Pse Ilir Meta, është më në hall se Berisha dhe Basha

Analizë Opinion

Nga Spartak Ngjela

Jetojmë në një zonë ballkanike ku liderit, kush më shumë e kush më pak, nuk sundojnë si drejtues politikë, por si gënjeshtarë gënjeshtrash që nuk kanë lidhje me zhvillimin kombëtar. Shpesh kjo i bën qesharakë. Janë pushtuesit sllavë e grekë të territoreve shqiptare që vetë shtetet e tyre i kanë investime në falsitet, me histori të gënjeshtërt. Por janë edhe gënjeshtarët historikë të lidërshipeve të Shqipërisë që hedhin të njëjtën valle, sepse vjedhin shqiptarët.

l.

Në fakt, liderët aktualë të Shqipërisë, edhe në jetën e përditshme dallojnë që mbështeten të gënjeshtra, sepse janë së brendshmi me konceptimin oriental të fjalës: kjo filozofi thotë se fjala ka dalë për të fshehur mendimin. Këta kështu duket se janë ndërtuar. Por duhet të theksojmë se Perëndimi ndahet nga Lindja pikërisht te qëndrimi ndaj gënjeshtrës. Qytetërim perëndimor do të thotë antigënjeshtër.

Po shoqëria shqiptare si e ka sot raportin më të vërtetën? E ka në përmirësim, sepse ne kemi vuajtur 45 vjet nga gënjeshtra e ngritur në një sistem vrastar punist.

Po politika e sotme e gënjeshtërt a ka lidhje me punizmin vrastar? Sigurisht që ka, sepse shqiptarët jetuan për 45 vjet sipas këtij kushti: ose jashtë i varfër në ekstrem dhe më gënjeshtrën, ose me të vërtetën, por në burg.

ll.

Si paraqitet sot karakteri gënjeshtar i politikës në Shqipëri dhe në Kosovë, në Serbi dhe në Greqi?

Në këtë pellg ballkanik, më tipikët janë: Berisha,-Basha në Tiranë; Thaçi në Prishtinë; dhe Rama në Tiranë..

Më qesharakë duket të jetë Berisha dhe Lulzim Basha. Sepse në fakt janë në hall ngaqë kërcënohen nga reforma që po vjen për hetimin e pasurisë së tyre. Prandaj janë bërë qesharakë me gënjeshtrën e tyre: këta nuk i pranon politika e lartë perëndimore, janë kundër Uashingtonit pikërisht për këtë, dhe dalin nëpër rrugë me flamuj amerikanë. Politika amerikane tallet me ta, dhe këtë e di edhe Berisha edhe Basha. Por ju mendoni se ata mendojnë që po gënjejnë politikën amerikane me këtë gjest? Jo, gënjejnë përkrahësit e tyre te të cilët nuk do t’i mbështetnin po ta dinin se nuk i pranon fare Uashingtoni.

Dhe janë edhe më qesharakë kur paguajnë ndonjë gjerman apo ndonjë amerikan, që nuk kanë lidhje fare me politikën e lartë, dhe i detyrojnë edhe këta që të gënjejnë. Dhe përsëri me të njëjtin qëllim: të gënjejnë shqiptarët.

Ka edhe më shumë se kaq te sistemi gënjeshtar i tyre. Basha në fillim dhe Berisha si shtytës pas tij, edhe pse e dinë që Reforma në Drejtësi drejtohet nga amerikanët, sokëllijnë në jerm dhe thonë që bëhet nga Rama. Ramë ziu është me ta, por nuk ka ç’bën, kurse dy të tjerët që kanë hallin e pronave dhe të parasë së akumuluar në mënyrë të paligjshme, mendojnë që të gënjejnë përkrahësit që këta të kenë një motiv revoltues. Po revolta përse duhet? Revolta lipset që, këta të dy dhe disa të tjerë të taborit të tyre të shpëtojnë pronat dhe paratë. Por tani, pas kërcënimit amerikan, edhe revoltë nuk mund të ketë më.

Domethënë asgjë. U dogjën kot. Nuk i shpëtojnë dot pronat dhe paratë. Kjo kohë nuk i përkrah dhe reforma është sot detyrë shqiptare që shqiptarët të hyjnë në Bashkimin Europian dhe në rrugën e zhvillimit për të mposhtur një herë e mirë varfërinë. Kjo do të thotë se, shpronësimi i të korruptuarve është shpresa për shpëtim e shqiptarëve. A e kuptoni tani që korrupsioni shqiptar nuk ka më te ardhme!

