Nga Artan Fuga
Mediat amerikane dhe të Europës Perëndimore, rreth dy javë më parë, kishin ditë që përgatisnin publikun se një uragan po afrohej drejt bregut të kontinentit amerikan. Specialistët kishin llogaritur shpejtësinë, forcën e tij shkatërruese dhe sasinë e reshjeve, shpejtësinë e erës dhe dëmet që do të sillte. Një javë përpara dihej gjithçka. Në fakt, uragani kapriçioz zbarkoi pak më tej vendit të parashikuar, në Bahamas, dhe pothuajse e rrënoi gjithçka të ngritur atje me mund dhe përpjekje. Dhjetëra vite më parë ishte e pamundur të parashikohej me saktësi kjo gjë, por ja që sot bëhet. Disa herë rresht, zona të tëra në Floridë janë boshatisur nga popullsia për ta mbrojtur atë nga uragane të tilla me fuqi shkatërrimtare të paparë.
Më kujtohet kjo gjë kur ndiqja këtë javë debatin e madh te ne nëse mund të parashikohen apo nuk mund të parashikohen katastrofat natyrore, konkretisht tërmetet? Ndieja shpesh edhe mendësinë e vjetër të një kohe më pak të zhvilluar teknikisht, sipas së cilës tërmetet janë krejt të paparashikueshme, jemi në dorë të Zotit! Por edhe kur të tjerë pretendonin se kishin informacione për kohën dhe vendin e tërmeteve të tjera.
Me thënë të drejtën, kisha edhe një ndjenjë fajësie sepse një popullsi qytetare me formim të mirë në filozofi, sot në botë nuk ka hezitime dhe nuk ka nevojë të shtrojë pyetje naive si ato që shtronin njerëzit parahistorikë. Por, ne kemi dekada që filozofinë e kemi hequr nga programet shkollore parauniversitare. Edhe ajo që bëhet është për të vënë kujën. Më kollaj, kam thënë, në Shqipëri gjen vend pune për prift dhe hoxhë, sesa për filozof. Dhe ja çfarë e gjen një popull që humbet lidhjen jo me filozofinë mekaniciste apo deterministe të ngurtë të viteve ‘45–‘90, por me arritjet e mendimit filozofik kritik bashkëkohor.
Debat i madh ka qenë, sepse shpesh është menduar se mendja njerëzore i parashikon proceset natyrore, por nuk parashikon dot ngjarjet në histori, sepse thuhej që të parat janë të përsëritshme, kurse të dytat janë të papërsëritshme: lufta luftës nuk i ngjan. Pastaj qysh herët, nga shekujt vjen edhe një pozicion tjetër debatues. Disa thonë se njeriu i njeh ngjarjet shoqërore, sepse i krijon vetë, kurse ato të natyrës janë kaotike. Kështu, historicistët në filozofinë e historisë pretendojnë se kanë zbuluar ligjin e zhvillimit të historisë dhe dinë se ku shkon ajo, pra njohin edhe atë që do të vijë pas një shekulli e më tepër.
Por, duke filluar nga gjysmat e fundit e shekullit dhe ndofta disa dekada më herët, filozofë dhe mendimtarë e ndanë mendjen për këtë gjë. Edhe shoqëria, edhe natyra u nënshtrohen të njëjtave potenciale parashikueshmërie dhe joparashikueshmërie. Sigurisht, nuk dua të bëj këtu leksione filozofie, por më vjen keq që ne popullit tonë këtë dituri nuk ia kemi dhënë. Dhe pasojat janë të tilla, që mund të prodhojnë katastrofa sociale me pasoja edhe humbje jete.
Që filozofia mund të shpëtojë jetë njerëzish, këtë e besova këtë herë dhe isha krenar. A dëgjon Ministria e Arsimit? Këtë nuk e di. A dëgjon Akademia e Shkencave, që nuk ndërhyn në këtë debat? As këtë nuk kam nga ta di.
Përgjithësisht, pati mendimtarë që i ndanë proceset, nuk ka rëndësi, shoqërore ose natyrore, në :
a. Stagnativë – atyre nuk ke çfarë u parashikon, ata janë dhe mbeten ata që kanë qenë, pak a shumë.
b. Ciklikë, ose pak a shumë, të tillë sikurse janë lëvizjet elipsoide të planetëve ose trupave qiellorë. Këtu shkalla e parashikimit të asaj që do të vijë më pas është më e lartë dhe parashikimi më i sigurt, sepse janë cikle që përsëriten prej pafundësisht kohësh.
c. Procese me gjendje stacionare, ku proceset kanë dinamikën e tyre të luhatjes rreth një gjendjeje të qëndrueshme, ose pak a shumë të qëndrueshme. Edhe këto gjendje stacionare janë të parashikueshme, kurse luhatjet e sistemeve rreth tyre kanë nevojë për korrigjime.
d. Stokastike, ose ajo që quhet “gjendjet e kaosit”, sepse ndodh që sistemi që është i parashikueshëm në thelbin e vet, pëson fillimisht ndryshime të papërfillshme, një pjesë të të cilave i stokon në dinamikën e vet, ndikohet prej tyre, devijon nga rregulli i zbuluar më parë dhe nuk plotëson pritshmëritë e parashikimeve të bëra. Këtu futet edhe “teoria e lojës”, që sociologjikisht mund të shprehet që çdo individ kur hyn në një proces, qarkullim rrugor, treg etj., ndryshon të dhënat e sistemit që ai ka studiuar përpara këtij veprimi, pra e ndryshon sistemin duke shkaktuar pasoja të papritura. Të gjitha këto sot modelizohen dhe u ngjajnë parimeve të papërcaktueshmërisë, në të njëjtën kohë të parametrave të ndryshëm. Sikurse është e papërcaktueshme në të njëjtën kohë vendndodhja dhe energjia e një mikrogrimce.
e. Sikurse ka parashikime që nuk lidhen me pritshmëritë e lëvizjes së një pjesëze të veçantë të një sistemi, por parashikueshmëria lidhet me fenomene masive, me agregate elementesh, në forma probabilitetesh gjendjesh kolektive, sikurse përdoren në rastin e shkencave kuantike. Por metodat kuantifikuese sot përdoren për të njohur masën e sjelljes kolektive, si rezultat bashkëveprimesh individuale.
Sigurisht, ka edhe raste të tjera modelore, por ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se parashikueshmëria ose jo e proceseve nuk varet nëse ato janë shoqërore ose natyrore, janë të lumtura ose katastrofike, janë me pasoja të dëmshme ose me pasoja të mira, shihen ose jo me sy. Lidhen me gjendjen në të cilën ndodhet sistemi.
Sot parashikohen gjithnjë e më mirë uraganet, klima dhe ndryshimet e saj, ndotja e mjedisit dhe evoluimi i saj, sikurse edhe dukuri të tjera, të cilat më përpara as nuk bëhej fjalë të dihej se ku do të shkonin. Aq më shumë sot, nëpërmjet analizës së të dhënave numerike të big datave, veç prediktimeve, bëhen edhe devijime të ngjarjeve të pritshme në të ardhmen. Ndryshohet e ardhmja. Pra, nuk është thjesht ideja për të parashikuar, por që duke parashikuar të devijohet, ta zëmë një epidemi, sjellja e klientëve etj., drejt një objektivi ose stacioni që u intereson menaxherëve.
Për tërmetet sot gjithnjë e më tepër studiohet dinamika gjeofizike e shtresave të tokës, ku teknologjitë që bazohen te instrumentet matëse të sinjaleve sizmike nëpërmjet gjeofonëve na lejojnë të njohim, modelojmë, vizualizojmë me saktësi gjithnjë e më të madhe lëvizjen e tyre. Pra, në rastin më të mirë, edhe të parashikojmë rrisqet sizmike.
Por tjetër është të kesh mundësi të parashikosh dhe tjetër të parashikosh vërtet. Sepse hyjnë në llogari elemente që njeriu njeh, por jo ata që ai nuk njeh akoma, dukuri të rastit, kontekste të rinj të paparashikueshëm më parë.
Prandaj, debati sot nuk është më ai dogmatiku midis parashikueshmërisë dhe jo parashikueshmërisë, por çështja është të gjendet një ekuilibër midis dy të kundërtave përjashtuese. Në këtë mënyrë krijohen mundësitë e një parashikueshmërie probabël, e një horizonti parashikueshmërie, e një parashikueshmërie të korrigjueshme hap pas hapi sipas metodës të ndryshimit inxhinierik të modelizimeve prediktive.
Në këtë mënyrë, specialistë në sizmologji theksojnë se parashikohen gjendje dinamike sizmologjike. Kjo është arsyeja që edhe funksionojnë qendrat e vrojtimit dhe observimit sizmologjik dhe që mbajnë sidomos në vëzhgim zona me risk sizmik të lartë. Por, askush nuk pretendon prej tyre se mund të parashikojë orën, ditën, shkallën e intensitetit me saktësi. Madje, ka pritshmëri që nuk rezultojnë fare duke u futur në kategorinë e pritshmërive probabël.
Kush pret që tërmeti të bjerë në orën që ai ka parashikuar, mund të zhgënjehet rëndë. Por, kjo nuk do të thotë që teoria e riskut si metodologji menaxhimi parashikueshmërish të injorohet dhe ta mbyllësh ditën duke ia futur kot: Nuk di çfarë do të ndodhë, pra nuk merrem me këtë punë! Dhe të qëndrosh brenda që të të zërë çatia, duke shpresuar se do të të mbrojë jastëku që ke vendosur në kokë.
Po kështu, parashikueshmëria si evitim i riskut është një tjetër formë e parathënies së ngjarjeve me rrezikshmëri të lartë ose të ulët. Kështu merren probabilitetet që ngjarja të ndodhë dhe ato që ngjarja të mos ndodhë, efektet e tyre, dëmet e secilit prej tyre dhe merret vendimi brenda parametrave të sigurisë. Sipas ligjit të formuluar nga Edward Murphy, ky inxhinieri i aeronautikës, amerikan, i cili ka vërtetuar që këtu duhet të mbahet parasysh ajo që nëse parashikohet që do të vijë një pasojë e papëlqyeshme, ajo do të vijë medoemos. E keqja e tërheq botën drejt vetes! Kjo justifikohet me shumë argumente, por një prej tyre është prirja e sistemeve të mbyllura për të shkuar drejt entropisë, domethënë drejt kaosit.
* * *
Më ka ndodhur dy herë të jem në zona urbane perëndimore, në qytete të zhvilluara dhe me popullsi shumë të kulturuar dhe mendje kritike kur ka pasur panik kolektiv. Çfarë kam parë?
Do të kalonte kometa Halley. Dhe pati parashikime se ajo në mos do të përplasej edhe me Tokën, mund të sillte ndryshime klimatike. Një thashethem urban, që përhapej me shpejtësinë e lëvizjes së kometës, sado që specialistët në mediat serioze e mohonin këtë mundësi. Dy ditë përpara vura re se njësitë e shitjes ishin boshatisur nga uji, buka, konservat.
Kështu ndodhi njësoj edhe në vitin 2000, kur u përhap thashethemi se kompjuterët nuk dinin ta bënin kalimin e vitit nga 1999 në 2000 dhe për pasojë do të dilnin jashtë loje. Priteshin katastrofa në centralet atomike etj.. Ekspertët e mohuan, por përsëri vija re që në njësitë e shitjes nuk kishte më oriz, makarona, konserva peshku, midhjesh, madje as sardele!!!
Po të mos kesh lexuar psikologjinë e Jungut, sigurisht habitesh. Por, njeriu ja që e ruan arketipin e tij milionavjeçar që është aty, i pazbutur as nga dija, as nga kultura, as nga shkenca. Frika është atje e fshehur dhe shpërthen.
Mirë nuk ndodh, por po ndodhi? Më mirë po mbledh ca ushqime, nuk më bën keq! Pra, në këtë rast sjellja joracionale bëhet probabilisht racionale. Frika se mos ndodhë diçka dhe menaxhimi i së keqes paraprakisht konsiderohet një masë paraprake racionale. Ja kështu është njeriu. Dhe mirë bën që është kështu.
Merr masa, mban rezerva individualisht, familjarisht, shoqërisht, është i moderuar në harxhime, nuk merr rrisqe të kota, mbrohet.
Gjithë industria e sigurimeve mbështetet te frika e njeriut, te ky instinkt milionavjeçar që nuk zhbëhet as nga shkenca dhe as nga e vërteta.
Hap llaf se do të bien zjarre në katund nëse do që të rrisësh numrin e klientëve në agjencinë sigurimeve që sapo ke hapur.
Prandaj, duke ditur arketimin jungian bëhet kujdes që informacionet që mund të rrisin shkallën e frikës kolektive, që prodhojnë panik masiv, të trajtohen me kujdes. Sa filma të Hollywood-it ka me këtë temë. Shkencëtarja që e di që do të ketë një tërmet e do të shkatërrojë qytetin, me shumë mundësi, por mundet edhe jo. Po qe se lajmëron popullsinë, të gjithë do panikosen dhe në atë qytet të madh për shkak të atij që quhet “efekt lajmërimi”, të ndodhin katastrofa shumë më të mëdha në humbje jetësh, ndërkohë që rreziku realisht mund të jetë i kotë.
Prandaj, këto informacione administrohen me shumë kujdes nga autoritetet publike.
Dhe mbi të gjitha, është për t’u mbajtur parasysh edhe një element tjetër. Ai që Bill Kovaç ngre në një nga tekstet e tij të famshme. Gazetari kurrë nuk duhet ta harrojë statusin e tij. Por, te ne nga padurimi, protagonizmi, nga fakti që shoqëria është ende e papjekur në profesionalizimin e saj, nuk i respekton rolet, të gjithë bëjnë punën e të gjithëve.
Ti sheh dikë me shkollë profesionale ende të pambaruar, që të flet për vrimat e zeza sikur të kishte qenë bashkëpunëtori i Ajnshtajnit.
Flet me dikë që e di që nuk ka lexuar kurrë një libër sociologjie, që të tregon se cilat janë problemet e mëdha të shoqërisë shqiptare.
Diskuton me dikë që nuk merr vesh asgjë nga politika, por trajton problemet e sigurisë politike të kombit shqiptar sikur të kishte qenë Kisingeri!
Edhe në rastin e tërmetit e njëjta gjë ndodh. Ministra që gjoja inspektojnë ndërtesat! Elektoralizëm dhe propagandë të pastra. Nuk ka inxhinierë ministria për të krijuar komisione ekspertize dhe për të dalë me përfundime? Kush e mban përgjegjësinë që edhe një soletë e krisur të thyhet dhe na vret shkollarët e vegjël!
Madje, edhe ndonjë sizmolog që me siguri, pa mbajtur parasysh modelet e prediktimit, na thotë: Rreziku i madh kaloi, por do të ketë lëkundje të vogla!
Përse merr veten në qafë vëlla? Ku je kaq i sigurt?
Këtu kam parë ndonjë deputet me dy klasë shkollë, gjysmë çmendanik, gjysmësherr– budalla që bënte formulime për ligjin për Akademinë e Shkencave.
Çfarë është tërmeti përpara kësaj!
Bjer tërmet ma hidh tavanin në kokë!
Budallai po diskuton për shkencë
Sepse Bill Kovaç thekson se edhe eksperti gabon kur abuzon me statusin e ekspertit. Në vend të argumentit, media jep titullin e tij: SIZMOLOG. Dhe në këtë mënyrë prodhon FakeNews sepse nga argument shkencor induktiv, na jep argument mbështetur në autoritetin e titullit. Ku i ke provat zotëri? A ka shërbime sizmologjike shteti? Ato janë të certifikuara dhe kanë përgjegjësinë të japin informacione. Po ata gabojnë? Patjetër. Por nuk kemi çfarë bëjmë. Sikurse e ka shkruar prej një shekulli Walter Lipmann, nëse institucionet publike degjenerojnë, do të degjenerojë edhe media. Media nuk i korrigjon dot institucionet publike. Watch dog është një iluzion i ëmbël, por hajde ta përsërisim në kor se na bën mirë.
Ministri merr rolin e muratorit, kryeredaktori të gjeologut, analisti të zjarrfikësit, sizmologu rolin e Zotit, kleriku të trapmosçarësit dhe këtu nis edhe nxitimi i gazetarit: Gazetari bën ekspertin sepse nuk e verifikon burimin nga i ka ardhur informacioni. Ai nuk mund ta dijë vlerën shkencore të informacionit, por duhet të dijë se në raste katastrofash, me rrezik paniku kolektiv, vetëm autoritetet publike shkencore kanë të drejtën e informacionit që rregullon sjelljen qytetare.
Se çfarë thotë edhe ai greku – edhe kjo është e pasigurt. Kush është ai? Çfarë provash ka ai? Sa gabon ai? Edhe ai duhet marrë me skepticizëm.
Sa herë dreqi ta marrë flasim në leksione për atë që në profesion gazetari i mirë nuk beson asgjë, nuk i beson as të intervistuarit, as dëshmitarit, as ekspertit. Bën sikur i beson. Vetëm verifikon pafund. Cinizmi të shpëton, skepticizmi të shpëton.
