Kryebashkiakët në detyrë të PD takojnë Bashën: Nuk i lirojmë zyrat

Kryesore Politikë

Kryedemokrati Lulzim Basha ka pritur sot në një takim në zyrën e tij kryebashkiakët e PD, për të diskutuar për vazhdimësinë e aksionit opozitar javën në vazhdim. Basha la protestën e artistëve te Teatri dhe iu drejtua në mesditë selisë blu ku e prisnin drejtuesit vendorë. Pas përfundimit të takimit, kryebashkiakët e djathtë deklaruan se nuk do t’i lirojnë zyrat.

Takimi i cili mësohet të ketë zgjatur mbi 60 minuta, është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa në fund kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu ripërsërit i qëndrimin se ai nuk do të dalë nga zyra, ndërsa 30 qershorin e cilësoi nul.

Xhelal Mziu: “Nuk kishte zgjedhje me datë 30. Do të vazhdojmë deri në zgjedhjet e reja. Nuk ka asnjë shans“.

I pyetur nëse do të dalë javën e ardhshme nga zyra kur pritet të konstituohet këshilli i ri bashkiak dhe të betohet kryebashkiaku i ri, Rakip Suli, Mziu dha këtë përgjigje: “S’ka asnjë shans”.

Kolegji Zgjedhor ka shpërndarë mandatet për këshillat në 21 bashki, ndërsa ky proces do të mbyllet deri në javën e parë të gushtit. Nga ky moment të gjithë kryebashkiakët demokratë e humbin mandatin dhe duhet t’i lirojnë zyrat socialistëve të dalë nga procesi i 30 qershorit.

Ndërkohë, burime pranë PD saktësojnë se nuk është vendosur për formën se si do të vijojë protesta, por asnjë prej kryebashkiakëve të PD nuk e njeh 30 qershorin dhe për rrjedhojë ata do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë në shërbim të qytetarëve.

Share: