Mos i përdorni këto antibiotikë, janë të dëmshëm

Aktualitet Kryesore Shkencë & jetë

Keqpërdorimi i antibiotikëve mbetet ende një problematikë e mjaft e mprehtë në vendin tonë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me barnat e klasës së Kinoloneve dhe Flourkinoloneve, për të cilat Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka rivlerësuar efektet e padëshiruara të shfaqura në shëndet nga përdorimi i tyre. Përkundrejt vlerësimeve të bëra, është kërkuar kufizimi i përdorimit të këtyre antibiotikëve.

Ndërkohë që një problematikë e tillë është konfirmuar edhe disa vite më parë në gazetën “Dita”, nga doktori urolog Prof. Kim Drasa, i cili u bënte thirrje pacientëve që të mos përdornin ciprinolin edhe kur mund t’ua rekomandonte mjeku. Kjo për shkak të konstatimit të efekteve anësore që linte në shëndet. Konkretisht në shkrimin e botuar të datës 16 dhjetor 2013, doktori theksonte se shumë prej sëmundjeve të traktit urinar trajtoheshin si infeksione urinare të përgjithshme pa i precizuar sipas mikrobit aktual që ka pacienti.

“Në Shqipëri rezistenca mikrobiale është shtuar nga përdorimi pa kriter i antibiotikëve dhe aq më keq, pasi pothuaj 95 për qind e mjekëve e fillojnë mjekimin me “ciprinol”. Ky antibiotik duhet të hiqet fare nga përdorimi për disa vjet që të çmësohen mikrobet me këtë antibiotik. Këtu ju bëj thirrje pacientëve që mos të përdorin “Ciprinol” edhe kur ua jep mjeku. E rëndësishme është që në këta pacientë, duhet domosdoshmërish të mjekohet partnerja seksuale. Automatikisht do të thotë që partnerja seksuale (gruaja, e dashura) duhet të mjekohet me të njëjtën terapi si mashkulli dhe duhet të marrin plus “ovula vaginale” (Gynexforte) çdo natë për aq kohë sa zgjat mjekimi. Rreth 10 ditë mbasi mbaron mjekimin duhet patjetër të përsërisë analizën mashkulli. Këtë herë duhet të bëjë dhe femra analizën (antibiogramën) që janë “strisho vaginale” dhe “sekrecionet uretrale”, deklaronte doktori në shkrimin e botuar para disa viteve më parë rreth shqetësimeve të konfirmuara së fundmi nga Agjencia Evropiane e Barnave mbi përdorimin e antibiotikëve të kësaj klase.

Duke iu rikthyer kësaj problematike, në vijim të shkrimit doktori tregon se pse nuk duhet të përdoren më antibiotikët e kësaj klase, si dhe rrugët se si mund të trajtohen ndërlikimet shëndetësore, duke shmangur përdorimin e këtyre antibiotikëve.

Kur nisi përdorimi i këtyre barnave?

Konkretisht, pasi filloi demokracia si çdo gjë, vërshuan edhe medikamentet të vinë nga jashtë, pra edhe antibiotikët. Pothuaj nga të parët ishte edhe ciprinoli, i cili hyn tek ky grup fluorokinolonet, për të cilin erdhi edhe lajmi që nuk duhet të përdoret më për shkak të efekteve anësore që shkakton.  Atëherë, të gjithë mjekët lëshonin vetëm receta me ciprinol. Ky antibiotik u keqpërdor, u mbipërdor deri në abuzim. Pas disa vitesh u bë aq popullor sa ku do që të shkoje, të takoje, të bisedoje qoftë edhe për një shqetësim të vogël, të gjithë të rekomandonin ciprinol, i cili në vend që të siguronte efekte në shërim, shkaktoi ndërlikime. Kjo për shkak të keqpërdorimit të këtij antibiotiku.

Kur filluat të mendoni për këto të këqija që sillte përdorimi i antibiotikëve të kësaj klase në shëndetin e pacientëve?