Por në këtë shoqëri që ngjan me ato ekipet ku luhet futboll total, të gjithë i bëjnë të gjitha rolet. Sepse jemi shoqëri e opinionit. Nuk ka të vërtetë, por ka vetëm opinione. Ashtu dua unë të jetë! Në këtë media të deklamimit, ku gazetari vetëm i zgjat mikrofonin politikanit dhe raporton çfarë thotë ai, e quan informacion, mësohet që të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me të vërtetat shkencore me pasoja sociale. Tjetër deklaratat e politikanit dhe tjetër informacioni teknik dhe shkencor. Nuk raportohen njësoj. Ja përse ka shtyp politik dhe shtyp informacioni të vazhdueshëm objektiv. Por, tani ka teoricienë amatorë si predikues shkretëtirash, që predikojnë se gazetari është bindja ime e brendshme dhe kaq. Nuk ka të vërtetë shkencore!!! Lloj-lloj delirantësh!
* * *
Na ra bretku duke u lutur te dera e Ministrisë së Arsimit prej vitesh: Fusni mediologjinë në programet mësimore!
Po, po, bjeri teneqes.
Folu mureve! Nuk mundet që në një shoqëri të komunikimit masiv publiku të mos edukohet me mënyrën si përdoret, menaxhohet informacioni, si trajtohet dhe kuptohet media!
Kujt i flet se!
Dhe ja publiku, që thotë se i besoi një medieje dhe doli në rrugë.
O Zot, një shekull shkenca komunikimi e hedhin në erë. Injorantët!
Dhe i shkon polici në derë gazetarit të ri të shkretë?
Hajde pak me mua në hapsanë zoti gazetar! Ta tregoj pak ty atë tërmetin atje te
shtatë penxheret!
O zotërinj, shkencat e komunikimit nuk pranojnë që media mund ta ndikojë publikun kështu sipas vullnetit të vet!
Publiku ndikohet kur ka qejf vetë, kur është në hall, kur do të ndikohet, atëherë po.
Se media opozitare i thërret publikut që hajde hedhim në tuç qeverinë, por publiku nuk është se vjen.
E njeh polici i gjorë teorinë e Shkollës së Kolumbias se publiku e lexon median dhe e ndjek, influencohet prej saj vetëm nëse grupi rreth liderit lokal të opinionit i krijon besimin se media duhet besuar.
Nuk ka faj polici që kryen detyrën, por as ne nuk duhet të ngatërrojmë rolet.
Media më thotë që pushimet t’i bëj vetëm në Jug, por unë nuk bindem për kiamet.
Media e propagandës më thotë të shkoj të votoj, por unë nuk bindem për kiamet. Më pëlqen të abstenoj,– më thoshte Qenan K.
Sikurse shkruante Zhak Elyl, i manipuluari manipulohet sepse ka dëshirë të manipulohet nga manipuluesi.
Prandaj, një mediologji, sepse po u ngjajmë shkollave komuniste ku nuk u flitej vajzave në moshë për menstruacionet. Turp! Dhe ne nuk u flasim të rinjve për mediat, si duhet asimiluar informacioni mediatik. Dhe prandaj ka që e besojnë se po e tha televizori, është e vërtetë!
Iluzion që i duhet politikës!
E keni parë se si politika bën kujdes që njerëzit të mos kenë probleme me sinjalin televiziv, prandaj nuk e këpusin transmetimin analog. Të gjithë në darkë me kokë te televizori!
Ose, si thërriste ai kujdestari, pastaj: Gjumë qafira!
Për këtë arsye, në atë panik u implikuan katër elemente:
Mungesa kulturore lidhur me teoritë dhe modelet prediktive.
Mungesa e analizës jungiane për arketipin instinktiv, që në rast katastrofash ka prirjen të bëhet model i zgjedhjes racionale.
Ngatërrimi i roleve dhe statuseve në një shoqëri tranzicioni, ku askush nuk e di se kush është. Si tha dikur aktori Naim Frashëri, i ndjeri, u prezantua duke thënë: Quhem Naim Frashëri. Ky që e dëgjoi iu përgjigj: Përshëndetje, jam Skënderbeu!
Dhe pastaj mungesa e kulturës mediologjike në shkolla.
Vazhdo, vazhdo bërtit! Bjeri legenit! Ne kemi tekste nga Harwardi!
Prandaj, mos i zgjidhni problemet me policë dhe me hetuesi, sepse këtu nuk di kujt t’ia çosh më parë policin te dera e shtëpisë. Sidomos në kohë katastrofash natyrore. Të gjithë çmendemi, kush më shumë e kush më pak.
Ju jo???/ Panorama