Panxhari është një nga perimet më të shëndetshme të nëntokës. Ngjyra e kuqe e tij pasuron gatimet e kuzhinës shqiptare ndërkohë që vlerat shëndetësore e bëjnë panxharin një aleat të vërtetë të njeriut. Kjo perime fantastike ka efekte të mëdha në trajtimin e problemeve të shëndetit.
Mënyrat e gatimit të panxharit dhe përfshirjes së tij në receta të ndryshme janë tepër të larmishme. Në recetën e rekomanduar më poshtë do të mësoni se si të shijoni panxharin duke e kombinuar me hudhër dhe vaj ulliri.
Përbërësit:
-4 panxharë mesatarë
-1 lugë gjelle me vaj ulliri ekstra të virgjër
-4-5 thelbi hudhër të shtypur
-Lëngu i një limoni
-Kripë sipas dëshirës.
Përgatitja:
Pastrojini panxharët me një furçë kuzhine, lajini me ujë të bollshëm dhe më pas hidhini në një tenxhere. Mbulojini me ujë dhe lërini të zihen në zjarr mesatar. Për të kuptuar nëse janë zier plotësisht, ngulni një pirun dhe nëse panxharët janë të butë, hiqini nga zjarri. Pasi të jenë ftohur, mund të hiqni lëkurat e tyre, megjithatë kjo është sipas dëshirës.
Prijini panxharët në feta të holla ose në katrorë. Në një tas të vogël përzieni hudhrën, vajin e ullirit dhe lëngun e limonit. Fetat e panxharit vendosini në pjatancën e servirjes dhe sipër tyre shtoni pak kripë dhe lëngun e limonit me hudhër dhe vaj ulliri. Mbulojeni pjatancën dhe lërini fetat e panxharit të përthithin lëngun për të paktën gjysmë ore. Servireni pjatancën në temperaturë ambienti.
Panxhari është një zhardhok që kombinohet shumë mirë me disa perime dhe barishte. Ai përshtatet me karotën, qepën, rukolën, lakrën, selinonë, kastravecin, spinaqin dhe avokadon. Panxhari është partner i mirë edhe i gatimeve me mish. Këtu përfshihet mishi i derrit, viçit, patës dhe peshku. Burimi / AgroWeb.org