huaja, fitoi shumë admirues kudo në botë. Ajo e njihte mirë Uashingtonin që përpara se të martohej me Kenedin dhe ishte mësuar me shoqërinë e lartë. Presidenti Kenedi e admironte të shoqen, veçanërisht për kontributin që ajo dha në restaurimin e Shtëpisë se Bardhë. Restaurimi për të nuk do të thoshte zëvendësim i objekteve të vjetra me të reja. Sipas Zhaklinës, ky do të ishte një sakrilegj: “Çdo objekt ka një arsye që ndodhet aty, thoshte ajo. Në shkurt të vitit 1962, Presidenti Kenedi, ashtu sikurse i gjithë vendi, ndoqi me kënaqësi vizitën e kamerës televizive në Shtëpinë e Bardhë të udhëhequr nga e shoqja, Zhaklina. Pas asaj ekspozeje televizive numri i vizitorëve në Shtëpinë e Bardhë u shtua shumë. Dikur, kur kishte folur për projektin e Shtëpisë së Bardhë, Xhorxh Uashingtoni pati thënë që do të dëshironte që “Shtëpia e Bardhë të ishte një vend me simptomat e pallatit, komfortin e një shtëpie dhe simbol i harmonisë së vendit”. Presidenti Kenedi dhe e shoqja e realizuan më se miri këtë ide. Gjatë viteve të presidencës se tyre, Shtëpia e Bardhë u bë më e afërt dhe më e hapur për popullin amerikan. Ai dhe e shoqja, Zhaklina, kishin lidhje të ngushta me figurat e shquara të artit e të kulturës amerikane të kohës dhe s’linin rast pa shprehur admirimin e tyre për ta. Presidenti besonte që roli i artit dhe kulturës kishte shumë rëndësi në zhvillimin e një shoqërie vitale. Shtëpia e Bardhë ishte e hapur për artistët dhe mendjet e ndritura krijuese të çdo fushe. Presidenti emëroi si ndihmës të tij intelektualë të shquar e të rinj në moshë. Në krye të Departamentit të Drejtësisë ai vuri vëllain e tij, 34-vjeçarin Robert Kenedi, përfaqësues i guximshëm i gjeneratës së re, i cili e provoi veten si një mbrojtës i vendosur i të drejtave civile. Amerika e së ardhmes ishte ideali i Presidentit Kenedi. Ai kishte qenë në luftë për vendin e tij, tani po e udhëhiqte atë nga pozita e udhëheqësit botëror. Mirëqenia e Amerikës brenda kufijve të saj, si edhe mirëqenia e komunitetit ndërkombëtar ishte nën përgjegjësinë e tij.
Lindon Xhonsoni ka thënë: ”Në më pak se 3 vjet si President, Xhon Kenedi i prezantoi botës portretin e një Amerike të re, të një kombi me një vizion të gjerë, të gatshëm për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve në botë dhe ruajtjen e paqes.” Problemet e brendshme të vendit ishin pikat e para të programit të tij. Lëvizja për të drejtat civile në vitet ‘60 shënoi një nivel të ri në SHBA, duke u shndërruar në një lëvizje masive. Lufta civile (1861-‘65) i kishte çliruar afrikano-amerikanët nga skllavëria, por ende edhe pas një shekulli ata konsideroheshin qytetarë të dorës të dytë, jetonin e punonin të veçuar nga të bardhët, nuk kishin të drejtën e votës, nuk gëzonin të drejtën e arsimimit etj. Nën drejtimin e vëllait të Presidentit Robert Kenedit, Departamenti i Drejtësisë i mori në konsideratë ankesat e afrikano-amerikanëve për trajtim të drejtë e të barabartë. Në përgjigje të kërkesave më imediate, Presidenti mori masa kurajoze në mbrojtje të të drejtave të popullsisë me ngjyrë, duke kërkuar një legjislacion të ri. Në fjalimin e tij lidhur me këtë vendim, midis të tjerash ai tha: “Kishin kaluar 100 vjet që kurse Abraham Linkolni u dha lirinë skllevërve e ende trashëgimtarët e tyre nuk janë plotësisht të lirë. Ka ardhur koha për këtë komb të plotësojë premtimin e dhënë”. Ai i përcolli kongresit ligjin për t’i dhënë fund kështu diskriminimit racial. Shumë familje afrikano-amerikane e mbanin varur portretin e Presidentit Kenedi në mur, krahas me portretin e Dr. Martin Luter Kingut. Te Presidenti i ri, Xhon Kenedi, ata shikonin njeriun që mbronte të drejtat e tyre. Ai nuk lëshonte pe në ato parime që kishte besuar që kur ishte student, edhe pse e dinte që bindjet e tij mund t’i kushtonin presidencën. Ai luftonte për të fituar. Xhon Kenedi u zhvillua, u rrit në çdo fazë të karrierës së tij politike. “Demokracia është një mënyrë të qeverisuri jo e lehtë. Kërkon cilësi të larta, vetëdisiplinë, vullnet për të sakrifikuar për interesin e përgjithshëm dhe gjithashtu kërkon njohje, dituri”, tha ai në një fjalim të mbajtur në Irlandë. Presidenti ishte i interesuar për imazhin e Amerikës brenda dhe jashtë vendit.
John F. Kennedy, i njohur për sharmin e tij dhe të folurën në publik, është presidenti i parë më i ri, i cili në moshën 43 vjeçare u zgjodh për të drejtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot, amerikanët e kujtojnë atë me dashuri si një figurë frymëzuese dhe një ndër presidentët më të dashur në histori.
Këto janë 10 thëniet më frymëzuese për lidershipin nga John Kennedy:
Për edukimin
“Sa më shumë rriten dijet tona, aq më shumë shpaloset injoranca jonë.”
“Lidershipi dhe të nxënit janë të domosdoshëm për njëri tjetrin.”
“Qëllimi i edukimit është rritja e dijeve dhe përhapja e së vërtetës.”
Për veprimin
“Veprimi ka risqet dhe kostot e tij, por të kushton shumë më shumë të rrish në vend duarkryq.”
“Nuk duhet të negociojmë kurrë nga frika. Por asnjëherë nuk duhet të kemi frikë të negociojmë.”
“Koha e duhur për të rregulluar çatinë është atëherë kur dielli shkëlqen.”
“Ata që guxojnë të dështojnë mund të arrijnë shumë.”
Për aftësitë
“Njeriu është ende kompjuteri më gjenial nga të gjithë.”
Për mundësitë
“Ndryshimi është ligji i jetës. Dhe ata të cilët shohin vetëm të shkuarën ose të tashmen po humbasin të ardhmen.”
“Gjërat nuk ndodhin. Gjërat janë bërë që të ndodhin.”