“Thika e pushtetit ka prekur palcën!”- Pas pak nis protesta e opozitës/ Veprimi i 250 të rinjve të FRPD

Aktualitet Politikë

Opozita do të protestojë sërish sot kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. E teta protestë kombëtare e thirrur nga opozita që doli nga parlamenti duke djegur mandatet në fund të shkurtit me kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, partitë opozitare me në krye PD-në kërkojnë largimin e kryeministrit dhe ngritjen e një qeverie tranzitore që do e përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme që do i hapin vendit rrugën e integrimit.

 

Mijëra qytetarë janë nisur nga rrethet për t’u mbledhur para Kryeministrisë në orën 19:00. Pak orë para nisjes së kësaj proteste, lideri i opozitës Lulzim Basha iu ka bërë thirrje qytetarëve të vijnë në protestë pasi sipas tij vetëm vota e lirë do të sjellë një qeveri që iu shërben njerëzve.

Për protestën është parashikuar që 1700 efektive policie të jenë në gatishmëri. Partia Demokratike ka kërkuar një marshim protestë nga ora 19:00 deri në mesnatë, ndërsa policia i ka kthyer shkresë se e lejon të protestojë vetëm para godinës së Kryeministrisë tek bulevardi “Dëshmoret e Kombit” dhe deri në orën 21:00.

Ashtu siç dhe në protestat e mëparshme, në dispozicion të policisë do të jenë edhe makina të zjarrfikëseve, ambulancat, si dhe kamerat e sigurisë për të vrojtuar ecurinë e protestës dhe incidente të mundshme gjatë saj. Edhe këtë herë, nuk do mungojnë as autobotet specialë të përdorura nga policia, e cila lëshon ujë dhe gaz dhe ka si qëllim shpërndarjen e turmës.

250 të rinj të FRPD me shirita të bardhë

Ora 18:30- 250 të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike do të jenë ruajtësit në protestën e opozitës. Mësohet se të rinjtë janë vendosur shirita të bardhë në krahë në shenjë paqe për të siguruar qetësinë dhe për të mos lejuar konfrontimin e protestuesve me policinë.

Te Rinjte Me Shirita

Basha apel qytetarëve: Vota e lirë sjell një qeveri për njerëzit

Ora 17:00- Dy orë përpara nisjes së protestës kombëtare tek kryeministria, kreu i opozitës Lulzim Basha ka ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës për të bërë të mundur çlirimin e vendit nga një qeveri e korruptuar, që vendos kundër interesave të tyre. Në videon e publikuar lideri i opozitës jep disa mesazhe të rëndësishme jo vetëm për qeverisjen, por edhe si duhet të jetë qeveria e shqiptarëve, pasi të fitohet beteja për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Asnjë hap pas për çlirimin evendit nga e keqja”- shprehet i vendosur kreu i opozitës, i cili fton qytetarët në orën 19.00 në protestë, duke renditur edhe arsyet për t’iu bashkuar protestës.

“Pushteti i krimit ka rënë!Parlamenti është i paligjshëm!
Fëmijët e shqiptarëve janë pa buke!

Shtëpitë po prishen për korrupsion.
Drejtësia eshtë e kapur!
Binznesi po rrënohet!
Dhuna godet kudo!
Thika e pushtetit ka prekur palcën!
Nuk durohet më!
Vetëm vota e lirë do të sjellë një qeveri që punon për njerëzit! Për mirëqenie! Për punësim! Për zhvillim! Vetëm standardet dhe demokracia, do të hapin rrugën tonë drejt Europës!”- thuhet në mesazhin e liderit të opozitës Lulzim Basha.

Fierakët drejt Tiranës, Baçi: Paralajmërimi i fundit për Ramën

Ora 16: 30- Qindra mbështetës të opozitës janë nisur nga Fieri drejt kryeqytetit për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “BalkanWeb” se protestuesit janë nisur me autobusë dhe mjete private.

Kreu i PD-së Fier Luan Baçi i kërkoi sërish kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen. Sipas tij, ky është paralajmërimi i fundit.

“Sot Rama merr paralajmërimin e fundit. Aksioni opozitar është në vazhdimësi. Rama bën mirë të jap dorëheqjen dhe të lërë presionet dhe shantazhet. Të lërë retorikën e tij të sëmurë burg, burg, burg se nuk i tremb dot qytetarët shqiptarë. Çelja e fushatës dhe mënyra e hapjes së saj ishte një fushatë funerali për Rilindjen e tij. Është mirë të mbledh mendjen e të japë dorëheqjen për të mirën e PS dhe të qytetarëve shqiptarë. Protestat do vijojnë, kjo e sotmja është më e fuqishme. Do të vijojmë deri në rrëzimin e tij dhe nuk ka asnjë shans të shkojë në zgjedhjet e 30 qershorit”, deklaroi Baçi.

Share: