Kryeministri Edi Rama ka shpejtuar të ftojë kundërshtarin e tij politik në tryezën e dialogut, por lideri i PD-së, Lulzim Basha duket se është i vendosur në kauzën e tij. Në mënyrë të përsëritur shefi i ekzekutivit iu drejtua Bashës me tre letra publike duke i kërkuar dialog pa kushte, pasi siç pohonte mes tjerash kryeministri, koha nuk pret sepse 30 qershori po afron.
Lideri i selisë blu ka mohuar në formë kategorike një dialog në këto kushte, ndërsa ka shtuar se kryefjala e kauzës së opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i qeverisë tranzitore. Sipas Bashës, këto janë dy parakushte që do të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike, e cila prej kohësh në fakt është shoqëruar me argumente dhe akuza të forta në distancë mes palëve.
Ndërkohë ende nuk ka detaje për formën se si do të organizohet dhe sa do të zgjasë kjo protestë, por ndërkohë dje lideri demokrat nga Mati, teksa i ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestë i dërgoi një tjetër mesazh kryeministrit se nuk ka asnjë hap pas në synimet e opozitës, pavarësisht thirrjeve të Ramës përmes letrave për dialog pa kushte.
Por duket se ‘ujërat’ politikë në vend disi janë trazuar pas apelit të koalicionit gjerman CDU/CSU, i cili përmes një deklarate për mediat ftoi partitë në Shqipëri të ulen në dialog dhe të diskutojnë për të gjitha temat, pa përjashtuar edhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershori.
Në të njëjtën gjatësi valë u vendos edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili dje dha një mesazh të fortë duke theksuar se është i gatshëm të sakrifikojë edhe mandatin, me qëllim që palët të gjejnë zgjidhje për krizën ku ndodhen aktualisht vendi. Gjithashtu kreu i shtetit theksoi se do të jetë i hapur të dekretojë një tjetër datë për zgjedhjet lokale, ndërsa iu bëri apel palëve që të jenë më të përgjegjshme dhe të shohin me përparësi interesat kombëtare të vendit.