Vendimet e reja: Si do të punësohen mësuesit e rinj këtë vit. Flet drejtoresha në MAS: Ja kur nisin provimet

Sociale

Besarta Basha

Risitë në mënyrën sesi do të emërohen dhe punësohen mësuesit në arsimin parauniversitar, në bazë të udhëzimit të ri të ministrisë për këtë vit, kanë sjellë paqartësi te mësuesit.

Teksa kanë mbetur edhe katër ditë afat për t’u bërë pjesë e garës me dorëzimin e dosjes personale me postë në drejtoritë e paracaktuara, drejtoresha e përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Zamira Gjini, në një intervistë për gazetën, zbulon diçka më tepër mbi mënyrën sesi do të konkurrojnë, testohen e punësohen mësuesit e rinj këtë vit.

Drejtoresha apelon mësuesit të kenë kujdes në kontaktet e dërguara, pasi përmes tyre do të njoftohen nëse hapet një vend pune, jo më nga Drejtoria Arsimore, por direkt nga portali “Mësues për Shqipërinë”.

Prej pesë vitesh, çdo emërim bëhet përmes portalit.  Ndaj, drejtoresha e MAS fton të gjithë të interesuarit të bëhen pjesë e tij. Vitin e kaluar, përmes tij, janë punësuar afro 1700 mësues.

Ka mijëra mësues të papunë në pritje të provimit, i cili i fut në listë për vendet vakante që do të krijohen. Për pak ditë mbyllet afati i dorëzimit të dosjes, që është faza e parë, por për testimin keni caktuar një datë?

Portali “Mësues për Shqipërinë” është një sistem që aplikohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) që prej 5 vitesh, i cili tashmë që në korrik të 2018-tës është bërë pjesë e ligjit të arsimit parauniversitar, që do të thotë se kush nuk zbaton portalin “Mësues për Shqipërinë”, ka shkelur ligjin.

Në datën 22.05.2019 ka dalë udhëzimi nr. 13 i ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), i cili u shërben të gjithë kandidatëve që duan të ushtrojnë profesionin e mësuesit në sistemin arsimor parauniversitar për mënyrën sesi ata të aplikojnë për të qenë pjesë e portalit “Mësues për Shqiprinë”.

Njëkohësisht, u shërben edhe njësive arsimore sesi ato të kryejnë procedurat e konkurrimit. Konkurrimi zhvillohet në dy faza: Faza e parë është ajo nëpërmjet dosjeve, ku kandidatët, nëpërmjet shërbimit postar, aplikojnë në një nga katër drejtoritë rajonale (Drejtoria Rajonale Durrës, Drejtoria Rajonale Korçë, Drejtoria Rajonale Lezhë dhe Drejtoria Rajonale Fier) – aty ku kanë vendbanimin. Kandidatët kanë të drejtë të konkurrojnë për vende pune deri në tri (3) zyra arsimore dhe afati i dorëzimit të dosjeve është deri më datë 5 qershor.

Faza e dytë është nëpërmjet testimit të informatizuar që do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), duke filluar nga data 10 korrik, sipas një kalendari, i cili do të gjendet i publikuar në web-in e QSHA-së. Gjatë vitit 2018-të, janë punësuar rreth 1,700 mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”.

Mund të na thoni diçka më tepër mbi testimin e informatizuar?

Në testim do të marrin pjesë vetëm ata kandidatë, të cilët kualifikohen në fazën e parë të konkurrimit, në atë me dosje. Ata duhet të paraqiten në QSHA me formularin përkatës të regjistrimit.

Testimi bëhet i dixhitalizuar, është individual dhe sipas profilit lëndor. Është një sistem provimi njësoj si ai i licencimit të mësuesve me standarde të larta të sigurisë në administrim dhe që monitorohet edhe nga Ministria.

Testet hartohen nga një fond pyetjesh të përgatitura nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë dhe mbështetur në programet orientuese, të cilat mësuesit mund t’i gjejnë në web-in e ASCAPit dhe QSHA-së. Këto programe do t’u shërbejnë mësuesve gjatë përgatitjes së tyre për testimin. Testi është i përbërë në dy pjesë: a) pjesa që mbulon standardet e përgjithshme të mësuesit dhe b) pjesa tjetër që lidhet me standardet lëndore. Konkurruesit njihen me rezultatin menjëherë sapo mbarojnë testimin. Dosjet e kandidatëve vlerësohen me pikë nga një komision, që ngrihet në drejtoritë rajonale.

Pikët e marra në dosje mblidhen me pikët e testimit dhe më pas kandidatët renditen sipas pikëve totale, duke filluar nga ai që ka më shumë pikë. Renditja bëhet sipas zyrave arsimore vendore dhe është transparente për të gjithë. Më pas, mësuesi që ka pikë më shumë për vendin e lirë të punës do të njoftohet nëpërmjet postës elektronike (në adresën e e-mailit) që aplikanti ka vënë në dosjen e aplikimit.

Kandidatët duhet të bëjnë kujdes për këtë adresë sepse ajo duhet të jetë funksionale pasi nëpërmjet saj ata do të njoftohen për vendin që mund të punësohen, por edhe do të kthejnë përgjigje brenda një afati prej 24-orësh nëse janë dakord ose jo për atë vend pune. Kandidati ka të drejtë të refuzojë vendet e punës deri në pozicionin që ai preferon. Ky është një sistem i meritës dhe preferencës.

Ndryshe nga vitet e kaluara, është përfolur më herët për disa risi që do të implementohen këtë vit në portalin për emërimin dhe pranimin e mësuesve. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

Portali “Mësues për Shqipërinë” është vlerësuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, duke u cilësuar si një sistem që rregullon futjen, rekrutimin e mësuesve në arsim dhe shmang korrupsionin, nepotizmin apo shfaqje të tjera që prishin procesin. Ne kemi synuar të ngremë një sistem të standardizuar, i cili rregullon punësimin e mësuesve në sistemin parauniversitar. Nga ana tjetër, është e rëndësishme që ky sistem monitorohet gjatë zbatimit në të gjitha drejtoritë arsimore.

Kandidatët duhet të regjistrohen online në portalin “Mësues për Shqipërinë”, për të qenë pjesë e konkurrimit, në rast të kundërt, e humbasin të drejtën për t’u punësuar. Drejtoritë rajonale kanë detyrimin të shpallin vendet vakante si dhe punësimet për çdo institucion arsimor në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

Mësuesi, kur pranon të punësohet në një vend të lirë pune, do të ketë aksesin në platformë të marrë një fletë konfirmimi, të cilën do ta paraqesë te drejtori i shkollës dhe më pas do të kontratën e punës me të. Pra, kjo procedurë, ky sistem, do të shmangë kontaktin e mësuesit, qoftë me drejtoritë arsimore, qoftë edhe me drejtorin e shkollës.

Doja të ndaleshim pak te cilësia e mësuesve. Qeveria ka marrë një vendim, duke rritur pragun hyrës për fakultetet e edukimit. A garanton kjo gjë mësues të mirë në përfundim? Kam parasysh faktin që të paktë janë ata studentë që e ruajnë mesataren, me të cilën janë futur deri në fund të shkollimit…

Pragu i notës mesatare për ata që duan të studiojnë në fakultetet e edukimit është rritur në dy vitet e fundit. Një vit përpara u vendos nota 7 dhe këtë vit është vendosur nota mesatare 7.5. Vendosja e këtij pragu mundëson që në këto programe që formojnë mësues për sistemin arsimor parauniversitar, do të shkojnë studentë më cilësorë. Pra, do të kemi mësues më cilësorë në sistemin parauniversitar.

Një nga prioritetet e MASR është cilësia e mësuesve në sistem, e cila realizohet nëpërmjet përmirësimit të formimit të mësuesve në fakultetet e edukimit dhe zhvillimit profesional të mësuesve në sistem.

Aktualisht, gjysma e mësuesve rezultojnë ngelës në provimin e shtetit. Çfarë keni ndërmend të bëni në këtë drejtim?

Është e vërtetë që mësuesit ngelin gjatë provimit të shtetit dhe ne i kemi parë këto të dhëna të kalueshmërisë së provimit çdo vit. Kemi dy anë të medaljes. E para, provimi është shumë rigoroz, me standarde të larta të administrimit dhe nuk ka asnjë mundësi kopjimi. Pra, mësuesi aq sa di, aq do të reflektojë dhe kjo është një gjë shumë e mirë sepse nuk ka mundësi të kalojë ai që nuk e meriton.

Nga ana tjetër, po punojmë me fakultetet e edukimit nëpër universitete në dy drejtime: a) në përafrimin e kurrikulave në të gjitha fakultetet e edukimit, ku 80% e tyre të jenë njësoj, pavarësisht universitetit ku bëjnë pjesë; b) e dyta, kurrikulat për formimin e mësuesve të jenë të përditësuara me kurrikulat e arsimit parauniversitar, e cila është një kurrikulë e re e mbështetur në kompetenca.

 

Share: