Historia e 41-vjeçarit nga Fieri trondit Italinë, emigranti shqiptar shkruan librin autobiografik

Kulturë Libri

KLOTILDA HARKA/ Një shkrimtar i panjohur që godet në shenjë me herën e tij të parë. Ëndrrat, shpresat dhe aventurat e një shqiptari në Itali, janë historia personale në librin që po fikson italianët që nga muaji janar, kur historia personale pa dritën e botimit.

Autori Eltjon Bida është 41-vjeçari i lindur në fshatin e vogël Bashkim të Fierit, që sot po intervistohet nga emrat e njohur të medias italiane për historinë e jetës që e rrëfen në librin autobiografik “C’era una volta un clandestino” (Na ishte një herë një klandestin). Udhëtimin me gomone dhe gjithë aventurat e një 17-vjeçari që në Shqipëri s’përfundoi dot gjimnazin, por që sot flet 6 gjuhë të huaja, i zbulon në këtë intervistë të parë për “Panorama Plus”.

 

Libri yt autobiografik “C’era una volta un clandestino” ka tërhequr vëmendjen e italianëve që nga publikimi në muajin janar. Si të lindi ideja për të rrëfyer dy vitet e para të emigrimit në Itali, në një libër?

Kur u tregoja shoqeve dhe shokëve të mi italianë se si kisha ardhur në Itali, peripecitë, gëzimet dhe aventurat e mia, të gjithë më thoshin: “Uau! Ç’histori! Eltjon, ti duhet të shkruash një libër!” Pastaj, mua librat gjithmonë më kanë pëlqyer, sidomos që kur u lidha me bashkëshorten time. Ajo në darkë nuk shikonte televizor, por lexonte. E admiroja për këtë dhe fillova ta kopjoja. Tani do të them një gjë që do të të bëjë për të qeshur! Ngaqë ne vetëm lexonim dhe televizorin s’po e shihnim më, atëherë ua bëmë dhuratë prindërve të mi kur ata donin të blinin një televizor tjetër sepse u ishte prishur i tyri. Pra, kisha një histori të bukur, më pëlqente të shkruaja dhe lexoja, dhe atëherë thashë: “Përse mos ta provoj!”.

Marrëveshjet me kontrabandistët e skafistët, udhëtimin me gomone, si u prite apo u trajtove në Itali janë detaje që ti i shkruan në librin tënd. Është e gjitha një eksperiencë mbijetuese nga e cila dhe mund të mos kishe shpëtuar gjallë?

Libri fillon nga dita që u nisa në Itali. Domethënë tregoj marrëveshjet që unë edhe im atë bëmë atë ditë me kontabandistët. Unë në fillim provova të nisesha me dokumente false, por dështova. Në të njëjtën ditë kur më kthyen mbrapsht, i thashë babit që unë në fshat nuk kthehesha më. Do provoja të nisesha me gomone. Nuk më tha jo dhe kështu, ashtu si ishim akoma në Vlorë, shkuam dhe folëm me skafistët. Para se të nisesha me gomone, nuk kisha frikë. E di, që kur trurin e ke tek Italia s’të shkon fare mendja te frika.

Por ama, kur je në mes të detit që kërkon të përpijë me dallgët e tij, thua me vete: Ç’më bëre, o kokë! Dhe po, aty rrezikon vdekjen. Isha me fat dhe ia dola mbarë! Në Itali u prita mirë. Kur arrita në Pescara, i telefonova “të fejuarit” italian të kushërirës time që të vinte të më merrte. Ai s’dinte gjë fare për mua! Them të fejuarit me thonjëza, sepse ai e kishte lënë kushërirën, por unë s’dija gjë fare. Por megjithatë nuk më la në baltë. Erdhi, më mori, më punësoi në fushë dhe gjithashtu duhej të kujdesesha për bagëtitë e tij, dhe ajo familje më ndihmoi të shërohesha nga guri që kisha në veshka. Me para, që domosdo i pagova unë me rrogat e mia, por sidoqoftë më ndihmuan dhe unë ua di për nder. I kemi mbajtur lidhjet dhe akoma sot dëgjohemi dhe pothuajse vit për vit takohemi dhe hamë një drekë bashkë.

Eltjon Bida2

Humbja e vëllait dhe nisja e kërkimit në Milano ka shenjuar jetën tënde në këtë rrëfim. Ishe një Don Kishot që luftoje me mullinjtë e erës, apo një fitimtar real i kohëve moderne?

Të kërkoja vëllain tim në mes tre milionë personave, që kishte Milano, ishte njëlloj si të kërkoja një gjilpërë në kashtë. Edhe sepse unë nuk kisha as numër telefoni, as adresë dhe asgjë. Nuk e di kujt personazhi mund t’i përshtatesha, por ama di, që dëshira që kisha për ta gjetur ishte jashtëzakonisht e madhe. Doja ta gjeja, jo vetëm sepse ishte vëllai im, por për të bërë të lumtur atë mama që e qante natë për natë me lot.

Ti flet për aventurat me një vajzë italiane dhe shumë aventura të tjera. Ç’mund të veçosh nga kjo histori dashurie si emigrant?