Po pse lodhen këta të korruptuar? Kot. Madje janë mëse teveqelë kur mendojnë se pronat dhe sundimin do ta ruajnë me anë të Rusisë, dhe prandaj gënjejnë për çdo gjë.

Po gënjeshtra ç’duhet kur kjo reformë po drejtohet nga forcat politikës amerikane? Kot. Është më shumë natyra naive e njeriut të akuzuar që i ka pushtuar në këto kohë. Njeriu i akuzuar që nuk di të mbrohet, gënjen si një fëmijë.

ll.

Po Meta?

Edhe ky gënjen për të shpëtuar veten dhe pronat nga reforma. Këta birbore e kanë ditur se janë zgjedhur në krye të vendit për interesin e tyre vetjak të pasurimit. Kështu mendon ende dhe ky Meta. Është në një hall dyfish. Duan ta shkarkojnë në Parlament e ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Por, po shkoi atje, mund të marrë dënim me burg, se shkelja e kushtetutës është vepër penale. Në fakt, për Shqipërinë dhe shqiptarët, ky do të jetë hapi i parë pozitiv që nga viti 1924. Dhe sigurisht që do të ndodhë.

Kurse Meta po bëhet qesharak me Bashën duke tundur ato dekrete pa vlerë të cilat do bëhen shkak për dënimin penal të presidentit të Shqipëris. Janë të dy jashtë arsyes juridike të mbrojtjes, dhe mendojnë se, e vetmja rrugë e shpëtimit të tyre është destabilizimi i Shqipërisë. Kanë marrë në dorë një dekret pa vlerë juridike, dhe kërkojnë të fshehen pas tij. Nuk arrijnë të kuptojnë që një ditë e re zgjedhësh është normë juridike që del nga kushtetuta jo nga letra pa vlerë. Nuk janë në gjendje të pyesin veten: coli është organi ligjor që dëo të organizojë zgjedhjet?

Prandaj me thirrjet dhe pohimet e tyre nuk po dihet se kë kërkojnë të gënjejnë, veten apo të tjerët!!!

lll.

Po Thaçi? Ky del të jetë një tjetër lloj gënjeshtari. U vërtit e u vërtit me presidentin e Serbisë, Vuçiç, dhe gënjente për territoret. Donte t’i jep Serbisë Kosovën e Veriut, dhe gënjente sikur gjithçka e bënte që t’i merrte Sërbisë Preshevën dhe territoret e banuara nga shqiptarët. Donte të thosh që Presheva është më e rëndësishme për Kosovën se Mitrovica. Por dështoi, dhe tani më gënjeshtrat e Preshevës po bëhet qesharak. Në fakt kjo është rruga, sepse, tragjikja, kur dështon, kthehet në komike.

Ja këta janë.

lV.

Po Vuçiç?

Ky është më interesanti se ky nuk di ende të kuptojë se për cilin interes luan: luan për interesin e tij, apo për interesin e Serbisë. Në fakt kuptohet se po tallet me veten. E di që Serbia nuk pranohet nga Perëndimi, por gënjen serbët. Indirekt iu thotë këtyre: do ta marrim sërish Kosovën. Por befas Kosova i ka vënë taksë 100 përqind mallrave serbe që hyjnë në Kosovë. Kjo e tremb, se i del bllof gënjeshtra, se serbët pyesin: “kaq e fortë qënka Kosova?” Dhe prandaj Vuçiçi vërtitet e vërtitet me takime shterpë presidentësh europianë të rendësishëm, të cilët i thonë në Beograd se Kosiva është një shtet i pavarur.

Nuk kuptohet, ky kaqol, e di historinë apo jo? E di ky që territoret shqiptare shkojnë deri në Nish? Në fakt bën sikur nuk e di, njëlloj si e gjitha shkolla serbe që edhe pse e di që janë të ardhur në Ballkanin Perëndimor, thërrasin gjithë ditës se tokat tyre janë pushtuar nga shqiptarët. Do vazhdojë të gënjejnë dhe për ca pak kohë.

V.

Po Rama?

Ky ka gënjyer boll; por tani është në tërheqje sepse e njohu më në fund forcën amerikane. Nuk doli hapur për asnjë kundërshti dhe gënjeu deri në caqe që nuk kishin të bënin me Reformën. Tani duket se është në pritje. Por për të, në këto momente ka vetëm një pyetje: A do ta çojë deri në fund goditjen për shkarkim të presidentit Meta, apo do të tërhiqet me ndonjë gënjeshtër të rëndomtë?

Share: