Artan Fuga thirrje për grevë pedagogëve: Fantazma e diktaturës mbi universitetet dhe shkencën te propozimet e Gjermenit

Analizë Editorial

Perdja e synimeve për të kontrolluar në Shqipëri arsimin e lartë universitar, shkencën dhe kërkimin shkencor, më tej akoma, vetë botën e ideve dhe të dijes në përgjithësi, po ngrihet përditë e më tepër!

Ende pa u ulur mirë në kolltuqet e uzurpuara të Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, Vasil Tole dhe Salvator Bushati, shpaloset një plan tjetër ogurzi për liritë dhe të drejtat demokratike dhe kushtetuese në Shqipëri.

Fantazma e diktaturës po na shfaqet nëpërmjet deputetes Eglantina Gjermeni, e cila pasi depozitoi përpara dyjavësh në Komisionin e Edukimit dhe të Mjeteve të Informimit Publik projektligjin e rrëmbyer si plagjiaturë nga ministria e arsimit, çka e bëri në mënyrë antikushtetuese sepse nuk e ka shoqëruar as sot e kësaj dite me një raport financiar, qysh të hënën e parë pas zgjedhjeve, pra pardje, ka paraqitur propozime shtesë në atë Komision.

Ugurzeza.

Sigurisht poqese do të ishte fjala për propozime të vetë Eglantina Gjermenit nuk do ta kisha marrë mundimin të harxhoja as një minutë kohë. Nuk do të shqetëshesha. Nuk mendoj se ajo është në gjendje të sjellë as diktaturën dhe as demokracinë. Problemi është se është zgjedhur pikërisht ajo që të promovojë propozime ligjore të mbrapshta, tinzare dhe fshehurazi komunitetit shkencor dhe universitar të vendit, pas kurrizit të tij, pa u konsultuar me të, t’i nguli thikën pas shpine lirive universitare dhe shkencore. Dhe të mendosh se ky njeri dikur ka qenë pjesë e komunitetit administrativ dhe pedagogjik të Universitetit të Tiranës !!!

Përse Eglantina Gjermeni kujtohet pak ditë pasi ka prurë në Komision një projektligj të rrëmbyer në ministrinë e arsimit, ku drejtojnë njerëz që as qimen nuk e heqin dot nga qulli, pra krejt të paaftë, të sjelli ndryshime të tjera, pra sikurse shkruan vetë, të sjelli « përmirësime » të tjera ? Cfarë e bëri atë të përmirësohet kaq shpejt ? Asgjë tjetër nuk ka ndodhur veç uzurpimit të premten që kaloi, në mënyrë antiligjore, nëpërmjet një « puçi ushtarak » të Akademisë së Shkencave. Pasi drejtuesit e saj u rehatuan atje, sigurisht tani u ka ardhur oreksi i ri, ose ndjehen të lirë ta zgjidhin rripin dhe të tregohen tamam ashtu sikurse erdhën pra si « imponuesit » ose cenzorët e shkencës, arsimit të lartë dhe ideve në Shqipëri.

Nga propozimet e reja ligjore që Eglantina Gjermeni sjell për llogari të Skënder Gjinushit dhe të implikuarve me të në Akademinë e Shkencave, Vasil Tole dhe Salvatore Bushati, Akademia e Shkencave del nga suaza e vet institucionale dhe paraqitet si kamzhiku i qeverisë ndaj universiteteve, agjencive publike të kërkimit shkencor, instituteve shkencore dhe të gjithë botës të ideve dhe kualifikimit shkencor në Shqipëri.

Tani çdo doktor apo doktorant, cdo pedagog që kërkon një titull shkencor, cdo universitet apo cdo senat, cdo ekip kërkimi shkencor, cdo kërkues shkencor duhet të bëjë kujdes që të jetë në përputhje me politikën qeverisëse sepse janë të vëzhguara nga syri vigjilent i saj, Akademia e Shkencave e Skënder Gjinushit, Vaso Toles dhe Salvatore Bushatit.

Po le të kthehemi pa humbur kohë te propozimet e reja ligjore të mbrapshta dhe tä paditura të Eglantina Gjermenit !

Sipas saj, fjalë për fjalë, « Akademia e Shkencave duhet të orientojë dhe monitorojë kërkimin shkencor nga institucionet publike në varësi të nevojave të qeverisjes të vendit… »

Shihni çfarë perversiteti që e kthen shkencën edhe kërkimin shkencor në shërbëtorë të qeverisjes !

Kush nuk është në përputhje me këto nevoja, për rrjedhim nuk quhet madje kërkim shkencor. Një përkufizim dhe një funksion kaq banal dhe mediokër të shkencës dhe kërkimit shkencor nuk mund ta bënte kush ! Por ajo që na intereson këtu nuk është niveli shkencor i kësaj teze, por te rrezikshmëria e saj sociale sepse tani se çfarë duhet të bëjë shkenca në Shqipëri kjo lidhet me nevojat e qeverisjes që sigurisht i formulon qeveria kurse Akademia e Shkencave na u ktheka në një burmë dhe rrotë që monitoroka se kush është në përputhje dhe kush nuk është me politikat qeveritare !

Ndofta për këtë cilësi vëzhgimi ka të specializuar në atë Akademi qysh nga kohët e sigurimit të shtetit !!!

Dhe fantazma e diktaturës nuk ndalet sepse nëpërmjet fjalëve të saj ajo rrotullohet sipër kokave tona si çomange : « Autoriteti i saj akademik (pra i Akademisë të Shkencave. Shën. im) duhet të jetë garanti i vlerësimit objektiv të punimeve shkencore me të cilat me të cilat përfitojnë titujt e pretenduar në të gjitha fushat. .. »

Këtu deliri i Eglantina Gjermenit dhe atyre që kanë uzurpuar Akademinë e Shkencave nuk njeh asnjë kufi. Edhe rrëshkitja drejt një diktature mbi kërkimin shkencor dhe idetë në shoqërinë shqiptare është tërësore.

Vini re : « autoritet është garanti i vlerësimit objektiv » !!! Përcaktimi i një autoriteti si garant i të vërtetave është një politikë që ka qenë në fuqi në Mesjetën e hershme dhe të Mesme . Në kohën e Inkuizicionit veçanërisht ! Unë dyshoj nëse Eglantina Gjermeni, Skënder Gjinushi ose ta zemë Salvatore Bushati dinë ndonjë gjë pak a shumë të qendrueshme nga historia e Mesjetës, por që autoriteti i kujtdoqoftë të konsiderohet si garant « vlerësimi objektiv » në shekullin e XXI, këtë mund ta bëjë vetëm dikush që nuk ka turp që padijen e vet ta shpalli në publik ose ta çojë si normë ligjore në Kuvend !

Universitarët dhe shkencëtarët, intelektualët dhe ata që duhet të kualifikohen këtej e tutje duhet të jenë në përputhje jo me faktet edhe me të vërtetat por me autoritetin e Akademisë së Shkencave që zëvendëson Zotin mbi tokë, që ngrihet në nivelin e kamxhikut të qeverisë me politikat e së cilës duhet të jenë në përputhje të gjithë.

Po ata shkencëtarë, studjues, intelektualë që larg qoftë zbulojnë të vërteta që janë në kundërshtim me autoritetin e Akademisë së Shkencave ose të anëtarëve të saj një pjesë e madhe e të cilëve ka sëpaku 32 e vjet që nuk ka ndonjë botim shkencor të realizuar ? Atëhere aq më keq për shkencën ! Ligja shqiptare i jep të drejtë autoritetit të Aristotelit, më falni të Eglantinës, dhe atyre që qendrojnë pas saj.

Kujdes ! Kështu ndodh edhe me ata që duan të kualifikohen. Shikoni gjuhën përbuzëse të politikës, të deputetes, të diktaturës të ideve. Flitet për kërkues shkencorë që « pretendojnë » tituj, jo që i meritojnë !!! Sepse sipas kësaj gjuhe plot mllef titujt pretendohen, nuk meritohen ! Edhe këta duhet të jenë në përputhje me atë që i shkrepet kryesisë të Akademisë së Shkencave si autoriteti që garanton vlerësimin objektiv të rezultav të kërkimit shkencor.

