Basha nga Fieri: Askush nuk e ndal fuqinë e bashkimit tonë

Aktualitet Kryesore Politikë

Me tone të ashpra, i vendosur për të mos bërë asnjë hap pas në kërkesat e tij u shfaq edhe sot në Fier, kryedemokrati, Lulzim Basha.

“Ju them se ora për fitoren e kësaj beteje po afron. Po afron ora për çlirimin e Shqipërisë. Ka marrë fund koha kur një njeri vendos për fatet e të gjithëve. Dialogu mbarëkombëtar do bëjë të mundur që duke përfshirë gjithë shqiptarët t’i japim fund kësaj krize. Propozimet tona do diskutohen kudo në Shqipëri”,- tha Basha.

Pavarësisht ftesave për dialog, kryedemokrati artikuloi qartë madje u zotua se nuk do të bëjë asnjë kompromis me të keqen, duke iu referuar kështu qeverisë Rama.

“Nga ne sot kërkohet që të mos bëjmë asnjë kompromis. Dhe unë vëllezër e motra jam këtu për tu zotuar: Asnjë kompromis, asnjë pazar me të keqen. Sot e keqja është më e rrethuar se kurrë. Është një pikëz ishulli i rrethuar nga oqeani i zemërimit popullor. Kjo është beteja të merrni në dorë fatin tuaj. Ham-hamet, lehjet kërcënimet për të kryer një tjetër krim zgjedhor me një tjetër grup trafikantësh, zyrtarësh të kapur në përgjimet e Prokurorisë kot shpresojnë. Këto lehje që duan t’i shtinë frikën popullit në palcë janë lehjet e fundit të një regjimi që po jep shpirt. Duan të ndalin të pashmangshmen, fuqinë e bashkimit tonë. Ka shumë rëndësi që energjia e zemrave tuaja të bëhet çdo orë e më e fortë, të derdhet në Tiranë ditën e diel në orën 19:00”,- tha Basha.

Duke i ftuar demokratët dhe qytetarët e Fierit në protestën e së dielës, Lulzim Basha nënvizoi ndër të tjera se largimi i Edi Ramës është i panegociueshëm. “Këtë klimë dhe emocion pozitivi teti dhe optimizmi, vendosmërie për të mos lejuar të bëjmë asnjë hap pas, ta sillni të shumëfishuar ditën e diel në orën 19:00 në Tiranë”.

Kryedemokrati shtoi ndër të tjera se rruga e BE për shqiptarët hapet duke larguar Edi Ramën.

“Zgjidhja është e thjeshtë nëse Edi Rama një herë në jetën e tij, një çast në jetën e tij, do të vendoste interesin tuaj, për interesin e vendit, interesin e qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, jo të oligarkëve jo të banditëve, jo të vetës dhe pushtetit të tij, jo të pasurisë së tij, por interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Zgjidhja është e thjeshtë: largimi i tij i hapë rrugë zgjidhjes politike, një qeverie të integrimit europian që do të mundësojë zbatimin e kushteve që Edi Rama dhe banda e tij, nuk i zbatojnë, sepse janë në konflikt interesi me to.
Zgjedhje të lira e të ndershme, dënimin e politikanëve të kapur me krimin në shitblerje votash. Nuk ka vend që i hapen negociatat në BE pa zgjedhje të lira. Nuk ka vend në BE që i hapen negociatat me shitblerje votash me krimin. Largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë rruga jonë drejt Bashkimit Europian”, -nënvizoi ai.

Share: