Përcillet mes lotësh për në banesën e fundit Zarife Hasanaj, nëntetarja do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve

Aktualitet Kryesore Sociale

Nëntetarja Zarife Hasanaj, Dëshmore e Atdheut u përcoll sot me nderime për në banesën e fundit në Varrezat e Dëshmorëve.

Pas apelit të fundit dhe një minute heshtje, familjarë, të afërm e miq, por edhe personalitete të larta shtetërore i dhanë lamtumirën e fundit nëntetares që vdiq në krye të detyrës.

Arkivoli i mbuluar me flamurin kuq e zi që mban trupin e Dëshmores së Atdheut iu drejtua rreth orës 13:50 monumentit “Nënë Shqipëri”.

Momentet më prekëse të kësaj ceremonie ishin çastet kur u palos flamuri më të cilin ishte mbështjellë e ndjera dhe më pas iu dorëzua babait të saj. Ai me lot në sy më pas e mori dhe e puthi me ngashërim.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Kryetari i PD, Lulzim Basha, bënë homazhe dhe u përkulën sot me nderim para trupit të nëntetares.

Zarife Hasanaj ndërroi jetë në 6 Maj gjatë misionit të saj në Letoni, ku i shpërtheu një minë, kurse janë plagosur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj.

Share: