Nga Genc Burimi
Opozita PD-LSI shpresoi dhe militoi deri në sekondën e fundit për mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Një strategji që dështoi pasi rezultoi po aq e gabuar sa edhe dalja a parakohshme nga çadrat e dy viteve më parë për të marrë me naivitet pjesë në zgjedhjet legjislative të 2017-s. Kjo opozitë është gjithmonë një hap mbrapa. I mbetet tani PD-LSI-së të shpresojnë se e treta do të jetë e vërteta. E treta janë medoemos zgjedhjet legjislative të 2021-it. Duhet punuar që tani për to, ashtu siç duhej punuar për zgjedhjet lokale që të nesërmen e dështimit të zgjedhjeve të qershorit 2017.
FITORE E FAKTORIT NDËRKOMBËTAR
Fituesi real i këtyre zgjedhjeve lokale në Shqipëri është komuniteti ndërkombëtar, që ia futi këmbët në një këpucë opozitës së zotit Basha, ashtu siç ia bëri dhe në 2017-n kur e detyroi të paloste çadrat e të hynte si me bisht në shalë në zgjedhjet legjislative. Kësaj radhe, ndërkombëtarët, që duhen nënkuptuar amerikanët, pragmatikë si gjithmonë, nuk u preokupuan shumë nëse opozita do merrte pjesë apo jo në këto zgjedhje lokale, aspak përcaktuese për qeverisjen e Shqipërisë. Vëllai i madh amerikan u mjaftua të ngrysë vetullat e t’i thotë konserciumit Basha/Kryemadhi se po të vinin dorë mbi këto zgjedhje, ishin partitë e tyre që do të viheshin në listat e ngjashme me organizatat terroriste në botë. Çfarë poshtërimi! Po a meritonte më shumë Lulzim Basha, që po i superposhtëron shqiptarët me tekat e një rrufjani profesionist, teksa ulëret si ai hajduti, kapeni hajdutin?
Nuk ka sesi të zgjohet Lulzim Basha më 2019-n e të zbulojë se zgjedhjet u vjedhkan në Shqipëri?! Se KQZ qenka partiake, se numëruesit qenkan partiakë, se kutitë e votimit zhvendosen si në një mbrëmje vallëzimi?! Dhe të gjitha këto ndodhin mbi baza të pastra legale në Shqipëri. Por në ç’vend tjetër të botës demokratike hasen këto praktika bizantine që kurrë më parë as Berisha, as Basha, as Meta, as Kryemadhi, as Nano, as Rama, nuk i kanë denoncuar apo modifikuar, pasi të gjitha palëve këto metoda, që të siguronin një rotacion të pushtetit, u vinin për shtat? Nuk ka qorr më të madh se ai që s’do të shohë dhe as shurdh më të madh se ai që s’do të dëgjojë. Demokracia shqiptare po paguan thjesht papërgjeshmërinë e liderëve të saj e kryesisht të atyre të opozitës, të cilët asnjëherë nuk kanë kërkuar e treguar me masa konkrete se çfarë do të ndryshonin në organizimin e zgjedhjeve po të vinin në pushtet. Mëkatarët e djeshëm nuk mund të jenë dallëndyshet e fitores së të nesërmes. “Një botë e re duhet të lindë gërmadhash” me praktika totalisht radikale, në sensin më pozitiv të fjalës.
PËR NJË BING-BANG INSTITUCIONAL DHE ELEKTORAL
Çdo ndodhë tani pas 1 korrikut? Dy rrugë shtrohen para çiftit mediatik opozitar Basha/ Kryemadhi. Ose opsioni afrikan i vazhdimit të ostracizmit të pushtetit, të mosnjohjes së zgjedhjeve, të mosnjohjes së institucionit të Parlamentit, të Kryeministrit, deri sa Edi Rama të gjykohet e të përfundojë në burg. Ekzakt si ato opozitat puçiste në Afrikë, që nuk ngurojnë të shkojnë deri në përplasje me armë, duke nxitur popullin për luftë civile. Ekzakt si ato opozitat bajate në Afrikë, që premtojnë syrgjynosje apo deri në varje nga këmbët të pushtetarëve të korruptuar pa thënë se me ç’gjykatës të pastër do i spastrojnë vendet e tyre nga hajdutët. Ky është Basha, mbamëni se do u bie, sapo të më ribëni nuse, ashtu siç gafurrej Berisha në opozitë kundra megahajdutit Nano që do ta varte në ruspë. Shqiptarët janë të lodhur nga këto kinezërira. Mjaft! Ose dyshja Basha/Kryemadhi do të zgjedhë rrugën e dytë, atë të arsyes, të mendimit demokratik e kartezian europian. Atë të reflektimit mbi atë që nuk funksioni dhe korrigjimit të gabimeve. E ftoj solemnisht zotin Basha ta fusë në axhendën e tij datën e 13 tetorit, që fiksoi Presidenti Meta për zgjedhjet lokale. Ajo datë të ruhet për mbajtjen e një tryeze të madhe politike, për një kuvend gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike të regjistruara në Ministrinë e Drejtësisë për të vendosur aty qoftë me votë të barabartë për të gjithë partitë, sesi duhet të mbahen zgjedhjet legjislative të 2021-it, sesi do të kontrollohet vota jo vetëm në territorin e Shqipërisë po dhe kudo ku diaspora do të votojë për herë të parë në historinë e këtij vendi. Është ky i vetmi kusht i opozitës nëse kjo do ta kishte vendosur që më parë, që perëndimorët do ta kuptonin, do ta mirëprisnin dhe do ta mbështesnin pa asnjë rezervë. Europës dhe SHBA-ve nuk u thuhet si një politikan afrikan i pagdhendur se nuk shkoj kurrë në zgjedhje pa u arrestuar me parë Edi Rama! Asnjë kanceleri s’do ta pranonte e s’do tá pranojë kurrë, pasi i bën autogol vetes. Kaq s’e kuptonte Lulzim Basha që ka jetuar në perëndim dhe i njeh kodet e vendeve të civilizuara? Europës i thuhet se opozita e bashkuar (dhe jo vetëm dy parti) nuk shkojmë në zgjedhje, nëse ju nuk na impononi të njëjtin kuadër elektoral që keni në vendet tuaja. Europës dhe SHBA-ve u flitet me kodet e tyre. Kodet e tyre përbëjnë fjalën reformë dhe jo tekat “nuk hyjmë në zgjedhje po s’iku filani apo fisteku”.
Më mirë vonë se kurrë. Në Kuvendin e 13 tetorit, që duhet të mbahet si ditë e vërtetë e zgjedhjeve të një formati të ri, të paparë, historik e superdemokratik, nëse Basha dhe Kryemadhi kërkojnë vërtet t’u pëlqejnë shqiptarëve dhe Perëndimit, le të guxojnë këto gjëra:
– Mandat maksimal 4-vjeçar unik për çdo pushtetmbajtës, president, kryeministër, ministër, kryebashkiak. Dy mandate maksimale për deputetët. Vetëm kështu politikanët do të tregojnë se duan më shumë Shqipërinë se karriget e tyre, se janë të aftë të kenë një zanat si gjithë të tjerët e mos të jetojnë në kurriz të popullit që u paguan rrogat edhe në qeveri, edhe në Parlament, edhe në opozitë. Burra shumë më të mirë se tá demokracia e vërtetë i ka nxjerrë me ligj “në pension”. Amerika po bën fare mirë dhe pa Bushët, dhe pa Klintonin, dhe pa Obamën. Dhe sa vjet ne shqiptarët do t’i shqiptojmë emrat Rama, Basha, Meta, Kryemadhi…
– 10 vjet burg për çdo person që bën presion mbi nëpunës administrate që të votojë në zgjedhje apo të shkojë në mitingje partiake. Ta mendojnë mirë ata shefa që mbjellin terror e shantazhojnë me vende pune se po të regjistrohen me zë apo imazh, i pret më i tmerrshmi i dënimeve.
-Zëvendësimi i formatit aktual të KQZ-së nga një organizëm apolitik (qytetarë me short, apo një shëmbëlltyrë e ONM-së, apo një gjykatë…) pas një pune krahasuese me praktikat më të mira në Perëndim
-zëvendësimi i komisionerëve dhe numëruesve të votave nga personel apolitik ( qytetarë me short, apo vëzhgues të huaj të paguar nga Shqipëria, apo thjesht nga prokurorë e zëvendësprokurorë në zonat më të dendura elektorale) pas një pune krahasuese me praktikat më të mira në Perëndim.
-Vendosja e votimit elektronik pas një eksperimentimi në shkallë kombëtare, duke organizuar për këtë rast qoftë një referendum mbi një temë jo shumë polemike politikisht, si nga ato që organizohen me dhjetëra në Zvicër.
-Kufizim i pushtetit të kryetarëve të partive në caktimin e emrave të kandidatëve në listat zgjedhore me anë të stimujve: ose duke dyfishuar financimin publik të partive politike, që organizojnë primare si në ShBA apo metoda të tjera inovuese, ose duke u dhënë partive që zvogëlojnë rolin e shefit më shumë vende të rezervuara në Parlament
-Përcaktim i qartë i dy funksioneve të Presidentit të Republikës, që krijuan gjurulldi institucionale: a ka të drejtë ai të bllokojë emërimin e ministrave, apo të anulojë datën e zgjedhjeve.
Një epokë e re duhet të fillojë për demokracinë shqiptare. Ajo e vënies së interesit të përgjithshëm mbi atë vetjak. Kush më mirë për të dhënë shembullin sesa opozita që aspiron të qeverisë një ditë?
Duke ditur se me këto kërkesa ndreqet pak a shumë vetëm problemi i kornizës së demokracisë. Pasi për përmbajtjen, duhet më pas t’u kërkojmë partive opozitare që duan pushtetin programet. Ekonomike sigurisht, por urgjentisht atë mbi drejtësinë, pasi reforma aktuale nuk i pëlqen asnjë partie opozitare. Dhe kur s’ke program, premton burgje. Andaj rinovimi i klasës politike me mandate unike nga miti duhet të shndërrohet në realitet, sa me pare, sa me shpejt…