5 anarkitë sociale të vendit tonë, sipas Fan Nolit (tepër aktuale edhe sot)

Kulturë

Nga Fan Noli

Në vëndin tonë mbizotëron konfuzioni i pesë anarkive.

E para: Anarkia fetare. Katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta: Anarkia sociale. Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është më bej se beu, dhe beu më bujk se bujku.
Kemi një shembull për partinë popullore, e cila sot mbahet në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.

 

E treta: Anarkia morale. Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen, dhe ndërrojnë formë nga dita në ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre, e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha, dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta: Anarkia patriotike. Këtu brënda një dite si për magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si tradhëtorë të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar të shenjtërojnë anë e mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtar e të shikojë interesat e tij, sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesermen të proklamohet si patriot i madh.

E pesta: Anarkia e idealeve. Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit të Buharasë përfyten e përleshen për jetë a vdekje me idealet e gjalla, me elegantët e më të shndritshmet e Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë që rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpusha që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqisësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e se lëshonte, gjersa ja prenë e atëherë e kapi me dorën e mëngjë, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikurse të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i shqisës këta tanët nga kolltuku duhet t’i presësh jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët dhe trupin.

 

Share: