Marc-Olivier Padis
Francezët janë mësuar me lëvizjet e mëdha që shfaqen papritmas me barrikada, manifesime nëpër sheshe, dhuna e akte vandale dhe e detyrojnë pushtetin të bëjë prapakthehu lidhur me masa jopopullore. Në këtë kuptim, jelekverdhët nuk kanë asgjë të jashtëzakonshme. Nuk është e pazakontë që një lëvizje me një impact të fortë ndaj jetës së përditshme ta ruajë megjithatë mbështetjen e shumicës së popullsisë. Në këto raste, më shumë sesa manifestuesit, është qeveria ajo që konsiderohet përgjegjëse e problemeve, prej mungesës së gadishmërisë ndaj konfrontimit dhe paaftësisë së saj për të menaxhuar teprimet e dhunshme të atyre që protestojnë. Pakënaqësia është përhapur në të gjithë vendin, edhe pse është e vështirë të kuptohet se cila pjesë e popullsisë është mobilizuar dhe nëse lëvizja shpreh një pakënaqësi të ndarë nga shumica e francezëve. Në kohërat e grevave të mëdha të 1995 u fol për “grevë me prokurë” për të shpjeguar motivet për të cilat qytetarët, fuqimisht të penalizuar nga bllokimet e transportit publik, mbështesnin gjithsesi manifestuesit. Përtej specifikave të rivendikimeve të kategorisë, një pjesë e mirë e francezëve e konsideronte grevën një instrument për të ndëshkuar Presidentin e Republikës Jacques Chirac, që ishte zgjedhur falë premtimit për shërmimin e “frakturës sociale”, por më pas kishte vënë në zbatim politika rreptësie financiare. Më në përgjithësi, kultura politike franceze ka një tolerancë të madhe ndaj shprehjes së konfliktualitetit social, i konsideruar një shenjë vitaliteti demokratik. Veç të tjerash, në Francë lëvizja sindikaliste, në kontrast qysh nga ‘800 me format e aksionit të drejtpërdrejtë të anarko – sindikalizmit, ka mbetur numerikisht e kufizuar (CFDT-ja, sindikata e parë e vendit, ka më pak se 1 milion anëtarë) dhe nuk ka arritur kurrë aderimin tipik të socialdemokracive. Kështu që nuk është për t’u habitur nëse lëvizjet lindin nga poshtë dhe pa kontakte me organizatat sindikaliste dhe politike. Kjo i bën të vështira për qeverinë që t’i inkuadrojë. Dhe e kemi parë, me rastin e protestive studentore të 2006, që këto mobilizime mund të demonstrojnë një aftësi të jashtëzakonshme koordinuese dhe një efikasitet të lartë në mbështetjen e kërkesave të tyre.
Midis qytetit dhe provincës
Në vitet e fundit sindikatat shpesh janë anashkaluar nga baza deri në lëvizjet e lindura në brendësi të tyre, të paafta që të strukturojnë protestën dhe t’i nxjerrin legjitimitetin. Sindikatat ndjekin lëvizjet për të dhënë përshtypjen se kanë një rol në protesta, por influence e tyre është dukshëm në rënie. Mbetet fakti që në kohët e fundit asnjë manifestim nuk e kishte detyruar qeverinë të bënte një hap prapa: as Manif pour tous e 2012 – 2013 (manifestim për të gjithë, mobilizimi konservator kundër martesave gei), as Nuit debout e 2016 (e lindur nga e majta për të protestuar kundër reformës të së drejtës të punës). Me lëvizjen e jelekverdhëve refuzimi i një përfaqësimi politik dhe sindikal ka arritur apogjeun, duke çuar në një ngërç total. Asnjë delegacion nuk pranon të flasë më Kryeministrin: disa refuzojnë vetë idenë e “përfaqësimit” të bazës, të tjerë kanë refuzuar pasi kanë marrë kërcënime ne rrjetet sociale. Tejkalimi i çdo forme ndërmjetësimi modifikon edhe aksionin militant e politik. Në këtë rast, ai që i ka lançuar jelekverdhët ka qenë një peticion online për të kërkuar “uljen e çmimit të karburanteve”, që në pak ditë ka grumbulluar 1 milion firma. Për këtë, qeveria nuk ka ditur ta parashikojë forcën e lëvizjes dhe të t’u gjejë një përgjigje kërkesave të saj. për gazetarët ka qenë e pamundur të bëjnë një reportazh nga rrethrrotullimet rrugore e bllokuara: disa kanë qendruar larg nga bllokimet rrugore, të tjerë janë sulmuar. Të gjithë vëzhguesit kanë nënvizuar heterogjenitetin e jelekverdhëvem koordinimin e dobët të tyre dhe mungesën e përfaqësuesve zyrtarë. Kjo ka çuar në përhapjen e lajmeve false, të pamundura për t’u korrigjuar apo hedhur poshtë. Sipas raportimeve të botuara nga gazetat, në bllokimet rrugore larg disa kilometra, situate mund të ishte mjaft e ndryshme: nga njëra anë një mjedis miqësor dhe sjellje të përgjegjshme, nga ana tjetër tensione, kërcënime dhe dhunë. Shpesh jelekverdhët aktivë gjatë ditës qenë ndryshe nga ata që mobilizoheshin natën.
Gjeografia e barrikadave ka shkaktuar analiza të ndryshme, në më të shumtën e rasteve të bazuara mbi informacione të paplota e të diskutueshme. Disa kanë folur për revoltë në rajonat rurale në lindje dhe qendër të Francës. Praktikisht, qendrat e qyteteve dhe rrethinat nuk janë përfshirë nga kontestimet. Megjithatë, me vazhdimin e manifestimeve, kjo analizë e parë është vënë në diskutim dhe është demonstruar se shumica dërrmuese e qendrave ku janë organizuar bllokimet rrugore gjendet në afërsi të zonave të mëdha urbane. Mobilizimet kanë përfshirë qendrat e ndërmjetme urbane, stacionet hekurudhore, rrethrrotullimet rrugore dhe qendrat tregtare e përshkuara nga punonjësit që çdo ditë përshkuajnë distanca të mëdha për të arritur në vendin e punës. Nga kjo pikëpamje, automobili është simboli dhe elementi shpërthyes i një revolte qytetarësh që pësojnë kostot dhe problemet e mobilitetit. Protesta e automobilistëve është ushqyer nga e njëjta pakënaqësi që kishte përshkuar vendin qysh verën e kaluar, kur qeveria kishte vendosur të ulte limitin e shpejtësisë në rrugët shtetërore nga 90 në 80 kilometra në orë. Fuqimisht e kontestuar, masa kishte shkaktuar një rënie të popullaritetit të qeverisë në sondazhe. Në një seri aktesh vandale të kryera gjatë manifestimeve të jelekverdhëve është shkatërruar gjysma e kamerave që regjistrjnë shkeljet e limitit të shpejtësisë. Larg nga temat e mëdha politike që kishin monopolizuar fushatën elektorale për presidencialet, ky problem i lidhur me jetën e përditshme dëshmon një kapje të fortë pas kulturës së makinës private si objekt konsumi dhe simbol i pavarësisë individuale.
Por çfarë mund të themi për jelekverdhët sipas profilit të analizës psikologjike? Kush janë manifestuesit? Është e vështirë të përshkruhet një lëvizje pak e gjerë (350000 njerëz në kulmin e mobilizimit) e shpërndarë në të gjithë territorin kombëtar. Ndërhyrjet e saj, shpesh konfuze, përziejnë kërkesa pak koherente (më pak taksa dhe më shumë shërbime publike). Sipas një studimi të realizuar në fund të nëntorit nga një grup hulumtuesish universitarë në qytetet Bordeaux, Marseille, Caen, Rennes, Montpellier dhe Grenoble, në një kampion të kufizuar, del se jelekverdhët janë sidomos njerëz që punojnë ose kanë punuar, që i përkasin klasës punëtore apo klasave të mesme të ulëta. Kategoria sociale më e përfaqësuar është ajo e nëpunësve (45%), qartazi më të shumtë në numër se punëtorët (14%). Po aq i përfaqësuar është grupi i artizanëve, i tregtarëve dhe i biznesmenëve të vegjël. Pensionistët përbëjnë ¼ e jelekverdhëve. Mbi 65 vjeçarët janë 17.3%, ndërsa të rinjtë midis 18 dhe 24 vjeçëve janë afërisht 6.2%. Gjysma e të intervistuarve ka deklaruar se paguan taksat dhe 85% ka deklaruar se posedon 1 makinë. Për thuajse gjysmën e të intervistuarve (47%) pjesëmarrja tek jelekverdhët ka qenë përvoja e parë e protestës. Siç është e parashikueshme, të intervistuarit janë kundër përfshirjes në protesta të organizatave tradicionale përfaqësuese, sindikatave dhe partive. 33% deklarohet apolitike, as e djathtë, as e majtë. Kurse midis atyre që rreshtohen, 15% e quan veten e majtë ekstreme, 5.4% e djathtë ekstreme, 42.6% e majtë dhe 12.7% e djathtë. Janë shifra mjaft ndryshe nga ato të dala nga një hulumtim tjetër mbi popullsinë franceze në përgjithësi, që evidenton një mbështetje të fortë të jelekverdhëve nga ana e simpatizantëve të së djathtës ekstreme.
Benzinë apo gazoil
Arsyet e zemërimit janë sa konkrete, aq edhe konfuze: konkrete pasi përzierja që ka bërë të shpërthejë mobilizimin është rritur ka qenë rritja e çmimit të karburantit; konfuze pasi kërkesat janë zhvilluar deri sat ë përfshijnë kërkesën për dorëheqjen e Presidentit të Republikës dhe vendosjen e një regjimi të ri politik. Tri temi janë mbivendosur deri në zgjerimin e spektrit të kërkesave. Motivi i parë i pakënaqësisë ka të bëjë me fiskalitetin e “gjelbër”, domethënë ndarjen e përpjekjeve ekonomike për të financuar kalimin në burime energjitike të rinovueshme. Më 2014 qeveria ka futur një taksë speciale (e ashtuquajtura Contribution Climat – Énergie) që do të duhej të stimulonte qasje më pak helmuese për mjedisin. Taksa, që do të duhej të rritej progresivisht deri më 2022, ka sjellë 6.4 miliard euro në arkat e shtetit më 2017 dhe 9.1 miliard më 2018. Megjithatë, kjo rritje është shoqëruar me një rritje të çmimit të naftës në botë dhe një shtrenjtim të gazoilit. Pasi ka inkurajuar blerjen e makinave me dizel duke taksuar gazoilin me pak se benzina, autoritetet franceze kanë ndërruar kurs duke vendosur taksa të njëjta për të dy karburantet, një hap i nevojshëm, por i përgatitur keq dhe jo i pëlqyer nga qytetarët. Francezët që e përdorin shpesh makinën dhe që kishin zgjedhur dizelin kanë pësuar efektet e politikës së re dhe janë ndjerë dyfish të penalizuar: nga njëra anë prej fundit të avantazheve të siguruara prej gazoilit, nga ana tjetër prej rritjes së përgjithshme të çmimit të karburanteve. Ajo pjesë e popullsisë që nuk mund ta ndryshonte mjetin e saj të transportit nuk ka pranuar një masë të konsideruar të padrejtë.
Qeveria është përgjigjur duke pezulluar për 2019 rritjen e Contribution Climat – Énergie, por ky lëshim është dukur i pamjaftueshëm, edhe pse ndërkohë kërkesat janë zgjeruar dukshëm. Përtej problemit të makinave, lëvizja e jelekverdhëve ka shprehur një pakënaqësi të thellë për stanjacionin e fuqisë blerëse të shtresave të mesme të ulëta. Edhe për familjet me një të ardhur mesatare shpenzimet e pashmangshme (shtëpi, sigurime, transport) janë gjithnjë e më të rënda dhe kjo e redukton përqindjen e të ardhurës së disponueshme. Megjithëse pa u gjendur në kushte varfërie, një pjesë e mirë e familjeve franceze jeton në kufizime. Kriza e 2008 ka sjellë një ngecje të të ardhurave, ndërsa presioni fiskal është rritur shumë gjatë presidencës së François Hollande (2012 – 2017). Me presidencën e Emmanuel Macron taksat janë rritur më tej, sidomos për pensionistët. Qeveria ka hequr taksën mbi pasuritë e mëdha (të ashtuquajturën ISF), e konsideruar si simbol i drejtësisë fiskale, në emër të rilançimit të investimeve. Në këtë mënyrë ka dhënë përshtypjen se po bën një politikë të çekuilibruar në favor të të ardhurave më të larta dhe kundër klasave të mesme. Edhe pse në programin e Macron qenë parashikuar përjashtime fiskale për 80% të kontribuesve, këto masa nuk janë konkretizuar akoma. Dhe megjithëse duke premtuar një konfrontim të madh lidhur me shpenzimet publike, Presidenti e ka përjashtuar rivendosjen e ISF-në – një taksë që prodhon pak të hyra dhe pa një koordinim të fiskalitetit europian favorizon ekzilin fiskal e pasurive të mëdha – duke dhënë kështu përshtypjen se nuk e kishte mbajtur parasysh zemërimin e jelekverdhëve.
Defiçit demokracie
Kërkesat e lëvizjes së jelekverdhëve kanë të bëjnë edhe me demokracinë. Jelekverdhët pretendojnë shikueshmëri, respekt dhe legjitimitet politik. Kjo e tyrja është një sulm ndaj indiferencës se kush e oërfaqëson pushtetin, që në një sistem shumë të centralizuar si ai francez identifikohet pashmangshmërisht me Parisin. Zemërimi ndaj simboleve parisiane shpreh refuzimin e një procesi vendimmarrës tejet vertical e të përqëndruar. E njëjta kritikë i është drejtuar Presidentit të Republikës, i konsideruar mendjemadh, i arlgët dhe indifferent ndaj vështirësive të përditshme të qytetarëve. Macron vuan mungesën e përvojës politike, lidhjen e pakët me realitetet lokale, por edhe një ushtrim pushteti shpesh vetmitar dhe një shkëputje krenare nga masat. Ky dështim personal është shumë i habitshëm nëqoftëse kihet parasysh se gjatë fushatës elektorale kishte nënvizuar nevojën e një mënyrë të re e të bërit politikë. Macron e ka shpallur kandidaturën e tij duke premtuar se do t’i “dëgjonte” francezët dhe duke organizuar një “Marshim të Madh” për të grumbulluar këshillat e popullsisë përpara se të përpunojë propozimet e saj. Macron ka ditur të avancojë një fushatë elektorale pjesëmarrëse (e frymëzuar nga komitetet lokale e amerikanit Barack Obama), por nuk ka nxjerrë konkluzionet e duhura lidhur me ushtrimin e pushtetit.
Nuk i ka dhënë vëmendje kërkesës për pjesëmarrje të nxjerrë nga qytetarët, duke arritur të marxhinalizojë edhe partinë e tij, République en Marche. Emmanuel Macron e ka marrë rolin e Presidentit të Republikës saktësisht ashtu siç është përkufizuar në Republikën e V-të: një rol që përqëndron shumë pushtete dhe po aq përgjegjësi. Duke pasur parasysh se në Francë pushtetet e ndërmjetme janë tradiconalisht të dobët, se në zgjedhjet e fundit partitë tradicionale kanë rënë, se Parlamenti nuk ka një pushtet të vërtetë vendimmarrës dhe se qeveria përbëhet nga figura pa peshë të madhe politike, Macron është praktikisht i izoluar në majën e pushtetit. Forca institucionale e tij është bërë njëherazi edhe dobësia e tij politike. Presidenti gjendet drejtpërsëdrejti i ekspozuar ndaj zemërimit popullor: një zemërim që nuk i ka mjetet për të frenuar dhe me të cilin nuk mund të dialogojë. Për të dalë nga ky izolim i rrezikshëm, do të duhej të përkufizohej një ekuilibër i ri midis pushteteve dhe të demokratizohej procesi politik. Por deri më tani për temën nuk ka pasur propozime serioze.
Sinteza e nevojshme
Nga lëvizja e jelekverdhëve vijnë pak element pozitivë për shoqërinë franceze. Dobësimi i trupave të ndërmjetëm, mungesa e një culture debati e kompromisi, mosbesimi ndaj politikanëve dhe elitave janë fenomene gjithnjë e më të përhapur e më të thellë. Zemërimi i jelekverdhëve është shprehje e një sëmundjeje sociale të cilës është e mundur t’i përgjigjesh me masa barazie fiskale dhe rishpërndarjeje. Por, në të njëjtën kohë, ky konflikt social është akoma i errët dhe i vështirë për t’u kuptuar. Protesta nuk e ka ndihmuar shoqërinë franceze që të ketë një imazh më të ndriçuar të vetvetes. Sigurisht, i ka mundësuar një sektori pak të dukshëm të popullsisë që të marrë fjalën, por mungesa e përfaqësuesve dhe e zëdhënësit. Kërkesat konfuze dhe veprimet jo të koordinuara e kanë bërë pak të qartë mesazhin e protestuesve. Cila mund të jetë rrugëdlja politike e një lëvizjeje konsumatorësh, e ushqyer nga klasa e mesme? Në javët e mobilizimeve dhe të bllokimeve rrugore nuk është folur për banlieue, diskriminim, përjashtim social, varfëri dhe të rinj, të gjitha probleme që sigurisht nuk janë më pak të rëndësishëm se ato të denoncuara nga jelekverdhët. Çështja e masave në favor të tranzicionit energjitik ka përfunduar në në margjinat e debatit dhe do të jetë e vështirë t’i rinxjerrësh në plan të parë. Sot do të ishte e nevojshme të gjendej një sintezë midis ruajtjes së mjedisit, prioriteteve ekonomike dhe mbrojtjes të modelit social francez. Por programi i rilançimit të ekonomisë nëpërmjet investimeve i propozuar nga Macron nuk ofron perspektiva të mëdha në këtë kuptim. Dhe lëvizja e jelekverdhëve nuk jep indikacione lidhur me një model alternativ. Ndërkohë, sondazhet tregojnë se ajo që nxjerr përfitim nga situate aktuale mund të jetë liderja e së djathtës ekstreme Marine Le Pen. Kriza demokratike duket më e ngatërruar se kurrë.
(Marc-Olivier Padis është politolog francez. Ka qenë Drejtor i revistës “Esprit” nga 1993 më 2016 dhe aktualisht është Drejtor Kërkimor në Qendrën Studimore “Terra Nova”)
Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al