11 pyetje lidershipit opozitar për hapjen e kutive

Analizë Opinion

Nga Artan Fuga

Opozita ka thirrur popullin që refuzoi të shkonte në votimet moniste të 24 qershorit në shesh!

Por, të shohim!

A do të shpalosi dot lidershipi opozitar një strategji dhe masa veprimi politik konkrete, të afërme, apo vetëm do t’i thotë popullit opozitar se ai i refuzoi votimet, se pushteti është i inkriminuar, se shqiptarët po ikin, se fajin e ka Edi Rama, se kutitë e votimit kanë më shumë fletë votimi sesa votues, etj., çka tashmë janë ezauruar!

Puna është të dihet se çfarë propozon opozita si model aksioni politik për stinën e verës dhe pastaj për vjeshtën!

Se bashkë me gushtin ikën dhe vapa!

Deritani sikur nuk shihet ndonjë formulim i qartë! Duke sikur mendohet, mendohet, mendohet!

Te shohim çfarë do të shpalosi nesër në shesh!

Është për hapjen e kutive të votimit sikurse kërkoi z. Klement Zguri apo jo?

Çfarë duhet të bëjnë kryebashkiakët e djathtë tani që mandati i tyre ka përfunduar?

I ka përjashtuar deputetët që vijnë nga listat në Kuvend apo i njeh ata si të vetët?

Do t’i drejtohet apo jo organeve të drejtësisë për rastet e mbushjeve të paligjshme të kutive të votimit?

Çfarë do të bëjë me të dhënat e raportit të OSBE – ODHIR-it dhe konstatimet e paligjshmërive në procesin elektoral te partnerët ndërkombëtarë?

Është apo jo për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme dhe me cilat formula?

Çfarë kodi të ri elektoral propozon? Sepse aty është sekreti! Krejt aty!

Është apo jo për bisedime me aktorët e tjerë politikë të vendit? Se politika është edhe dialog! Çfarë të keqe ka të dialogosh me transparencë, në sytë të publikut dhe pa përjashtuar partnerët e tjerë politikë?

Do ta zbatojë apo jo dekretin e Presidentit për zgjedhjet e 13 tetorit?

Është dakord apo jo me shqyrtimin në Kuvend të shkarkimit të Presidentit? Do ta mbrojë apo jo Presidentin e Republikës?

Ka ndërmend të konsultohet me forumet e gjera të partisë apo nuk e ndjen të nevojshme për ta bërë këtë?

Pa fund pyetje që opinioni publik pret të dëgjojë, si para ekranit të tv si në shesh!

Share: