Peticion kundër Gjinushit/ Pedagogët, kërkesë Presidentit: Mos e dekreto

Aktualitet Kryesore Politikë Sociale

Një javë nga zgjedhja e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, një grup pedagogësh i kërkojnë Presidentit të Republikës mosemërimin e tij.

Përmes një peticioni, nismë e ndërmarrë nga ish-zv/ministri i Arsimit, Taulant Muka, ka nisur mbledhja e firmave “online” për të kundërshtuar miratimin e kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave.

Në peticionin drejtuar kreut të shtetit, pedagogë e akademikë të cilët nuk duan të bëhen publikë, thonë se zgjedhja e Skënder Gjinushit bie ndesh me ligjin për akademinë, i cili thotë se anëtarët e rregullt nuk duhet të kenë poste politike.

Po sipas peticionit thuhet se kryetari i ri i zgjedhur nuk ka asnjë kontribut në shkencë, madje rezulton me zero publikime nga të dhënat bibliografike ndërkombëtare.

Skënder Gjinushi është autori i reformës në Akademinë e Shkencave. Ndërsa në 24 maj, pa rivalitet në garë dhe me shumicë votash u zgjodh në krye të Akademisë.

Presidenti i Republikës ende nuk është shprehur për dekretimin ose jo të tij.

Share: