Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri i kërkoi kolegëve të tij anëtarë në KQZ, të votojnë një propozim të tijin për një hetim për materialet zgjedhore lidhur me mos-rakordimin e shifrave të pjesëmarrjes që ky institucion deklaroi gjatë ditës së votimeve të 30 qershorit, dhe deri në mbyllje të tyre, kur në ditë të ndryshme raportoi shifra pjesëmarrje të ndryshme.
Zguri tha se KQZ ka humbur besueshmërinë dhe po funksionon në mënyrë të njëanshme. Nuk munguan as replikat mes tij dhe nënkryetarit të KQZ, Denar Biba. Ky i fundit ishte dakord për të nisur një hetim administrativ ndaj punës së KQZ, por jo për të cenuar zgjedhjet. Gjithashtu, Biba zbuloi probleme me sistemin elektronik të KQZ, kur tha se prej 2018-ës mungoi drejtori i IT.
Sipas nënkryetarit të KQZ-së ka qenë pikërisht drejtori i IT-së që ka zbuluar se sistemi që KQZ kishte nuk ishte i vlefshëm për zgjedhjet vendore, por vetëm për të përgjithshmet parlamentare. Pavarësisht nga insistimi i Zgurit, me shumicë votash anëtarët e KQZ rrëzuan kërkesën e tij për të hetuar materialet zgjedhore.
Debati në KQZ
Klement Zguri: Kemi deklaratën e orës 11:00 të KQZ ku thuhet pjesëmarrja në votime 12%. Ndërkohë këtu kam tabelat në faqen e KQZ, ora 11:00 kur deklarata thoshte 12%, në tabelën është 6.19%, gati gjysmë për gjysmë. Kur unë këtu jam i paqartë mendo sa i paqartë është publiku. I kemi detyrim qytetarëve për transparencë në procesin zgjedhor.
Denar Biba: Pjesëmarrja u vendos në fokus, dhe jo më rezultati. Pjesëmarrja për arsye nga më të kuptueshmet, sepse opozita politike shqiptare e shndërroi në kalin e vet të betejës pjesëmarrjen duke bërë thirrje për bojkot. Ata e dinë mirë kush i votoi e kush jo. E gjithë kjo skenë është e gjitha pjesë e një teatri me një synim të vetëm, për të de-legjitimuar këto zgjedhje, të cilat njëra palë nuk i pranoi, tjetra i pranoi.
Rezultatet në mënyrë konstante janë thënë që janë paraprake. Edhe në zgjedhjet e 2017-ës, në orën 20:00 rezultati i deklaruar nga KQZ 1 milionë e 1 e ca mijë. Ndërkohë ka deklaruar 1 milionë e 6 qind e ca mijë. A i bëri kjo ato zgjedhje të pavlefshme? Jo. Zoti Zguri kërkon një hetim, unë personalisht jam pro. Hetimi të fillojë që në vitin 2018 kur u largua drejtori i IT-së së këtij institucioni dhe mbeti vendi vakant. dhe nuk e di pse nuk u mbush ky vend.
Që në moment që ai drejtori tha, programi software i 2017 nuk është i përshtatshëm për klokalet vetëm për kombëtaret, duhet program i ri. Disa problematika nuk janë vetëm të KQZ. Le të bëhet ky hetim dhe të dalë gjithçka.
Klement Zguri: Ishte një shembull për t’u marrë me diferencën sepse zëdhënësja del me shifër që i jep KQZ-ja. Në fillim ishte 21.6%, pastaj 21.83%, më tej 24. 12%, dhe e fundit fare është 812249 me 22.97 %. Nga këto nuk akuzoj por them, që këto janë indicie për të kërkuar një hetim. KQZ të nisë kryesisht hetimin për shifrat e pjesëmarrjes në votime, duke hapur kutitë.
Denar Biba: Ne nuk mund të hedhim zgjedhjet në erë. Të fala Gazment Bardhit.
Klement Zguri: Ti nuk hidhesh në erë.
Denar Biba: Mua s’ka perëndi të më hedhë në erë, e jo më ti… Të fala Gaz Bardhit.
Klement Zguri: Nuk më bezdis fare, nuk më krijon asnjë lloj gudulisje. Do kërkojmë procesverbalet.
Denar Biba: Klement, ti nuk e do këtë proces. Ti do ta sabotosh këtë proces. Jam dakorw për të bërë një hetim administrativ lidhur me çdo lloj sjellje në KQZ, që mund të ketë vënë në pikëpyetje besueshmërinë e zgjedhjeve. Por që të hapni ju të gjitha kutitë e Shqipërisë, nuk ju mbështes dot. Nuk ta gjykoj dot, nenet t’i gjen Gaz Bardhi ty…
Bledar Skënderi: Ruani etikën.
Klement Zguri: Unë po flas, ju futeni tek fjala ime
Denar Biba: Unë jam dakord të hetohet që nga ai tek dera por jo të hapen të gjitha kutitë
Klement Zguri: Kërkoj vetëm verifikimin e listave të atyre që kanë votuar dhe sa kanë votuar.