Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, Skënder Gjinushi, u shpall sot zyrtarisht kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ai u zgjodh në krye të këtij institucioni me 35 vota pro dhe 6 kundër. Para nisjes së procesit të numërimit, kreu i ri i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, prezantoi edhe platformën e tij për këtë institucion, ndërsa tha se duhen reforma të thella në të gjitha drejtimet, veçanërisht në fushën e kërkimit shkencor.
Këtë proces e ka kundërshtuar akademiku, Artan Fuga, i cili tha se dita e sotme është një ditë e zezë për fushën e shkencës në Shqipëri. Ai pohoi se këto zgjedhje janë farsë dhe nuk do të pranojë rezultatin, pasi sipas tij, ky proces është puç institucional që i bëhet Akademisë së Shkencave.