Fillesa ka qenë pas vitit 2001, kohë kur medikamentet urologjike u futen në listën e rimbursimit. Vura re, në pacientet, të cilët vinin për konsultë, ata me infeksione urinare të përsëritura, pra të kronicizuar kishin përdorur ciprinol. Ky raport erdhi duke u rënduar derisa nga 10 pacientë me infeksione urinare kronike, në tetë prej tyre konstatova se ishte përdorur ky antibiotik. Në këtë periudhë fillova të alarmohem dhe konstatova nga vizitat që kryeja se populli po e përdor ciprinolin si “bukë e djathë”.

Personalisht, kisha kohë që nuk ja u jepja pacientëve më përdorimin e këtij antibiotiku duke parë se gjendja e tyre nuk shfaqte përmirësim.

Prof. Kim, a patet presion nga kompanitë farmaceutike ?

Po, por nuk i kam pasur problem presionet e grosisteve tanë që janë të pangopur dhe nuk ndalen kurrë edhe kur e shohin që medikamentet e tyre po dëmtojnë këtë popull të varfër.

Prof. Kim, sipas të dhënave të konfirmuara, bëhet me dije se ky grup antibiotikesh mund të  përdoret vetëm në raste kur nuk ka tjetër variant, ju si do e komentoni ?

Si fillim po ju sqaroj se ky grup antibiotikesh emërtohen Fluorokinolone dhe Kinolone. Këtu futen: Ciprofloksacin (ciprinol,etj), Gemifloxacin (Factive,etj), Levofloxacin (Levaquin,etj), Norfloxacin (Noroxin,etj), Moxifloxacin (Avelox,etj), Ofloxacin (Floxin,etj). Kryesorja është që pacientet ta dinë mirë se duhet të mësohen me termin brand dhe jo tregtar. Pra duhet ta dinë se një grup brand siç është ciprofloxacina, ka shume emra tregtare, siç janë Ciprinoli, etj. E theksova këtë se kam parë që shumica e pacientëve nuk e dine këtë gjë, pasi kanë ardhur tek unë duke më thënë që kanë pirë tre lloje të ndryshme antibiotikesh. Por, në fakt ka qenë vetëm një lloj antibiotiku, por me emra tregtar të ndryshëm (këta emra vihen sipas qejfit të prodhuesit). Tani për t’ju përgjigjur pyetjes po ju them se grupi i ciprofloxacinave (Ciprinoli,etj) nuk duhet të përdoren kurrë, madje edhe në rastet kur nuk ka variant tjetër. Aq me tepër, në Shqipëri, përdorimi i ciprofloxacinave duhet të ndalohet kategorikisht, një minimum për 5 vite. Kjo periudhe 5 vjeçare i duhet që popullit tonë t’i zhduket rezistenca mikrobiale ndaj efektit të tyre. Ka një grup tjetër, i cili përdoret në rastet ekstreme, të cilin ia rekomandojmë pacientëve. Rastet më të rënda ndodhin kur urologët përdorin Ciprofloxacin gjatë bërjes së biopsisë së prostatës, gjoja për të mbrojtur pacientin nga infeksioni. Në raste të tilla shpesh ndodh që pacienti të kalojë në gjendje të rënd septike, e cila është gjendja më e rëndë që ndodh nga infeksionet mikrobiale dhe bakteriale.

A ka ndonjë tjetër antibiotik që nuk duhet të përdoret pa kriter siç ka ndodhur me Ciprinolin?

Po ka. Doja të thoja se edhe levofloxacina  po përdoret siç u bë me Ciprofloxacina. Ka filluar e njëjta dukuri si më parë me Ciprinolin. Fatkeqësia dhe çudia më e madhe po ndodh me laboratorët. Mjekët dhe pacientët duhet të ndërgjegjësohen se ka mbaruar koha kur mund të përdoren antibiotiket pa kriter. Duhet që levofloxacina të mos keqpërdoret siç u keqpërdor Ciprofloxacina, madje më e mira është që mjekët të jenë shumë rigoroz në dhënien e këtij medikamenti. Këshilloj që levofloxacina të mos përdoret pa kriter, kjo veçanërisht në rastet kur del se infeksioni ka ndodhur nga mikrobi Eschericia coli.

Çfarë mund të këshillojmë në këto raste për pacientët?

Fillimisht çdo pacient duhet të fillojë të trajtohet me antiseptikë urine, kryesisht ato me natyrë bimore. Në rastet kur nuk qetësohet për 2-3 ditë dhe për me tepër kur ka temperaturë duhet t’i shtohet një antibiotik sipas urokultures-antibiogrames dhe kryesisht sipas eksperiencës së mjekut, sepse po me ndodh që edhe kur ka dalë në analiza se vepron, ky, ose ai antibiotik, prapëseprapë nuk me ka dhënë efektin e duhur siç e ka dhënë para disa vitesh. Duke u nisur nga kjo po jap edhe porosinë për laboratorët. Këto të fundit në përgjigje të antibiogramë duhet të shënojnë vetëm (S)-Sensibel, por siç duhet pra kur të shënojnë se ky lloj antibiotiku vepron kundër atij mikrobi duhet të shënojnë jo vetëm + por ++ dhe kur antibiotiku ka veprim më të fortë, duhet të shënohet me +++. Ky grup antibiotikesh (Fluorokinolone) shkakton edhe probleme të tjera mjaft të dëmshme për organizmin.

Konfirmimi nga Agjencia Evropiane e Barnave

Ja cilat janë efektet e padëshiruara nga përdorimi i antibiotikëve të klasës së flourkinolone

  • Barnat që i përkasin klasës së flourkinoloneve (ciprofloksacinë, levofloksacinë, moxifloksacinë, norfloksacinë, pefloksacinë, prulifloksacinë dhe rufloksacinë) mund të shkaktojnë efekte të padëshiruara nga përdorimi i përsëritur ose për një kohë te gjatë duke prekur tendinat, muskujt, artikulacionet,  sistemi nervor.
  • Këto efekte të padëshiruara përfshijnë: tendina të inflamuara, tendina te dobëta, dhimbje ose dëmtime muskulare, fryrje, enjtje të artikulacioneve, vështiresi në ecje, ndjesia e gjilpërave në këmbë (ndjesi çpuese), djegie, lodhje, depresion, probleme të memories, gjumit, shikimit, veshit, ndryshimi i shijes dhe
  • Enjtja e lezioneve të tendinave mund të verifikohet brenda dy ditëve të para të fillimit të trajtimit me një flourkinolon, por mund të verifikohet dhe disa muaj pas ndërprerjes së trajtimit.
  • Duhet të ndërprisni marrjen e barit të klasës flourkinolon dhe të merrni kontakt të menjëhershëm me mjekun në rastet e mëposhtme: Shfaqje të lezioneve të tendinave si dhimbje ose enjtje (duhet të mbani regjim shtrirë). Dhimbje, ndjesi të shpimit si të gjilpërave në këmbë, gudulisje, mpirje, djegie ose dobësim në mënyrë të veçantë të këmbëve dhe krahëve. Enjtje të shpatullës, krahut, këmbëve ose vështirësi në ecje, lodhje, depresion, probleme me memorien, shqetësime të gjumit, shikimit, ndryshimit të shijes dhe nuhatjes. Mjeku vendos nëse pacienti duhet të vazhdoje trajtimin ose nëse është e nevojshme të merret një antibiotik tjetër.
  • Shfaqja e dhimbjes së artikulacioneve, enjtja, dëmtimi i tendinave është më i shprehur në pacientët mbi 60 vjeç, me probleme me veshkat ose që kanë patur një transplant të organeve.
Share: