Pakti i partive opozitare për të nënshkruar një platformë bashkëpunimi para protestës së 16 shkurtit ka për synim kryesor krijimin e një qeverie të re tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme sipas tyre.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho thotë për gazetën “Panorama” se demokratët do të jepnin dakordësinë për një qeveri të re, me në krye një figurë të konsoliduar dhe me integritet brenda së majtës.
Për opozitën, kriteri kryesor është që personi i propozuar të ketë kredibilitet për të mbajtur procese të rregullta politike e zgjedhore.
“Ne do të pranojmë një qeveri tranzitore me një Kryeministër socialist, mjafton që Edi Rama të largohet. Duhet të jetë një person me kredibilitet në krye të kësaj qeverie, që do të përgatisë një proces të rregullt zgjedhor. Unë nuk mund të hyj në emra të përveçëm, por e theksoj se duhet të jetë një person me kredibilitet dhe me staturë nga e majta”, deklaron Spaho.