E vërtetë, flas për shumë aventura. Tregoj jo vetëm eksperiencën me gomone apo jetën që bëja në Abruzzo. Unë tregoj edhe si për muaj me radhë flija në vagonë mallrash treni dhe haja bukë nëpër qendra bamirësie. Këto qendra që si unë, kanë ndihmuar dhe mijëra emigrantë të tjerë. Prandaj edhe 10% të fitimit nga shitja e librave ia jap një qendre bamirësie.

Në libër flas edhe për dy shokë që morën një rrugë të keqe e shumë aventura të tjera. Po, në romanin tim tregoj edhe për marrëdhëniet që kisha me një vajzë italiane. Tregoj çdo detaj me të. Si u njohëm, ç’bëmë atë natë në ditëlindjen e saj, si shkoja ta takoja fshehurazi, duke u futur nga dritarja e dhomës së saj, kur prindërit i flinin në katin më sipër dhe nuk dinin gjë për ne. E pranoj, tregoj edhe momentet tona intime për t’i dhënë librit edhe atë sfondin rozë. Librin e doja që t’i ishte i veçantë, aktual dhe besoj ia kem arritur qëllimit. Më fal, por nuk mund ta them se jam me të apo jo, se më heq kureshtjen e librit tjetër që jam duke e mbaruar së shkruari. Për çështje privacy-je i kam ndryshuar emrin. Jo vetëm asaj, por të gjithë personazheve në librin tim.

Eltjon Bida1

Deri tani po njihemi me heroin e librit, i mirë në gjithçka duke ndryshuar opinionin për shqiptarët. Ka një anë të errët në gjithë këtë histori, pra, në këto vite e ke provuar drogën, të frekuentosh prostituta, apo të jesh pjesë e bandave?

Sinqerisht, unë nuk kam futur kurrë as edhe një cigare në gojë, lëre më drogën. As edhe me banda nuk jam marrë asnjëherë. Përsa u përket prostitutave, kam kërkuar të shkoj, por pa sukses. Të paktën jo në këtë libër dhe e tregoj ç’ndodhi. Mbase në librin e dytë? As këtë nuk mund ta them. Pse? Mund të më pyesësh. Sepse kam ndërmend që vitin që vjen, t’i shkruaj librat edhe në shqip. Prandaj, dua që ta lë lexuesin kureshtar dhe mos t’i zbuloj të gjitha sekretet në këtë intervistë.

Më treguat se këto tre muaj keni pasur 15 intervista nga gazeta të ndryshme, radio dhe televizione në Itali. Kush nga gazetarët e njohur italianë të ka intervistuar, dhe mund të themi se je bërë i famshëm?

Po, më ka intervistuar gazetarja e “Rai”-t Camilla Manconi, ajo e “AracneTV”, Eleonora De Nardis. Gazetarja e “Spazio Cronaca” Giovanna Tedde, nga “Hashtag Magazine”, kam qenë i intervistuar nga Francesco Fravolini, në “Radio 24” nga Valentina Furlanetto, pastaj ajo e “Milano Today” Eleonora Dragotto, dhe po lë për në fund të madhin Maurizio Costanzo në “Radio105”. Ka nga ata që më konsiderojnë të famshëm, veçanërisht shqiptarët, familjarët, apo ata që banojnë në lagjen time (qesh). Por unë them se jo, nuk jam ende i famshëm!

Po shitjet e librit si kanë ecur dhe ëndërron ta bësh film?

Shitjet po ecin shumë herë më mirë se ç’pritej. Kur libri u publikua, të gjithë më thoshin që unë do filloja të shikoja shitjet e para vetëm pas një viti. Pra, asnjë s’mendonte që një shkrimtar i panjohur si unë të bënte kaq shumë rrugë në një periudhë kaq të shkurtër. Kush e ka lexuar librin, mendon që mund të dalë një film fantastik, edhe unë i të njëjtit mendim jam, dhe po, e kam në plan. Prandaj dhe bashkëshortja ime e ka përkthyer në anglisht. Duke e pasur librin të njohur në gjithë botën, automatikisht do të ketë më shumë shanse. Të shohim! Për momentin, s’kam pasur asnjë propozim. Mos të harrojmë që libri doli vetëm në 7 janar të këtij viti. Pra, s’ka as pesë muaj që ka dalë.

Kur bën një reflektim kush ishe në Shqipëri dhe çfarë ke arritur me jetën si emigrant në një vend europian si Italia, si mund ta mbyllje këtë intervistë të parë për Shqipërinë në vend të epilogut?

Shprehja që përdor në italisht është: “Sto vivendo tra le nuvole”. Pra, “po jetoj në një ëndërr”. Një ëndërr shumë të bukur, e cila shpresoj të zgjasë sa më gjatë. Ky ndryshimi im më bën të lumtur jo vetëm për veten dhe familjen time, por më duket se po bëj diçka të bukur edhe për Shqipërinë. Siç kanë bërë e po bëjnë shumë artistë shqiptarë, edhe mua më duket sikur po marr pjesë në atë grup që po i tregon botës që ne shqiptarët kemi talent.

 

\Panorama

Share: