Shfaqet në Romë filmi: “Koncert në vitin ’36”

Kulturë

Filmi “Koncert në vitin ’36” është prodhim i vitit 1978, që u shfaq në “Casa del Cinema” në Romë në kuadër të festivalit “Albania, Si Gira”. Skenari i filmit shkruar nga Kiço Blushi, regjia nga Saimir Kumbaro dhe muzika mban emrin e kompozitorit Limos Dizdari, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“Koncert në vitin ‘36” tregon për vizitën e dy artisteve shqiptare (këngëtare dhe pianiste) në qytetin e Lushnjës gjatë kohës së monarkisë shqiptare, gjë që tronditi jetën e një qytetit tejet konservator.

Filmi në festival u shfaq me titra në italisht. Rolet në film luhen nga aktorët Manushaqe Qinami, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Bep Shiroka, Roland Trebicka, Gjon Karma, Albert Verria, Mirush Kabashi, Gëzim Kame, Birçe Hasko, Nikolla Llambro, Enver Dauti, Ilia Shyti dhe të tjerë artistë.

Në “Koncert në vitin ’36” një këngëtare e re, Donika, dhe pianistja Eleni nisin një turne koncertesh në qytete të vegjël provincialë duke kaluar me pianon e tyre edhe nëpër fshatra. Dy artistet e reja takojnë shumë mikpritës midis të cilëve popullin e thjeshtë dhe autoritetet lokale që kërkojnë të duken aksidentalë, por që në thelb janë të konfrontuar me njëri tjetrin.

Festivali “Albania, Si Gira”- Italia dhe italianët në kinematografinë shqiptare gjatë dhe pas komunizmit është një projekt i shoqatës artistike “Cultural Pro”, i ideuar nga Fabio Bego dhe organizohet nën drejtimin artistik të Nensi Bego, me bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e të Ambasadës shqiptare në Romë.

 

 

 

Aktiviteti ka mbështetje akademike nga AISSECO – Shoqata Italiane e Studimeve të Historisë së Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe kujdesin e Shoqatës Integra Onlus.

Festivali është përshëndetur edhe nga ministrja e Kulturës Elva Margariti. Ministrja shkruan se përmes këtij festivali filmi shqiptar kapërcen kufijtë. Shfaqjet e filmave deri më datë 7 të këtij muaji do të jenë me hyrje të lirë dhe për çdo film do të ketë diskutime me përfaqësues të kinematografisë shqiptare dhe italiane, si: regjisorë, muzikantë, skenaristë, por edhe historianë dhe studiues që do të udhëheqin publikun në një eksplorim të dyfishtë. Festivali u hap me filmin “Gjeneral gramafoni” dhe në vijim janë të tjerë tituj të kinematografisë shqiptare.

Share: