Haradinaj: Rama pengon hapjen e negociatave të Shqipërisë

Aktualitet Kryesore Politikë Rajon/Botë

Debati për korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë të nxehtë teksa gjakrat po vlojnë në Ballkan dhe përplasje po regjistrohen edhe mes shqiptarëve. Së fundmi ka dalë në pah një konflikt midis kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj dhe atij shqiptar Edi Rama.

Ndryshe nga ç’shfaqen si miq në mbledhjet e dy qeverive, Rama dhe Haradinaj janë të ndarë në pikëpamjen mbi kufirin e Kosovës dhe kryeministri shqiptar nuk e ka mohuar se mbështet idenë e Hashim Thaçit për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Ndërkohë në krahun tjetër, Haradinaj pasi i kërkoi Ramës një javë më parë që të kujdeset për Shqipërinë pasi për Kosovën vendosin politikanët e saj, ka “shpërthyer” sërish sot kundër kreut të ekzekutivit në Tiranë.

Haradinaj në një intervistë për “Klan Kosova” i kërkon Ramës të mos përzihet më tepër se ç’i takon me punët e Kosovës.

“Po e kisha lut zotin Rama të rrijë në përgjegjësi të veta. Edhe ai sa Shqipëri sa… ku ti lypim ndihmë le t’na ndihmon, por përgjegjësia e tij është Shqipëria në këtë rast. Mos t’i japë vetes më shumë ngarkesë se edhe na jem këtu”, thotë Haradinaj.

Ish-komandanti i UÇK-së shpreh hapur edhe kritika ndaj kryeministrit tonë, teksa thekson se nëse Brukseli dyshon se Rama favorizon ndarjen e Kosovës, atëherë rrezikohet vendosja e Shqipërisë në plan të mirë me BE-në, madje edhe çështja e negociatave të anëtarësimit.

Share: