Tirana, 99 vjet kryeqytet i Shqipërisë, Veliaj: Puna për një qytet të denjë nuk ndalet

Aktualitet Kryesore Politikë

Tirana festoi sot 99 vjetorin e shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë. Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitesh jo vetëm në përkujtim të çasteve më të rëndësishme të historisë së Tiranës Kryeqytet, por edhe promovojnë vlerat e saj si kryeqendër e të gjithë shqiptarëve. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë zyrtare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu mirënjohje për të gjithë ata që në këto 99 vite kanë kontribuar për ta zhvilluar Tiranën dhe theksoi se sot ajo është një kryeqytet modern, i denjë për të gjithë shqiptarët.

“Kongresi i Lushnjës njihet si Kongresi i Shpëtimit, por jam i bindur se mund të cilësohet edhe si Kongresi i Zhvillimit të shtetit dhe të kryeqytetit shqiptar. Tirana është sot kryeqyteti i denjë, modern, metropolitan i Shqipërisë, pavarësisht se ende nuk është perfekt. Realisht jemi në vitin e 99 të jetës së këtij kryeqyteti, që është krejt i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm nga asnjë qytet tjetër i trojeve shqiptare. Tirana po mbush shekullin e vet dhe sa ka filluar vitin e fundit të 100-vjetorit të parë, e në këtë 100-vjetor, kronologjia historike, lëvizja e kohërave dhe e ngjarjeve kanë qenë të shumta, por ka mbetur e palëkundur simbolika qendërzuese dhe semantika përfaqësuese e Tiranës për të gjithë shqiptarët”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai u ndal në momentet dhe periudhat më të rëndësishme në të cilat ka kaluar historia e kryqytetit shqiptar, që nga shpallja, monarkia, periudha e pushtimit, diktatura, tranzicioni demokratik dhe për të mbërritur në ditët e sotme, ku Tirana jo vetëm kujton e nderon të shkuarën e saj, por edhe punon për të qenë një kryeqytet i denjë i një shteti që kërkon të integrohet në Bashkimin Europian. “Tirana ishte gjithashtu pjesë e ndryshimeve demokratike, ishte kyç në ndryshimet demokratike dhe në transformimin në një shoqërie liberal demokratike, e Shqipërisë si Gjithë Europa. Tirana ishte ajo që frymëzoi lëvizjet studentore, dhe jam shumë i lumtur sot që kemi rikthyer vëmendjen tek studentët, me gjithë punët që Bashkia e Tiranës po kryen në konvikte, dhe me gjithë transformimin e gjithë asaj hapësire ku lindi në fakt e gjithë lëvizja demokratike”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi periudhën e pas viteve 2000, kur kryeqyteti shqiptar rilindi për t’u shndëruar në një kryeqytet modern. “Ne patëm një rilindje të jashtëzakonshme të qytetit të Tiranës në fund të viteve ‘90 dhe gjatë gjithë dekadës së parë të viteve 2000 me Edi Ramën dhe administratën transformuese në Bashkinë e Tiranës. Ishte një rilindje e parë e qytetit pas zaptimeve, pushtimeve, dhe rrumpallës së viteve ‘90. Sot mund të flasim denjësisht për një Tiranë metropolitane, që filloi nga viti 2000. Bulevardi i Ri është tashmë korridori i zhvillimit të Tiranës për 100 vitet e ardhshme. Tirana me sheshe të denja dhe përfaqësuese si kudo në botë, nga sheshi ‘Skënderbej’ te sheshi ‘Nën Tereza’, apo edhe sheshi i ri që do të ndërtohet në fund të Bulevardit të Ri”, shtoi ai.

Duke u ndalur te ajo që përfaqëson sot Tirana, kryebashkiaku theksoi se ajo është një nga kryeqytetet më të rëndësishme të gjithë Ballkanit dhe Europës juglindore, duke u kthyer gjithashtu në një destinacion turistik e qendër politiko-administrative. “Janë të rrallë qytetet edhe në rajonin e Ballkanit, që të kenë një zhvillim kaq të shpejtë dhe modern për një periudhë relativisht të shkurtër, për t’u bërë kështu kryeqyteti me letërkredencialet e sigurta të zhvillimit modern dhe një të ardhme të sigurtë për banorët e saj. E ardhmja e kryeqytetit të Tiranës është e sigurtë sepse ka një zhvillim vizionar, ka edhe një bukuri të pakontestueshme. Tirana sot konsiderohet pothuajse nga të gjitha guidat turistike, një nga qytetet më intrigues, më të bukur dhe më interesant të të gjithë Ballkanit, një nga qytetet më të spikatur të Europës Juglindore dhe më gjerë”, tha Veliaj.

Më tej, ai shtoi se sot Tirana është sot kryeqyteti i arsimit dhe kulturës shqiptare, duke qenë se është qendra më e madhe universitare, por edhe e aktiviteteve kulturore. Veliaj theksoi rëndësinë që ka kryeqyteti edhe në aspektin e ekonomisë së gjithë Shqipërisë. “Tirana është gjithashtu kryeqendra ekonomike e Shqipërisë. Një qytet i vetëm, një bashki e vetme nga 61, gjeneron 50% të GDP-së të të gjithë Republikës së Shqipërisë. Do të thotë se mënyra si performon Tirana, ndikon edhe në gjithë Shqipërinë. Kur sëmuret Tirana, teshtin e gjithë Shqipëria. Po kur Tirana ecën mirë dhe ekonomia lulëzon, siç ka qenë këto vitet e fundit, atëherë ky është një lajm i mirë për gjithë Republikën tonë”, deklaroi ai.

Ndaj, sipas tij, është shumë e rëndësishme që ekonomisë t’i jepet më shumë rëndësi, pasi kështu zhvillohet edhe Shqipëria. “Në mandatin tjetër do të fokusohemi që t’i japim më shumë zë ekonomisë. Kemi aplikuar tashmë për një zonë të lirë ekonomike pranë Kasharit, ku të sigurohemi që hapim një segmenet tjetër siç është segmenti i rrugës së Rinasit, ku është gjithë pjesa industriale, të hapim një pjesë tjetër nga Kombinati në Kashar ku të shtojmë akoma më shumë punësimin në qytetin e Tiranës”, tha veliaj.

Ai veçoi se Tirana është metropol jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por për shqiptarët kudo ku ata banojnë, për atë që quhet si ‘albanosfera’, si edhe poli më i madh magnetik i diasporës shqiptare kudo në botë. “Tirana është dashuria jonë e madhe, që nuk pakësohet kurrë, por që shumëfishohet pambarimisht. Tirana është emblema heraldike e kombit shqiptar, e të gjithë hapësirave jetike të njerëzve që flasin dhe që mendojnë në shqip, e atdhe-dashurisë që nuk mund të harrohet dhe të zhbëhet dot”, u shpreh kryetari i bashkisë.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se krahas nderimit të së shkuarës është e rëndësishme ajo që programojmë për të ardhmen. Ndaj, ai u shpreh se rëndësi për të ardhmen e kryeqytetit kanë dhe vendimet që merren sot. “Bashkë duhet ta ndërtojmë dhe ta zhvillojmë më tej Tiranën tonë. Është koha për një tjetër besëlidhje, është koha të lidhim besën dhe kërkohet nga secili prej jush që të japë një kontribut për kryeqytetin, e kësisoj duke e dhënë për kryeqytetin e japim për gjithë vendin, për të punuar së bashku për një kryeqytet për të gjithë, pa dallime politike, krahinore, fetare apo social-ekonomike”, deklaroi Veliaj.

Sipas kryebashkiakut, puna për të ardhmen nis pikërisht me më të vegjlit, me rindërtimin e çerdheve, kopshteve, e këndeve të lojërave, por edhe i shkollave, për të siguruar një arsim dinjitoz për të gjithë. “Për herë të parë, nuk di çdo të diskutojmë në datë 30 qershor, por e sigurt është se nuk do të diskutojmë më për shkollat me dy turne, teksa këtë muaj fillon ndërtimi i 17 shkollave të reja. Do të kemi mundësi që çdo javë të hapim themelet e një shkolle tjetër, për të zgjidhur njëherë e mirë detyrimin që i kemi jo të kaluarës, por që i kemi të ardhmes së qytetit tone”, tha Veliaj.

Në këtë kuadër, ai u ndal edhe tek kujdesja për arsimin e lartë, ku theksoi se Bashkia e Tiranës po bën pjesën e vet si për të patur universitete moderne, ashtu edhe për të rikonstruktuar të gjitha konviktet e studentëve, për të vazhduar më pas me projektin e Kampusit të ri Universitar. “Kemi edhe 6 godinat e fundit të konvikteve, por jam shumë i bindur që brenda këtij muaji do të fillojnë nga puna. Hapi i dytë, që besoj vjen edhe në dinjitetin e Tiranës së 100 viteve të ardhshme, është kampusi i ri universitar. Po shohim fillimisht si do të bëjmë pastrimin e territorit, të dizenjojmë godinat e reja dhe pastaj të fillojmë një bashkëfinancim qeveri-bashki, për të gjitha godinat e reja, që të sigurohemi që në shekullin e dytë Tirana hyn me një hapësirë universitare të pazaptuar dhe me gjithë dinjitetin që duhet t’u ofrojmë studentëve dhe të ardhmes së këtij vendi”, nënvizoi Veliaj.

Veliaj bëri të ditur se Tirana e së ardhmes dhe e shekullit të dytë kryeqytet do të ketë edhe dy terminale autobusësh. “Terminali i Farkës, sapo ka filluar punë, dhe jam i biundur që do të ecim në kohë rekord, tek rrethrrotullimi në Lundër. Për terminalin e dytë, ai në zonën perëndimore, në Kthesën e Kamzës, kemi kërkuar nga Ministria e Transporteve që të përshijmë edhe Stacionin e Trenit, duke qenë se edhe treni do të rikthhet në Tiranë me një stacion kryesor. Pra jo mallrash, dhe jo parkim vagonash, por qytetas, aty ku është fillimi i Bulevardit të Ri”, tha kryetari i bashkisë.

Për realizimin e këtyre projekteve, ai theksoi se kushdo që preket dhe ka prona të ligjshme në zonat ku do të ndërtohen stacionet multimodale do të shpronësohen sipas ligjeve në fuqi. “Për të gjithë ata privatë që një tokë shteti, siç ishte zona e Kthesës së Kamzës në librat e Bashkisë së Tiranës, e kanë tjetërsuar me lloj-lloj marifetesh për të ndërtuar qendra tregtare, dua t’iu them sot publikisht se nuk më intereson fare sa deputet i pushtetshëm apo milioner i madh mund të jesh, interesi publik është mbi interesin privat. Në zonën e Kthesës së Kamzës, pavarësisht çudirave, poshtërsive dhe falsifikimeve që janë bërë me tokat, do të jetë terminali i autobusëve të Tiranës, dhe stacioni i trenit i qytetit të Tiranës. Duke thënë këtë, dua t’i garantoj edhe deputetët, edhe milionerët, kush ka letra prone, sigurisht do të shpronësohet sipas ligjeve që ka Republika e Shqipërisë dhe vendimeve të Bashkisë së Tiranës, ama Tirana nuk ka më kohë për të humbur, Tirana nuk mund të shantazhohet, dhe Tirana do të respektojë çdo pronësi kundrejt pagesës, sepse Tirana nuk mund të rrijë pa terminal autobusësh e pa stacion treni, teksa hyn në 100-vjetorin e dytë të saj”, deklaroi Veliaj.

Po ashtu, ai theksoi se Tirana do ketë edhe Unazën e Madhe, si një investim që i shërben të tashmes dhe të ardhmes së qytetit, duke çliruar trafikun në një nga zonat më të ngarkuara. “Kush ka pronë aty, do të shpronësohet, kush ka nevojë për shtëpi, do të marrë shtëpi, por Unaza i duhet Tiranës sot më shumë se kurrë, nëse duam që 100 vitet e ardhshme të jemi akoma më të suksesshëm se 100 vitet e kaluara. Do të ofrojmë bashkëpunimin maksimal me Ministrinë e Transporteve, teksa riorganizon garën për lotin e fundit, për t’u siguruar se Tirana respekton me dinjitet këdo që është nevojtar, ama nuk e bllokon rrugën, zhvillimin dhe progresin për 1 milion të tjerë, që kanë nevojë të shohin se edhe në lagjen e tyre vjen po ai zhvillim që është parë në vendet e tjera, ku kalon Unaza e Tiranës”, u shpreh veliaj.

Në fund të kësaj ceremonie, kreu i bashkisë në shenjë mirënjohje për punën dhe kontributin e dhënë në punët e qytetit në këto dekadat e fundit, ka vlerësuar me titullin “Simbol i Qytetit” edhe dy nga punonjësit më të vjetër të Bashkisë së Tiranës, Gjergj Papavasilin dhe Valter Gjonin, respektivisht me 38 dhe 35 vite punë pa ndërprerje.

Share: