Nga Enton Palushi
Një nga këto ditë, Tirana mund të gdhihet pa Teatrin e saj Kombëtar. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë ndërmend të zmbrapsen nga nisma e tyre për shembjen e godinës historike të kryeqytetit. Përballë tyre, një grup me aktorë dhe aktivistë nuk do shihen si humbës, por si heronj. Të humbur do jenë qindra-mijëra shqiptarë, të cilët do e kuptojnë atë ditë e në vazhdim se një tjetër zbrazëtirë do të ulet në shpirtin e tyre.
Të shumtë do jenë ata që do vazhdojnë të pyesin se çfarë nuk shkon me botën moderne? Përse jeta duket kaq e pakuptimtë, e mbushur me ankth dhe mërzi? Një nga studiuesit më të njohur në fushën e amnezisë, Francis O’Gorman, thotë se përgjigjja është e thjeshtë: Kemi humbur kontaktin me qëndrueshmërinë e traditave të së shkuarës dhe tani jetojmë në një gjendje të vazhdueshme konfuzioni.
***
A e keni pyetur veten ndonjëherë se cilat nga ndërtesat e qytetit do i mbijetojë kohës pas 100 apo edhe 500 vitesh? Nëse do pyesni autorin e njohur Nassim Taleb, ai thotë se pyetja e parë që duhet të bëni është se për sa kohë ka ekzistuar ajo godinë. Sa më e vjetër të jetë, aq më shumë gjasa ka që të vazhdojë të mbijetojë.
Argumenti i Taleb është i thjeshtë: Vetëm koha është gjyqtari më i rëndësishëm kur bie fjala tek e ardhmja. Në këtë mënyrë, Teatri Kombëtar ka treguar rezistencë ndaj kohës deri në ditët e sotme. Nëse do i nënshtrohej logjikës normale të një vendi normal, mbi Teatrin Kombëtar duhej të zbatohej ai që njihet edhe si Efekti Lindi. “Gjërat që kanë qenë pranë nesh për një kohë të gjatë, nuk plaken si njerëzit, por kanë efektin e kundërt”, thotë Taleb. “Çdo vit që kalon pa u zhdukur, ua dyfishon jetëgjatësinë”.
Sipas autorit të njohur, e njëjta gjë ndodh edhe me librat. Ata që janë në qarkullim prej një shekulli, do vazhdojnë edhe së paku një shekull. Kjo tregon se libri ka vijuar të gjejë audiencë dhe të mbijetojë. E njëjta gjë ndodh edhe me Teatrin Kombëtar, në mbrojtje të të cilit janë rreshtuar plot ‘lexues’ të rinj.
Edhe argumenti i qeverisë shqiptare për shembjen e godinës për shkak se ajo është e brishtë, duket qesharak. A nuk e panë shqiptarët me sytë e tyre se si u investuan miliona njerëz për rindërtimin e katedrales së Notre Damit pas zjarrit tragjik? Sepse brishtësia është po kaq e rëndësishme sa Efekti Lindi. Për Taleb, të gjitha këto ndërtesa janë të brishta në skemën e madhe të gjërave. Por emocionet dhe idetë që u vishen këtyre godinave i bëjnë të fuqishme. Janë këto emocione që i mbajnë gjallë, që na bëjnë t’i admirojmë dhe ruajmë.
***
Përse qeveria shqiptare kërkon të prishë një ligjësi kaq të rëndësishme të jetës njerëzore? Nëse i pyet ata që mbrojnë teatrin, por edhe shumicën dërrmuese të shqiptarëve, arsyeja është shumë e thjeshtë: përfitimet financiare marramendëse. Tashmë nuk ka njeri që nuk e di se politikat e kësaj qeverisje i diktojnë interesat financiarë të një grushti personash. Por nuk mund të mos e mohosh se kjo qeveri, që armën e saj më të fortë ka propagandën, nuk ka bërë përpjekje për ta shitur këtë aferë si një projekt modern për qytetin. Mirëpo ata që na e shesin veten me të madhe sikur janë pararojë e zhvillimit, nuk ndryshojnë shumë nga Ramazan Kadirov, lideri i fortë i Çeçenisë. Ata që nuk lënë moment pa treguar se sa të kultivuar janë, po e kthejnë Tiranën në një Grozni. Njësoj si kryeqyteti çeçen, edhe Tirana po mbushet me kulla të larta betoni e xhami, me megaprojekte moderne të hartuara dhe zbatuara nga arkitektë me nam. Siç shkruan ‘The Guardian’, pas këtij zhvillimi të Groznit fshihet një anë e errët. Kullat e larta të Çeçenisë, që kërkon të bëhet Dubai i Kaukazit, nuk dihet se kush i financon, por mbi të gjitha nuk dihet se kush do i blejë.
Këto kulla pasqyrojnë çmendurinë për marketing dhe PR në Çeçeninë moderne, një provincë e mbështetur nga subvencionet e Moskës, ku niveli i varfërisë është ndër më të lartët, por ku rrokaqiejt me zyra gjysmë të mbushura dhe hotelet luksoze janë bërë simbol i pasurisë së re, shkruan Andrew Roth i ‘The Guardian’.
Askush nuk beson se kjo është ajo që i duhet Çeçenisë tani, thotë një aktiviste. Por njerëzit nuk e kanë hallin te kullat. Ata duhet të merren me problemet e tyre të përditshme, që nga ushqimet e deri te mungesa e ujit të pijshëm.
***
Ramazan Kadirov ka vendosur nipin e tij si kryebashkiak të Groznit për të mbikëqyrur këtë proces. ‘Nipi’ i kryeministrit shqiptar i ngjan ‘dajës’ kur bie fjala te marrëzia e kthimit të Tiranës në një qytet kullash e betoni. Ata mund të mos jenë fiks si talebanët që shkatërruan Budat e Bamijanit. Por prishja e Teatrit është përpjekja më e fundit për të treguar se ata po u ofrojnë të ardhmen shqiptarëve. Siç e kam thënë në një shkrim, Edi Rama nuk ishte as e ardhmja dhe as e shkuara e shqiptarëve, por një aksident i rrezikshëm dhe me pasoja për vendin. Kullat që do mbijnë, nuk janë simbol as i pasurimit të një vendi dhe as i modernitetit. Ato janë thjesht ‘krijesa pa shpirt’ që nuk befasojnë kënd. Ato janë struktura që duan t’i ngulin me përdhunë në mendjen e shqiptarëve, duke shpresuar se do të zënë vendin e një godine emocionesh. Gabohen fort, sepse ajo ndërtesë është kujtesa. A e keni pyetur veten ndonjëherë se përse druhen kaq shumë njerëzit prej sëmundjeve neurodegjenerative që prekin kujtesën, të cilat janë shtuar ndjeshëm së fundmi? Për Francis O’Gorman kjo ndodh sepse po na e fshijnë të shkuarën. Kështu do ndodhë edhe me Teatrin Kombëtar nëse prishet. Disa do e kuptojnë boshllëkun shumë shpejt, të tjerë ndoshta më vonë. Por të jeni të sigurt që të gjithë do ndiejmë se na mungon diçka. Vetëm Kadirovët e Tiranës do ndihen mirë. Në fakt do mendojnë se ndihen mirë. Demenca i kërcënon të gjithë, edhe ata që kanë shumë para në llogari bankare.