Nga Artan Boriçi
Në vitin 1991 Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e para shumëpartiake duke dhunuar Kushtetutën e vitit 1976. Shumë pak e kuptuan se ajo që po ndodhte do të kishte pasoja shumëvjeçare. Në atë kohë, një mik më thotë se tani ka vetëm poltikë dhe tregti, e kështu, ata që kanë mendim ndryshe janë të humbur. Fjala i doli dhe brezi i lindur në vitiet 1960 thuajse nuk u kthye më në atdhe. Ata zëvendësuan atdheun me kushtetutshërinë. Ata që ishin më të vjetër nuk kishin moshë integrimi jashtë vendit dhe përdorën racionalen “të marrim çfarë mund të marrim”. Kjo racionale u bë moto e ditës në Shqipëri ku çdo gjë shitej e blihej pa përjashtuar drejtësinë. Vendet e punës së garantuar për disa vite fitoheshin me përkatësi aktive partiake.
Papritur vjen një datë, 30 qershor 2019, ditë të cilën ndodh e papritura më e madhe në historinë shtetformuese të shtetit shqiptar. Fiton letra, pra gërma kushtetuese, përpara llogjikës shumë partiake të saj. Populli shqiptar është kapur mat! Si është e mundur?! Populli nuk njeh më shumë se dy sisteme: shtet pa liri dhe liri pa shtet. Sot, më datë 1 korrik, duket sikur zgjidhja e dilemës i përket vetëm mendësisë së kthimit në sistemitn me një parti! Bile shumë komentues mediatikë besojnë se kjo është e vërtetë!
E gjitha është një enigmë e madhe për popullin shqiptar, i cili, si çdo popull, e me të dretjë, e bazon gjykimin e shëndoshë mbi qënien e tij. Qënia shqiptare është e ndarë që gjatë luftës, ndasi që u konfirmua më 30 qershor. Në vija të trasha, votuesit shqiptarë mund të ndahen në votues që kërkojnë zgjidhje afatgjata dhe syresh që kërkojnë zgjidhje afatshkurta. Thënë ndryshe, votues që besojnë tek kontrata kolektive republikane dhe votues besojnë tek kontrata dy e nga dy e njerëzve të lirë. Për të parët 30 vitet e tranzicionit kanë qenë anarki, ndërsa të dytët kanë lulëzuar gjatë kësaj kohe. 30 qershori ishte festë për njërën palë dhe nënshtrim për palën tjetër. Partia Socialiste, fillimisht me emrin Partia Komuniste e më vonë Partia e Punës, ka dalë që më 8 nëntor 1941 pro idesë së shtetit. Fillimisht ajo ndërtoi një diktaturë nacionaliste të veshur me ideologjinë marksiste dhe leniniste, e në praktikë zbatoi socializmin stalinist me elita që plakeshin e nuk lëshonin udhë. Partia Demokratike ia doli që në zgjedhjet e para të tregonte se gjysmën e popullit e kishte me vete, çka hodhi poshtë pretendimin e Partisë së Punës. Partia Demokratike, në masë të madhe, u mbështet prej antikomunizmit dhe prej gjithë shtresave që e ndjenin veten të paplotësuar nën regjimin komunist. Koha e gjatë në diktaturë dhe ankthi i revanshit nuk i lanë kohë Republikës Popullore Socialiste të shndërrohet natyrshëm në një republikë liberale. Më 30 qershor 2019 Shqipëra për herë të parë pas tri dekadash po vë në zbatim kushtetutën gërmë për gërmë në një ngjarje madhore e kushte paradoksale.
Prandaj pyetja e sotme është nëse janë të gatshëm shqiptarët t’i nënshtrohen republikës? Timonierët e kësaj republike janë kryetarët e partive përkatëse. I pari e tregoi se pjesën e vet të detyrës e kryen shpejt. Partia Socialiste ia doli të reformohej, reformim ky që kundërshtari politik e quan kapje të Rilindjes. I dyti ka problem të jashtëzakonshëm: si të bindë masën që në thelb nuk dëshiron të bindet se republika është e vetmja mënyrë moderne e të jetuarit në shoqërinë njerëzore? Analiza e tipit Sherlock Holmes të veprimeve të tij të nxjerr në përfundimin se ai ka një plan të qartë për këtë që më 2017 por që asnjëherë nuk e ka thënë hapur. Adrenalina e Partisë Demokratike është ardhja në pushtet pa e lënë kundërshtarin të marrë frymë, ashtu siç bëri që prej 31 marsit 1991 deri më 20 mars 1992. Duke luftuar me emër dhe mbiemër kryeministrin, kryetari i opozitës rrit votat për pushtet dhe i errëson votuesit mbi qëllimin e vërtetë: ndonëse e ka shpallur Republikën e Re ai ka treguar vetëm elementë politikë të saj. Kjo mënyrë e të bërit politikë, ardhja në pushtet me anë të kryeministrit dhe bashkërendimin e veprimeve në largësi me të është zhgënjyese jo vetëm për demokratët, por edhe për popullin shqiptar. Futja në veprim e Gjykatës Kushtetuese pritet të largojë kryeministrin nga detyra. Ndërkohë ndëshkimi i korrupsionit elitar do të entuziazmojë demokratët për të dalë në votime. Por pas rrotacionit mënyra e tyre e perceptimit të shoqërisë pritet të goditet fort.
Shqipëria po hyn në një fazë të re falë dorëzimit të sovranitetit ndaj integrimeve rajonale e (ndoshta) evropiane. Një pjesë e popullit do përshtatet në këtë republikë e një pjesë jo, ashtu siç ndodh kudo. Republika ka dështuar anembanë botës të bëhet pjesë e gjithë popullit, por ne nuk njohim regjim më fleksibël se republika. Vendosja e republikës në Shqipëri do të shihet si tradhëti e udhëheqësit demokrat. Prandaj, ai duhet të jetë i hapur dhe transparent me përkrahësit e tij, sepse sapo të bëhet kryeministër do forcojë regjimin e taksave dhe do t’i rrisë ato gradualisht. Ai duhet t’i tregojë përkrahësve të vet se si do ta zgjidhë “burgosjen” e lirisë së tyre ndaj republikës. Është detyrë e çdo udhëheqësi modern ta bëjë këtë me guxim. Nëse nuk e bën e ardhmja e republikës do vihet në rrezik. Nëse e bën, atëhere më mirë për të gjithë e ndoshta jo fort mirë për të personalisht. Shqipëria kërkon udhëheqës vizionarë!