Mua më ka filluar të më marrë malli kur Akademinë e Shkencave e drejtonte prof. Gudar Beqiri sepse të tilla budallalliqe dhe ëndërra diktatoriale së paku nuk besoj se atij i shkonin ndërmend ! Por pasardhësve të tij u pëlqen dhe duan t’i venë në jetë !

Kaosi institucional ku ndodhet zëvendësministri për shkencën nê ministrinë e arsimit, zoti Redi Shtino, duhet të jetë i përmasave tragjike. Nga njera anë në arsimin e lartë ka një ligj që u akordon universiteteve të drejtën e dhënies së titujve dhe gradave shkencore, nga ana tjetër del Eglantina dhe Akademia e Shkencave që e akaparon këtë për vete ! Sepse ajo përfaqëson qeverinë pra ! Ajo është syri besnik i qeverisë.

Madje Akademia e Shkencave e drejtuar nga Skënder Gjinushi, sipas Eglantinës si zëdhënëse e interesave të saj, orienton edhe Ministrinë e arsimit madje këshillon dhe i bën oponencë dhe qeverisë ! Edi Rama do të shohi shumë shpejt sesi Skënder Gjinushi do t’a këshillojë, orientojë dhe do t’i bëjë recenca !!! duke u ngritur në rolin e Liderit Suprem ose Timonierit të Ideve ! Eglantina po punon fort për këtë ! Madje duke kërkuar përfaqësimin gjinor në Akademinë e Shkencave, pra si në politikë, t’a imagjinojê veten shumë shpejt atje !

Që Akademia e Shkencave t’a luajë rolin e syrit vigjilent të qeverisë, Eglantina Gjermeni propozon : « Kësisoj, prezenca ligjore e autoritetit akademik, të Akademisê në institucionet që kryejnë ose çertifikojnë kërkimin shkencor do të rriste cilësinë… »

Budallalliku i një ideje nuk ka brirë, as dëshira për të vendosur diktaturën e Akademisë së Shkencave mbi institucionet arsimore dhe shkencore që ligja i njeh të pavarura dhe që tani e humbin pavarësinë.

Akademia e Shkencave, deritani, Eglantina Gjermeni na thoshte se ishte autoritet, tani shkon edhe më tutje në urinë pushtetore të Kryesisë të Akademisë të Uzurpuar të Shkencave dhe e paraqet si autoritet që u imponohet universiteteve dhe instituteve shkencore, të gjitha institucioneve publike, me anë të ligjit !

Autoriteti shkencor i vendosur me anë të ligjit.

Gjeni të tillë pozicionim të ndonjë Akademia Shkencash në botë veç kësaj tonës që paskka luajtur nga fiqiri sikurse deputetja e propozon si pjesë e shumices socialiste në  Kuvend.

Mos është e vërtetë hipoteza e Kantit se pa opozitën në Parlament pushtetarët çmenden ???

Drejtuesit, thotë ligja në fuqi, në institucionet shkencore dhe universitare zgjidhen. Kjo është norma demokratike europiane. Kurse « autoriteti » akademik, Skënder Gjinushi dhe bashkëpuntorët e tij u dashka të emërohen në çdo skutë të agjencive publike me anë të ligjit. Përsëri roli i Ajatollahut !

Mos i shkon ndërmend dikujt të bëhet Junta diktatoriale e mendimit dhe e rezultateve të kërkimit shkencor në Shqipëri ? Rreziku është te porta. Eglantina Gjermeni,  mbështetur në hapin e saj të parë nga 14 deputetë të shumicës po e propozon këtë juntë kundër ligjeve në fuqi dhe kundër Kushtetutës në komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik të Kuvendit.

Madje as Akademia e Albanologjisë nuk ka më vlerë sepse sipas përcaktimeve të propozimeve në Kuvend « Duhet… përforcuar në mënyrë të veçantë roli i padiskutueshëm dhe i domosdoshëm që Akademia e Shkencave mund dhe duhet të luajë në studimet Albanologjike. »

Lajthitja do të ishte këtu qesharake sikur të mos na trishtonte shfaqja e fantazmës të diktaturës. Pra Akademia e Shkencave na del jo vetëm si garante e vlerësimit objektiv shkencor, por edhe që bën vetë studime. Pra, garanton edhe vlerësimin objektiv të vetvetes !

Tama si Zoti që askush nuk e gjykon, por që mund të gjykojë vetëm vetveten !

Kurse rolin e saj në albanologji do ta realizojë si duket me studjuesin e luleve, të këngëve partizane, të leshterikëve të liqenit të Shkodrës, apo edhe të Kushtetutës të vitit 1974 !!!

Dikur kur dëgjoheshin të tilla fjalë në fillim vere, me urgjencë thërritej : Ndihmë !!!

Komuniteti shkencor, universitar i vendit, agjencitë e arsimit të lartë, institutet shkencore, bota e ideve, intelektualët ndodhen, shihet qartë, përpara rrezikut të një diktature në fushën e ideve, shkencës, kulturës, dijes.

Neni 55 po vjen ! Agjitacion e propagandës kundër qeverisë !

Akademia e Shkencave po mbron një projektligj që e kthen atë në polici të trurit, në hetuesi të dijes dhe kërkimit shkencor !

Kërkon kryetari i akademisë së shkencave të shndërohet në një Ajatollah, pra në një lider i ideve të tranzicionit shqiptar ?

Kemi një zhdanovizëm të egër ?

Synohet që Akademia e Shkencave të kthehet në Pallat të ëndërrave !

Do të kthehet dija universitare në një propagandë qeveritare nën kontrollin e sektorit të agjit-tropit në Akademinë e Shkencave ?

Të tilla propozime si ide, e them me përgjegjësi e pedagogut të lëndës të metodave të kërkimit shkencor, as në kohën e fashizmit në Itali, as në kohën e nazizmit në Gjermani, ndonjë intelektual nuk ka guxuar t’i paraqesi përpara ligjëvënësit.

Dhe mos harrojmë se gjithçka bëhet me bekimin e deputetëve të shumicës qeveritare në Kuvend dhe me aprovimin e kryeministrit Edi Rama !

Ka ardhur koha që rektorët të zgjohen ose të ikin !

Senatet të zgjohen ose të ikin !

Ne si profesorë të ngrihemi në këmbë për të mbrojtur lirinë e kërkimit shkencor ose të ikim nga sytë këmbët !

Diktatura po troket te porta !

Ngrihemi në këmbë !

 

Vec budallallikut, mediokritetit, delireve për pushtet, është dhuna që po kërcënon mendimin e lirë ! Sot se nesër është vonë ! Unë po ju dal borxhit !

Përndryshe do të jeni të detyruar të respektoni si ligj paditurinë e Eglantina Gjermenit dhe uzurpuesve të Akademisë të Shkencave që thonë se Akademia e Shkencave ka të drejtën dhe detyrën « të promovojë standardet e reja të kërkimit shkencor si edhe të garantojë respektimin e tyre… ».

E imagjinoni makabritetin që propozohet !

Një institucion që me ligj imponon standartet metodologjike të kërkimit shkencor ! Po liria e kërkimit shkencor, liria e ndërgjegjes, liria e ideve, pluralizimi i ideve, ku shkoi, ku shkoi kjo e drejtë që garanton Kushtetuta në Shqipëri ?

Diktatura po afron. Kujdes ! Ne duhet te jemi vigjilentë dhe aktivë, në asamble, senate, rektorate, departamente. Të tilla ligje nuk duhet t’i lemë të kalojmë sepse përndryshe turpi dhe harxhet do të jenë mbi kurrizin tonë !

Një grevë e përgjithshme e universitarëve dhe e punonjësve shkencorë do të ishte ende pak për të protestuar kundër këtyre përpjekjeve kobzeza !

Komisioni i Edukimit dhe i Mejeteve të Informimit Publik duhet të mos i pranojë fare t’i marri në shqyrtim propozimet e Eglantina Gjermenit, sikurse duhet t’a shpalli antikushtetues dhe nul prezantimin e saj të parë të një projektligji që nuk është i saj dhe që paraqitet me mungesa që i kërkon Kushtetuta të ishin plotësuar !

 

Share: