Epistolarët e gjymtuar të politikës

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Intensifikimi i letrave që po bëhet nga njerëzit kryesorë të shtetit shqiptar dhe që në përgjithësi nuk marrin përgjigje, më shumë se çdo gjë po paraqesin kulturën individuale të mbajtjes së krizës. E filloi kryeministri Rama, i cili shkroi plot 7 letra drejt kryetarit të opozitës Basha, kurse tashmë ka ardhur koha e presidentit të vendit që bën letra dhe dërgon mesazhe për të treguar pozicionin që i jep tagri i vet ashtu si edhe për të sqaruar qëndrimin personal për Reformën në Drejtësi, procesi që i ka trandur të gjithë.

Në të gjitha rastet përgjigjet e letrat janë të munguara, kurse përgjigjet vinë në forma të tërthorta apo përmes komenteve të ndryshme. Për fatin e keq, kryeministri i vendit megjithë frazeologjinë e zgjedhur dhe të gjithë elementët e tjerë nuk mundi të gjejë kanalet e duhura e bashkëpunimit, pasi në thelb mungojnë realisht pikat e kontaktit; ashtu si kryetari i opozitës, përmes statuseve të rrjeteve sociale, e kërkon takimin me PS-në me kushte që nuk mund të realizohen. Njësoj po ndodh me letrat që po drejtohen ngado të presidentit të vendit dhe ku sfida është vonesa e Reformës në Drejtësi. Po të gjitha i bashkon paradoksi për të mos realizuar asgjë…

Letra e fundit e presidentit drejt Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku kërkonte informacion për plotësimin e vakancave të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, ka nxjerrë më shumë ngërçin e punës së tij në vlerësimin e gjyqtarëve si kryesues i KLD, shtuar edhe me faktin se ai vetë as nuk ka ndërmarrë veprimin e duhur për plotësimin e vakancave të gjyqtarëve në gjykatat e vendit. Më shkurt, KLGJ ka zbuluar kohë më parë problemet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i drejtuar nga Meta si President që prej vitit 2017 ka shmangur ligjin duke mos vlerësuar profesionalisht gjyqtarët. Të mendosh, KLD vlerësoi vetëm 2 gjyqtarë gjatë vitit 2018!

Duket se mania e letrave ka kapur të gjithë strukturat e shtetit të cilat për të provuar vërtetësi bëjnë raporte në mënyrë të tregojnë institucionalitet, por fakti është se asgjë nuk ndryshon dhe më keq se kaq: pengesat e situatës kaotike me gjykatat në vend shkojnë deri te presidenti aktual.

Në këtë trend kombëtar, nuk bie më poshtë Partia Demokratike me shumën e letrave dhe statuseve përcjellë ngado dhe kërkimin e problematikës që e rrethon kryeministrin, ku 30 qershori ishte jo vetëm veprim antikushtetues dhe antidemokratik, por edhe një veprim me kosto politike e shoqërore që dëmton direkt interesat e qytetarëve, sipas tyre.

Më e keqja është se në betejën e statuseve dhe letrave, politikanët që e kanë humbur besimin dhe janë të angazhuar të mbajnë këtë gjendje të tmerrshme në të cilën ndodhet vendi, në vend të kërkojnë e të marrin përgjigje, kënaqen me pa-përgjigjen.

Nuk dihet si do të shkohet por për një gjë janë të gjithë të bindur, epistolarët e politikanëve tregojnë gjymtimin e vendit dhe një përpjekje të ankthshme për ta mbajtur vendin në këtë gjendje, pasi vetëm kështu mund të menaxhohet më lehtë. Ndaj politikanët do vazhdojnë e bëjnë letra e letra për të treguar sesa të paqëm janë para padrejtësisë që kanë mbathur kudo. (Javanews)

Share: