Përgjithësisht shqiptarët urojnë “Gëzuar ditëlindjen!” ose “Urime për ditëlindjen!”. Ndërkohë, në fjalorin e gjuhës shqipe i njëjti koncept shënjohet edhe me fjalën “datëlindje” dhe jo rrallë ndeshim diskutime se cila është trajta e saktë që duhet të përdorim. Kjo dilemë shtohet nëse shohim shpjegimet në Fjalorin e Gjuhës Shqipe ku secila fjalë të shpie tek i njëjti koncept. Konkretisht:
ditëlindje, ~ja
- Dita e lindjes së dikujt; kremtimi i kësaj dite çdo vit; datëlindje. Ditëlindja e vajzës (e djalit, e shokut). Dhurata për ditëlindjen. Ka ditëlindjen. I festuan ditëlindjen. Gëzuar ditëlindjen!
datëlindje, ~ja
- Data e lindjes së një njeriu, e cila zakonisht shënohet në letërnjoftimin e tij a në ndonjë dokument tjetër; festa që bëhet në familje a në një kolektiv me këtë rast. Datëlindja e vajzës (e djalit). Janë të një datëlindjeje. I ç’datëlindjeje je? I festuan (festoi) datëlindjen. Ishin në një datëlindje.
Duke qenë se shenjojnë të njëjtin kuptim, në Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe sugjerohet se përdorimi i të dyja trajtave është normativ. Megjithatë, për shkak të përdorimit të gjerë tashmë është ngulitur si formë, varianti “ditëlindje”, variant i cili diktohet në analogji edhe me gjuhë të tjera evropiane.
Krahasimi me përcaktimet që u bëhen festave të ndryshme, përbën një tjetër argument për ta pranuar si normative trajtën “ditëlindje”, sepse ne zakonisht themi: Festojmë Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë, Ditën e Nënave etj. /https://redaktori.net